Vetëvarja brenda qelisë, SHKB sekuestron kamerat e burgut
RROGOZHINE – Vetëvarja në qelitë e paraburgimit të Rrogozhinës të 52 vjeçarit Alush Beqiraj, ka bërë që paraditen e djeshme të nisnin hetimet për këtë ngjarje. Veç Prokurorisë së Kavajës, e cila e ka regjistruar këtë rast që në momentin kur ndodhi, paraditen e djeshme në burg kanë shkuar ekspertë të Ministrisë së Drejtësisë, të cilët kanë këqyrur vendngjarjen, kanë ekspertuar dokumentacionin si dhe kanë marrë në pyetje shokët e qelisë së viktimës. Nga këqyrja e kamerave të sigurisë së burgut ka rezultuar se momenti kur viktima 52 vjeçar ka hyrë në banjë derisa është gjetur i vetëmbytur ka zgjatur vetëm 2 minuta e 26 sekonda. Burime nga burgjet pohojnë se 52 vjeçari, baba i katër fëmijëve, ka hyrë në banjën që ndodhej jashtë qelisë në orën 23:54 të mesnatës së ndërrimit të viteve dhe është gjetur i vetëvarur nga një bashkëvuajtës në orën 23:56. Ky fakt ka shfajësuar gardianin e shërbimit, i cili gjatë kësaj kohe ka monitoruar të gjitha qelitë që ndodheshin në të njëjtin sektor. Ndërkohë burime nga burgu thonë se bashkëvuajtësit e 52-vjeçarit kanë pohuar se ai nuk ka pasur probleme gjet kohës që ndodhej në qeli. i vetmi problem që ai ka diskutuar me bashkëvuajtësit ditët e fundit ka qenë ankthi që kishte krijuar duke menduar se do dënohej shumë vite burg, pasi pretendonte se nuk kishte mundur të gjente një shumë prej 20 mijë eurosh që i duheshin të paguante për t’u liruar nga qelia. Bashkëvuajtësit pohojnë gjithashtu se pak ditë para festës së Vitit të Ri, 52 vjeçari Beqiraj kishte folur me familjarët e tij, të cilëve u ishte shprehur nëpërmjet telefonit se avokati i kishte kërkuar 20 mijë euro për ta liruar nga qelia. Siç duket ai kishte marrë përgjigje negative nga të afërmit, çka ka bërë që ai të shkonte në qeli dhe pak minuta para aktit të vetëvrasjes t’iu shpërndante bashkëvuajtësve gjithë ushqimet që kishte aty. Pas kësaj ai ishte larguar për në banjë duke pretenduar se kishte probleme shëndetësore, ndërsa dy minuta më vonë është gjetur i vetëvarur. fa.ma.