E Diel, 1 Nëntor 2026

Si kapitulloi flota ajrore pa asnjë luftë

Autori i Lajmit: Redaksia
Pak kohë më parë u njoftua vënia nën kontrollin italo-grek të hapësirës sonë ajrore. Në pikëpamjen tuaj si ish-ushtarak i Komandës së Forcave Ajrore, çfarë do të thotë ky kontroll?
Në vështrimin tim si ushtarak, ky kontroll do të thotë se ne skemi ushtri dhe se në përbërjen e saj Forcat Ajrore janë inekzistente. Kjo do të thotë se Aleanca e Atlantikut ka në gjirin e saj dhe aleatë që nuk ushtrojnë dot “përgjegjësinë sovrane për mbrojtjen e vetes”. Ushtrimi i kësaj përgjegjësie është një nga kriteret themelore të pranimit në Aleancë dhe unë tani nuk e kuptoj se si jemi pranuar pa e përmbushur këtë kriter. Të pranosh në NATO, në aleancën më të modernizuar të botës, një vend që nuk ka qoftë dhe një avion ushtarak në inventarin e sigurimit të kufirit të tij ajror, ky më duket një absurditet i madh. I ngjasojmë atij kalorësit që kërkon të bëhet pjesë e trupës së kavalerisë pa pasur kalë. Këtë dhe shumë fakte të tjera, ne ushtarakët i kemi ditur dhe, kur ndodhi pranimi me të vërtetë jemi çuditur. Mendimi mbizotërues në komunitetin ushtarak, por dhe në ato qytetare është se “i mbetëm NATO-s në derë” dhe ju e merrni me mend çkuptim ka “mbetja në derë” në mentalitetin shqiptar. Pranimi mbuloi defekte shumë të rënda në modernizimin ushtarak, por dhe në trajnimin e trupave. Taktika është produkt i modernitetit. Ky pranim i dha qeverisë aktuale një armë të fortë dhe pretekste të shumta për mbulimin e dobësive, megjithëse në shumë pamje është qeveria më antiushtarake që ka ekzistuar ndonjëherë në historinë e Shqipërisë. Ka prova të panumërta për këtë. Prova më e madhe është ajo që ju më pyetët: Skemi qoftë dhe një avion për të patrulluar minimumi qiellin e Kryeministrisë për të ndalur ndonjë sulm kamikaz mbi “kokat e drejtimit strategjik“ që janë aty. Ndonjë çarter a helikopter terrorist mund ti ketë piketuar ata për arsye të ndryshme, fjala vjen, si hakmarrje për sekuestrimin e kullave të Al-Kaedës (siç) në Tiranë, për zellin e madh në dërgimin e mercenarëve antitalebanë në Afganistan, për diskriminimin e biznesit nga bota islame në raport me atë serb në Shqipëri, etj.(qesh). Seriozisht dua tju them se një shtet nuk mund të quhet shtet aq më tepër serioz në qoftë se nuk ka aviacion ushtarak për ruajtjen e kufirit ajror. Aviacioni ushtarak është ndër shpikjet më moderne të sigurisë ajrore dhe të mos e kesh atë në kulmin e integrimit të tij me konceptet dhe praktikat ushtarake të çdo natyre do të thotë të jesh një injorant i madh, i padenjë për nivelet e drejtuesit strategjik, të bësh njëqind vjet prapakthim operacional duke shkuar pikërisht në fillesat e tij eksperimentale para Luftës së Parë Botërore. Mungesa e mjetit më të shpejtë të reagimit ndaj çdo rreziku ajror, tokësor e detar do të thotë aderim si një shtet-muze i NATO-s, jo si një shtet-partner i saj. Me prapakthime të tilla ne nuk e sigurojmë dot kurrë partneritetin dhe integrimin ushtarak, i cili kushtëzohet pak a shumë nga ekuilibri i forcave dhe mjeteve në raport me numrin e popullsisë së vendeve anëtare. Nga ana tjetër, dinjiteti i një shteti dhe qëndrueshmëria e tij është kurdoherë e ndërlidhur me ekzistencën