Fajtorë për situatën, kryeministri dhe mediat
Prof. Dr. Pjerin Radovani
Shef i shërbimit të ORL-së në QSUT
Është absurde situata e krijuar mes mjekëve dhe pacientëve. Dhuna ndaj bluzave të bardha nuk po krijohet nga tipa si personat që kanë goditur doktorët Agron Ylli apo Ali Refatllari dhe të tjerë.
Kjo situatë skandaloze i ka rrënjët diku tjetër. Po e them me bindje se, në radhë të parë, bluzat e bardha po i dhunon dhe masakron vetë qeveria, që nuk mendon aspak për këtë sektor problematik. Shëndetësia ka buxhetin më të vogël dhe problemet më të mëdha. Përballemi me mangësi të theksuara në spitale. Mungojnë edhe gjërat më elementare dhe pacientët revoltohen ndaj mjekëve, sikur të ishim ne fajtorë të kësaj situate.
Shkak tjetër i acarimit të pacientëve ndaj bluzave të bardha është edhe vetë Kryeministri i vendit. E ka lënë bluzën e tij të bardhë prej 15 vitesh dhe del e thotë për ish-kolegët e tij se jemi të korruptuar dhe po nxijmë bluzat e bardha. Ai vetë i di mirë problemet e Shëndetësisë dhe, megjithatë e lë në këtë gjendje skandaloze. Kryeministri del në spote publicitare, duke akuzuar mjekët si të korruptuar dhe nuk merr përgjegjësitë e tij për të nxjerrë Shëndetësinë nga kolapsi ku është futur.
Fajtorë jeni edhe ju mediat. Pasqyroni të gjitha akuzat e padrejta ndaj mjekëve, duke na paraqitur në sytë e opinionit si të korruptuar apo si kriminelë. Çfarë duhet të mendojë pacienti, ku nga mëngjesi deri në darkë dëgjon nga kreu i qeverisë apo nga ju mediat, se bluzat e bardha janë të korruptuar dhe kriminelë? Padyshim që këto lobingje do të nxisin urrejtjen ndaj bluzave të bardha, duke krijuar këtë situatë aspak normale.