Ura Vajgurore, abuzimi me lejen e ndërtimit
Akuza për afera në dhënien e lejeve të ndërtimit nga Bashkia e Urës Vajgurore. Bëhet fjalë jo vetëm për shkelje të ligjit,por edhe për një konflikt të hapur interesi. Denoncimi vjen nga pronarë të truallit të cilëve nuk u është marrë aprovimi përpara se të jepej leje për ndërtimin e një pallati në rrugën nacionale Lushnje-Berat në Urën -Vajgurore. Gjithçka duket qartë edhe në foto. Pos tyre akuzat në adresë të kryebashkiakut të Urës Vajgurore Syria Ormenaj,vijnë edhe nga inxhinieri A. Skendëri. Sipas tij leja e ndërtimit është dhënë pa respektuar distancën që duhet të kenë ndërtimet nga akset e rrugëve nacionale sipas rregullores së urbanistikës. Ndërkaq burime nga vetë bashkia e Urës Vajgurore pohojnë se në praktikën e ndjekur janë shkelur kompetencat që ligji ja njeh KRRT-së. "Leja është dhënë për objekt banimi,por në një zonë industriale pa studim urbanistik. Në këto zona aprovimin për transformimin e zonës në zonë banimi e jep vetëm KRRTRSH-ja", saktësojnë burimet. Me gjithë ankesat e pronarëve ndërtimi ka filluar. Sipas tyre ka konflikt të pastër interesi pasi leja i është dhënë vëllait të kryebashkiakut. "Jemi ankuar disa herë por askush nuk e ka vënë ujin në zjarr. Punimet kanë filluar edhe pse kemi të bëjmë më një ndërtim të paligjshëm në veprimtarinë e KRRT-së të drejtuar nga kryetari i Bashkisë", shprehen pronarët. Ata sqarojnë se gjithçka nuk mjafton me kaq. "Ndërrimi i këtij objekti ka shkaktuar dëme në objektet përreth. Menjëherë pas nisjes së punimeve ,nga gërmimet e kryera objektet rreth sheshit, (sheshi është fare ngjitur me to në distancë as 1 m),filluan të shfaqin çarje deri sa një objekt u shemb dhe një tjetër është çarë vertikalisht me rrezik shembje. "Tashmë kryetari duhet të japë llogari ligjore për prishjen e pasurisë së tjetrit",shprehen banorët e zonës. Sipas tyre në të gjithë këtë veprimtari korruptive duket se në rastin më të mirë strukturat administrative shtetërore nuk kanë funksionuar ose janë palë në këtë shkelje."Kjo pasi përpara se një ndërtim të fillojë ,ai duhet të kalojë procedurat e aprovimit të lejes së mjedisit ,të prefekturës si dhe të bëjë depozitimin e dokumentacionit në Inspektoratin Ndërtimor Urbanistik kombëtar të degës rajonale Vlorë. Këto institucione duhet të reagojnë menjëherë në mënyrë që veprime të tilla të mos përsëriten", shprehen qytetarët.