e një force autoritare ushtarake. Nuk kanë peshë as në politikë, as në diplomaci, madje as në ekonomi, shtetet që nuk e disponojnë këtë forcë. Konsiderohen shtete pa kolonat kryesore të qëndrueshmërisë e stabilitetit. Të mos sigurosh ekuilibrat e nevojshëm ushtarakë është një iluzion i rrezikshëm pacifist. Greqia kërkon ta ketë këtë ekuilibër me Turqinë, ndërsa ne u dashka të mos e kemi me asnjë shtet të rajonit! Kjo është një politikë ushtarake miope. Miope në dimensionin ajror, miope në atë tokësor e detar. Një nga konkluzionet më me peshë me të cilin H. Kisingeri përmbyll librin e tij “Diplomacia”, i rezervohet pikërisht ekuilibrit ushtarak. “Çka një udhëheqës nuk duhet ta bëjë kurrë,- thotë ai,- është të sugjerojë…. që ekuilibri nuk duhet të vendoset”. Po udhëheqësit tanë çfarë na kanë sugjeruar? Të kundërtën. Po i boshatisin Forcat e Armatosura nga çdo potencial mbrojtës dhe Shqipërinë nga burimet njerëzore. Aviacionit ushtarak i kanë nxjerrë “vizën” e udhëtimit për në “shtetin” e mafias ndërsa forca e gjallë aktive është shpërndarë si “zogjtë e korbit” nëpër botë. Dizekuilibri total është thelbi i kësaj politike. Kjo pjell vasalitet jo partneritet. Pa më thoni, ku është partneriteti kur qiellin do ta sundojnë tërësisht të tjerët?

Mungesa e avionëve luftarakë për kontrollin e hapësirës ajrore ndofta ka të bëjë me koston e lartë të blerjes së tyre!?

Nuk ka kosto më të lartë se sa kostoja e dinjitetit të shtetit dhe të Ushtrisë. Çfarë është një shtet dhe një ushtri ku ministri i Mbrojtjes quhet i “mbrojtjes” së Shqipërisë dhe mbrojtjen ia bëjnë ministrat e Greqisë apo të Italisë? Më falni, por ky tip ministri ngjason me ata burrat sterilë që përdorin me gratë e tyre farëzimin artificial për të sjellë fëmijë në jetë. Me burrat e “Air Policing” duan ti mbushin mendjen miletit shqiptar se dimensioni ajror i kufirit do të “pjellë” siguri. Ky është turp për një shtet i cili kështu merret vesh se ka ministra, kryeministra e komandantë supremë që nuk munden të japin dot asnjë urdhër për të vënë nën kontroll situatën ajrore. Kujt tia japin? Skanë asnjë pilot nën komandë dhe asnjë forcë mbulimi në atë front që konsiderohet zinxhiri më i dobët i depërtimit të piraterisë dhe terrorizmit. Në këtë gjendje të duket e kotë ekzistenca e një lidershipi përgjegjës për sigurinë. Komandant pa ushtarë nuk ka. Aviacionin e huaj që do të luajë rolin e mercenarit tek ne e komandon tjetërkush.
Këto pyetje dhe dilema janë konkluzion logjik i aktit të ndërmarrë më 17 korrik, ditën e fillimit të misionit të “Air Policing”. Nga ky akt morëm vesh se ministrat e Mbrojtjes dhe shefat e shtatmadhorisë së këtij vendi qenkan thjesht njëlloj dordoleci si ata që vënë fshatarët në arë për të trembur shpendët drithëngrënës. Gjë tjetër nuk trembin dot. E gjithë hapësira ajrore prej 58.000 km/2 mbi tokën dhe detin e Shqipërisë mund të përshkohet kryq e tërthor nga çdo mjet fluturues i terroristëve, i piratëve ajrorë, i dreqit me të birin pa u shqetësuar nga asnjë mjet identik rivaliteti. Gjeneralët shqiptarë skanë me se ti shqetësojnë dhe as të kundërveprojnë. Të varin dylbitë në qafë dhe të mbajnë sehir, kjo është ajo që mund të bëjnë. Edhe sikur tu dhjesin mbi grada nuk marrin dot hak.
