E Shtunë, 31 Tetor 2026

Prokuroria, qindra faqe kunder Mediut

Dërgohen në Kuvend dokumente shkresore që nisin që nga interesimi i SAC e deri në momentin e tragjedisë së Gërdecit, të cilët iu bashkëngjitën kërkesës së akuzës për heqjen e imunitetit të ish-ministrit të Mbrojtjes, Fatmir Mediut

TIRANË - Prokuroria e Përgjithshme është e vendosur të hetojë ish-ministrin e Mbrojtjes, Fatmir Mediun, për të cilin është ngritur dyshimi se ka konsumuar elemente të veprës penale “shpërdorim detyre” për të favorizuar subjektet private “Albademil” dhe “SAC”. Në shërbim të kësaj iniciative, ditën e djeshme organi qendror i akuzës i është përgjigjur pozitivisht kërkesës së Këshillit të Mandateve dhe Imunitetit, i cili kërkonte materiale shtesë për të vendosur mbi heqjen e imunitetit të kreut të republikanëve. Burime pranë Prokurorisë së Përgjithshme thanë dje për “Korrierin”, se kjo kërkesë është plotësuar, duke dërguar në Kuvendin e Shqipërisë të gjithë materialet e nevojshme, mbi bazën e të cilëve është ngritur edhe dyshimi për ish-ministrin e Mbrojtjes. Duke u treguar tepër të rezervuar në dhënien e informacionit, burime zyrtare thanë se janë vënë në dispozicion akte hetimore të çështjes, por pa përmendur konkretisht materialet që u vunë në dispozicion të Këshillit të Mandateve dhe Imunitetit. Burime konfidenciale të gazetës thanë lidhur me çështjen, se ditën e djeshme në Kuvend janë çuar të gjithë dokumentet shkresore, të cilët paraqisnin një rrjedhë kronologjike të ngjarjes, që nis në shkurt të vitit 2006, kur kompania amerikane “SAC” shpreh interesin për realizimin e demontimit të predhave me gëzhojë tunxhi. Që nga ky moment, të gjithë dokumentet që kanë të bëjnë me çështjen “Gërdeci”, të cilat sipas prokurorisë bien në kundërshtim me akte ligjore dhe nënligjore, i janë vënë në dispozicion Kuvendit të Shqipërisë, ku ai i kërkon autorizimin për hetimin e ish-ministrit të Mbrojtjes. Në dosjen voluminoze që u dërgua dje në Kuvend, mësohet se është futur kërkesa që përfaqësuesi i “SAC”-ut, Patrik Henri, i dërgon me faks ish-ministrit të Mbrojtjes më datë 27 dhjetor 2006. Gjithashtu, pjesë e dokumentacionit që do shqyrtohet nga Këshilli i Mandateve dhe i Imunitetit është dhe projektvendimi që mban datën 12 shkurt 2007, për miratim projekt-vendimit të Këshillit të Ministrave, me titull “Për procedurën e çmontimit, çmilitarizimit dhe tjetërsimit të një sasie municionesh të Forcave të Armatosura (FA), të dala nga armatimi e përdorimi me shoqërinë amerikane “SAC”. Ky projekt vendim nuk u miratua nga Këshilli i Ministrave, për shkak të përfshirjes së drejtpërdrejtë të kompanisë amerikane “SAC” në të. Gjithashtu, pjesë e dokumentacionit është dhe vendimi i Këshillit të Ministrave nr. 138, datë 14 mars 2007, “Për procedurën e trajtimit të armëve, teknikës dhe pajisjeve të Forcave të Armatosura, të hequra nga armatimi dhe përdorimi”, si dhe urdhri i shumëpërfolur nr. 50, datë 25 prill 2007, i nxjerrë nga ministri i Mbrojtjes së asaj kohe, Fatmir Mediu. Në dokumentacionin që u dërgua dje në Kuvend, nuk mungojnë gjithashtu as ligjet apo aktet nënligjore me të cilat bien në kundërshtim urdhrat e ish-ministrit Mediu dhe materiale hetimore ku bazohet dyshimi i prokurorisë, se kreu i republikanëve ka konsumuar elemente të veprës penale “shpërdorim detyre”. Këshilli i Mandateve dhe i Imunitetit pritet të marrë në shqyrtim së shpejti materialet që kërkoi nga Prokuroria e Përgjithshme, për të vendosur më pas për imunitetin e deputetit Fatmir Mediu.  

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›