Agresori? Jo i sëmuri, por mentaliteti i sëmurë
Prof. Dr. Isuf Kalo
Drejtor i Qendrës Kombëtare për Cilësi e Siguri në Institucionet Shëndetësore
Përderisa dhuna goditi një mjek të mirë, të qetë e të kulturuar, si kolegu im Agron Ylli, mendja ta do se motivi dhe shpjegimi i vetëm është "absurdi". Rrezikshmëria destruktive eabsurditetit qëndron tek paparashikueshmëria dhe verbëria, të me cilët godet. Por, dhuna e ushtruar ndaj kujtdo mjeku në detyrë, përbën, padyshim, përveçse krim, edhe një turp shoqëror.
A duhen parë e përgjithësuar rastet fatkeqësisht të shpeshta të dhunës që kanë ndodhur së fundi me mjekët tanë si fenomen? Sociologët, juristë dhe psikologët do duhet të vlerësojnë profesionalisht, nëse kemi të bëjmë me një dhunë specifikisht e qëllimisht të drejtuar ndaj bluzave të bardha, apo fjala është për një copëz apo element të dhunës si kulturë apo tipar atavik i shoqërisë sonë (e shtrire madje edhe brenda familjes)? Kulturë kjo, e gjallëruar dhe eksterorizuar me dukshëm në periudhën tranzitore postdiktatoriale, prej urbanizimit të vrullshëm dhe mosadapatimit të shpejtë me rregullat dhe marrëdhëniet e reja të demokracisë dhe tregut të lirë.
Demokracia, mes shumë të mirave, dihet që përmban edhe rrezikun e shpërdorimit të saj. Një ndër to është "dehja me lirinë "në formën e shpërfilljes individualiste të mekanizmave ekzistues ligjorë e rregullatorë, me të cilët do të duhej të kërkohej dhe të mbrohej e drejta apo pretendimi i secilit qytetar, jo vetëm në Shëndetësi, por edhe në çdo fushë tjetër .
Nuk është vështirë të vërehet që mjekët tanë nuk janë goditur nga të sëmurët. Ata i godet mentaliteti i sëmurë. Veprimet postpsikotike të ndonjë, ose disa individëve të veçantë, natyrisht që nuk përfaqësojnë kurrsesi qytetarët tanë në tërësi. (Shumica dërrmuese e tyre, u thonë çdo ditë faleminderit dhe ndjejnë mirënjohje ndaj bluzave të bardha )
Por, mentaliteti është produkt shoqëror. Ai krijohet me pjesëmarrjen dhe kontributin e një numri aktorësh; komuniteti, shteti, shoqëria civile, media dhe, natyrisht, në rastin e shëndetësisë, në një masë të caktuar edhe nga vetë punonjësit bluzëbardhë. Për fat të keq dhe të mirë, ai nuk është statik, as final. Është dinamik dhe i ndryshueshëm. Mentaliteti i sotëm për punonjësit e shëndetësisë, nuk është ai që ka qenë. Është në të mirë të dy palëve dhe të gjithë shoqërisë që ky i sotmi të ndryshojë sa më parë për mire. Kjo duhet filluar, duke mos u bazuar vetëm në opinione, perceptime, emocione e thashethemnaja apo scope mediatike, por në vlerësime objektive, holistike të rezultateve, të bëmave dhe fakteve reale.
Në një vizion të tillë, duhet të jesh i verbuar që të mos pranosh që balanca e kontributit të shëndetësisë për qytetarët dhe shoqërinë, anon dukshëm nga e mira, e dobishmja dhe pozitivja.
Në kodin e saj etik tradicional, mjekësia, me përulësi dhe dashamirësi ka venë parimin "I sëmuri ka gjithmonëë të drejtë" dhe parimin egalitarist,"Të sëmurët janë të gjithë njësoj të mirë", "Nuk ka të sëmurë të keq". Reformat e sotme të sistemit shëndetësor, synojnë po kështu, vendosjen e "pacientit në qendër të tij, dhe të interesave të pacientit mbi çdo interes tjetër".
Ky humanizëm i admirueshëm i shëndetësisë, meriton të shpërblehet e vlerësohet me të njëjtën bujari dhe dashamirësi edhe nga shoqëria.
Është koha që ajo të reformojë dhe modernizojë edhe infrastrukturën relacionale të saj dhe të pacientëve me bluzat e bardha. Është koha që të dy palët, të udhëhequr jo nga emocionet, por nga interesat, të bashkëpunojnë në projektimin dhe ndërtimin e urave të reja të mirëkuptimit e dashamirësisë mes njëri-tjetrit.
Në këtë kontekst, te çështja e sigurisë të personelit shëndetësor duhet parë edhe në një vizion shumë më të gjerë e më të rëndësishëm se sa mbrojtja e tyre nga dhuna fizike, e aq më pak nga pacientët.
Si drejtues i Qendrës Kombëtare të cilësisë e sigurisë të institucioneve shëndetësore, dua të sjell në vëmendje të publikut një aspekt, çuditërisht të harruar e të anashkaluar të rreziqeve, ndaj të cilave, me shpesh se sadhuna kriminale, janë të ekspozuar dhe jo mirë të mbrojtur, si të sëmurët dhe punonjësit e shëndetësisë. Këto janë rreziqet e ambientit të punës, të infeksioneve, te rrezatimit, të gjakut e produkteve të tij, të medikamenteve, të lëndëve kimike e gazrave toksikë, si dhe të stresit psikologjik, prej mbingarkesës e pakënaqësive për mangësitë në mjete e shpërblimin në punë, me të cilat ata ndeshen çdo ditë në veprimtarinë e tyre profesionale.
Spitalet sidomos, janë fole e përqendrimit dhe multiplifikimit të rreziqeve shumëllojesh, me efekte dëmtuese, të njohura tashmë, si për të sëmurët, edhe personelin shëndetësor. Ato kane secili ndikim të dëmshëm mbi shëndetin, jetën dhe jetëgjatësinë e tyre.
Identifikimi, informimi publik me trasparencë për këto rreziqe dhe sidomos krijimi i mekanizmave të sigurisë me synim evitimin, minimizimin dhe menaxhimin efaktorëve rrezikues e dëmtues, është sot në Evropë dhe në botë, një nga prioritetet urgjente të sistemeve shëndetësore bashkëkohore.
Heshtja dhe fshehja e tyre prej te semureve, personelit dhe publikut, duhet te marre fund. Aksidentet dhe fatkeqesite e izoluara e individuale, mund te jene te paparashikueshme. Por, siguria jo. Siguria duhet te krijohet. Institucionet dhe qendrat shendetesore per kete, nuk kane asgje per te shpikur. Duhet vetem te hartojne strategjite dhe planet konkrete.