Më lejoni të veçoj edhe një fakt përpara se të trajtoj çështjen e kostos së avionëve. Fakti është ky: nuk ka asnjë shtet anëtar të NATO-s, por besoj dhe më gjerë ku policin ajror të tyre e bëjnë fqinjët. Shqipëria e varfër dhe e sapodalë nga Lufta e Dytë Botërore e siguroi integritetin e vet ajror pas 6-7 vjetësh, ndërsa tani pas 20 vjetësh zhvillimi “modernizues” dhe pa asnjë luftë “në kurriz” ska mbetur “gjallë” asnjë avion. “Syri” ynë ajror do të jetë italo-grek dhe kjo është optika e sigurisë së qeverisë shqiptare për “reformimin” e Forcave të Armatosura. Ky lloj reformimi është burim proteksionizmi dhe vartësie. Të dhënat për situatën tonë ajrore do të kalojnë nëpër filtrat ushtarakë të fqinjëve duke u dhënë atyre pushtetin mbi Ministrinë dhe Shtatmadhorinë shqiptare. Ministria dhe Shtatmadhoria jonë skanë mjete kundërveprimi dhe kjo e bën informimin e tyre të panevojshëm.

Të ndalemi tek kostoja. Sa është vlera monetare e një avioni që mund të përmbushë nevojat e misioneve ushtarake të kapacitetit tonë. Duket i drejtë vlerësimi në këndvështrimin tuaj, por interesi është që të nxirret një përfundim për shkakun e hezitimeve qeveritare në pajisjen e Ushtrisë me aviacion ushtarak.
U futa në shpjegime të tjera për tju lënë të kuptoni se paratë janë të fundit për nga rëndësia kur bëhet fjalë për dinjitetin e një vendi aq më tepër anëtar në Aleancën më moderne të botës. E kuptoni se si kemi hyrë dhe çvend na takon në rreshtimin jo numerik, por potencial të kësaj Aleance. Nga pikëpamja e strategjisë së përparësive ka elementë parësorë të modernizimit ushtarak që janë kalkuluar keq. Kanë blerë një anije luftarake nga Holanda për të kryer misionin e rojes bregdetare kur i pari duhej blerë një avion. Avioni e intercepton shumë herë më shpejt se anija që lëviz me 50-60 milje në orë, çdo pirat dhe trafikant detar e ajror. Avionët fluturojnë me shpejtësi nga 1100-3800 km në orë dhe koha e gatishmërisë për nisjen e misionit është 2-3 minuta nga 1-2 orë që i duhet anijes. Anija kontrollon vetëm detin, ndërsa avioni kontrollon detin, ajrin dhe tokën së bashku. Përparësia e mjeteve ajrore të policimit apo të patrullimit është e dukshme, por strategët tanë politikë dhe ushtarakë e kanë planifikuar operacionalitetin me hapin e breshkës. Kështu ndërveprimin dhe kordinimin me strukturat e NATO-s e kanë bërë pothuajse të pamundur. Me ritmet e sotme të modernizimit dhe me ato që sapo deklaroi Arben Imami ne nuk i kapim parametrat tekniko-taktikë të NATO-s as për 30 vjet sikur të supozohej se kjo Aleancë do të rrinte në vend. Por a do të rrijë ajo në vend? A do të rrijë Tirana kështu si është derisa Viçidoli të bëhet kështu si është Tirana sot?
Nuk është kushedi çfarë kostoja e një avioni luftarak të shkallës së gjuajtësit taktik ose të gjuajtës –kapësit taktik. Ky është tipi që kemi nevojë ne, sepse aq sa është territori dhe deti ynë përshkohet nga veriu në jug dhe nga lindja në perëndim për disa minuta. Madhësia e rrezes operacionale të fluturimit të këtyre tipave përputhet me madhësinë e shtrirjes së territorit e të detit shqiptar. Çdo gjë që duhet të vëzhgohet e kontrollohet është brenda rrezes së fluturimit të tyre. Nuk kanë nevojë për vendbazime të ndërmjetme dhe as për furnizim në ajër. E përmbushin misionin vajtje-kthim (përfshi dhe angazhimet e mundshme ajrore) nga aerodromi fillestar.
Kostoja monetare e një avioni të tillë ta dini se nuk i kalon shpenzimet e darkave madhështore të ish-zëvendsministres Xhuka me Ylli Pinarin në 55-vjetorin e këtij të fundit. Nuk i kalon gjithashtu vlerat financiare të shpenzuara nga ministri “fluturues” Fatmir Mediu në shëtitjet kryq e tërthor botës. Kushtojnë më pak se fitimi qyl i Fazliçit nga blerja e tokave të Porto-Romanos. Madje me këtë fitim mund të blihen më tepër se 2-3 gjuajtës taktikë ose 6-7 “Predatorë” (avionë vëzhgimi pa pilot.). Shteti ka 19 vjet “angazhime reformuese” dhe nuk blen dot 1-2 avionë! Ja ky është kapaciteti i politikave dhe i strategjive të tij ushtarake, kapacitet që i përkthyer në vlera monetare është ku e ku më i vogël se kapaciteti komercial i së bijës së babait kryeqeveritar. Një shtet me kapacitete dhe vizione sigurie kaq të ulëta nuk e meritonte të futej në NATO. Futja në këtë Aleancë duhet të ketë qenë efekt i ndonjë pazari privat me liderë influentë të NATO-s, sepse vështrimi i pranimit nga pikëpamja e standardeve, e parametrave tekniko-ushtarakë, e operacionalitetit, e cilësisë së lidershipit dhe e ekuilibrit të fuqisë ushtarake me çdo vend anëtar të Aleancës është për të vënë kujen. Këtë nuk e them unë, por e thonë të gjithë intelektualët ushtarakë shqiptarë më peshë, e thonë dhe autoritete ushtarake të NATO-s. Nga 10 deri 40 milionë dollarë kushton një avion supermodern bashkëkohor. Nuk është ndonjë shifër kushedi çfarë për një shtet që vetëm për fushatën elektorale të këtij viti harxhoi mbi 180 milionë dollarë nga buxheti. Harxhohen para për posterat e Saliut e për yxhymet e hordhive të tij elektorale dhe rezultati final i gjithë kësaj idiotësie është zgjedhja e një pushteti, i cili sigurinë shqiptare e trafikon si prostitutë të fqinjëve. Para për sigurinë ajrore ka. “Janë gati dhe biznesmenë të fuqishëm të përgjigjen për blerjen dhe mirëmbajtjen e një skuadriljeje të tërë të aviacionit modern”,- më tha një pilot. Por e keqja këtu nuk është mungesa e parave. E keqja është se para marrjes së ajrit nga të tjerët ka marrë ajër koka e kryeministrit të Shqipërisë. Me këtë komerdare të shpuar nuk mund të sigurohet ngritja e asnjë avioni nga pistat e aerodromeve tona ushtarake.

Më shumë se mungesë parash a nuk të duket si mungesë përgjegjësie e vizioni?

Të dyja mungesat që përmendët janë tipar dallues për lidershipin tonë. As Komandanti i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura, as kryeministri dhe as ministri i Mbrojtjes nuk janë shprehur ndonjëherë zyrtarisht për marrëveshjen ajrore me fqinjët. Nuk janë shprehur jo vetëm se si do të sigurohet kontrolli ushtarak në ajër, por as për mënyrën e kontrollit të kufijve tokësorë dhe të 30.000 kilometra katrorë të hapësirës detare? Shqiptarët nuk e dinë a kanë këta një axhendë punësh ushtarake apo nuk kanë? Një doktrinë e mbrojtjes ajrore, kërkesë normale për një shtet që ka hapësirë ajrore për të mbrojtur, nuk është paraqitur kurrë në Parlament dhe në dritën e zhvillimeve aktuale ky vakuum dhe asgjësimi e trafikimi i aviacionit duken të qëllimshëm. Tek varfëria proverbiale e fjalorit ushtarak të lidershipit mund të dallosh pa kurrfarë mundimi papërgjegjshmërinë e angazhimit të tyre me çështjet ushtarake dhe ato të sigurimit kombëtar. I gjithë ky fjalor tek kryeministri Sali Berisha, e gjithë përmbajtja e koncepteve të tij taktike, strategjike dhe doktrinare, e gjithë kultura ushtarake që zotëron përmblidhet në zgjedhimet e termit bunkerizim. Një varfëri e tillë rreth “profesionit që përfshin dije nga të gjitha fushat e shkencave dhe të shtetformimit” e ka pamundësuar atë të merret me çështjet serioze të sigurimit kombëtar. Më thoni një çështje serioze që ka trajtuar ai në këtë fushë? Më thoni kur ai ka marrë pjesë në mbledhjet e Këshillit të Sigurisë Kombëtare dhe ka trajtuar ndonjë ide reformatore që ia vlen për të kuptuar se kryeministri është më me mend se një kapter sigurimi? Më thoni një rast ku puna e tij për rindërtimin e Forcave të Armatosura ka qenë më intensive dhe më e madhe se ajo për shkatërrimin e tyre. Ideja rrethrrotulluese e bunkerizimit ska çtë na japë tjetër përveç pamjen e një kryeministri që strategjinë më të mirë ka atë të rënies së fyellit në një brimë. Me tellalin e bunkerizimit në tokë, me zhurmën e avionëve grekë në ajër dhe me një anije patrullimi në një hapësirë ujore më të madhe se sipërfaqja e Shqipërisë, ai i ka dhënë strategjisë së sigurimit kombëtar dimensionet e një komedie strategjike akti i fundit i së cilës përfundon me përqeshjet e Fazliçëve dhe me mburrjet gazetareske alla Tartarin i Taraskonit të Balliçëve. Sështë çudi që këtë komedi e sponsorizojnë qindra bizneset serbe të dyndura këtu si dikur dyndja e sllavëve në shekullin e 6-të.
Në këmbim mund tju jenë dhënë Mig-ët tanë, për të cilët thuhet se janë parë në një muzeum të ultranacionalistëve në Serbi. Kuptohet, si shenjë e gjunjëzimit të armiqve të Serbisë në betejat e tyre imagjinare!
Presidenti nuk e ka diskutuar qoftë dhe një herë në Këshillin e Sigurimit Kombëtar kalimin e sovranitetit ajror në pronësi të të tjerëve. Si mund të jetë “Komandant i Përgjithshëm” pa zonën e tretë të komandimit, e cila përbëhet nga sipërfaqja e përgjithshme që shtrihet mbi dy zonat e tjera tokësore dhe detare? E konsideroj “zonë e tretë” në kuptimin figurativ dhe të vëllimit të forcave mbuluese, sepse në fakt, në epokën moderne hapësira ajrore ka rëndësi të dorës së parë, është zonë më intensive dhe më e shpejtë për ti krijuar probleme një shteti. Por Presidenti se ka ndërmend këtë koncept strategjik. Ai nuk merret me problemet, ndërsa zgjidhjet ia ka deleguar të tëra Saliut. Dhe Saliu si zgjidhje gjen likuidimin e flotës ajrore, ndërsa kryekomandanti nuk merr mundimin të pyesë, pale të analizojë pse boshllëku më serioz u krijua atje ku lehtësia e krijmit të problemeve është akoma më serioze.
Kështu, pa asnjë avion në ajër, tank në tokë e me një anije në det ne nuk mund të jemi aleatë që ofrojmë partneritet dhe besueshmëri tek aleatët e tjerë të NATO-s. Jemi, pa dyshim, aleatët leckamanë të saj. Aleatët e dobët, ashtu si dhe nxënësit e dobët në mësime merren në patronazh, siç na ka marrë neve aviacioni italo-grek. Më autoritari i politikave ushtarake amerikane, S. Hantington, thotë: “Aleatët e dobët, të paqëndrueshëm..... janë më shumë pengesë sesa ndihmë”. Realiteti tregon se kryeministri ynë ka zgjedhur të jetë pengesë për NATO-n. Pse-ja e pengimit të Aleancës është shumë kollaj të evidentohet. Ka zhdukur pa nam e nishan çdo mjet luftimi e ndërveprimi ekuivalente me çdo strukturë ushtarake aleate që mund të kërkojë ndihmën e tyre në rast emergjence.

Ky lajm është publikuar: 19/02/2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›