E Shtunë, 31 Tetor 2026

Një lajmi i pavërtetë

PAS NGJARJES NË ATHINË
 
Këto ditë, fatkeqësisht, thuajse në të gjitha mediat shqiptare, si ato vizive por edhe të shkruar, është transmetuar me të madhe një lajm i pavërtetë, ai i "vrasjes së një shqiptari në qendër të Athinës". Tituj "bombastikë", që në një farë mënyre të sugjestionojnë për vetë ato që thuhen në të, janë botuar duke mos pasur asnjë shenjë të vërtete. "Policia greke vret emigrantin shqiptar në mes të Athinës" është titulli i shkrimit të një gazete. Një gazetë tjetër shkruan "Vritet në grabitje emigrantë shqiptarë". Thuajse në të gjitha kanalet televizivë janë dhënë pamje nga vendi i vrasjes dhe është komentuar ngjarja e "vrasjes" së emigrantit shqiptar.
Nuk ka se si të mos indinjohesh, kur njihesh me këto fakte të pavërteta. Ai që është emigrant, sado larg që të jetë, kur flitet se një shqiptar është vrarë duke vjedhur, e ndjen veten keq dhe me vete thotë: Na turpëruan! Në fakt, ka pasur raste të tilla dhe secili prej nesh e ka ndjerë veten të fyer. Kështu ka ndodhur për një çast edhe për ngjarjen e ndodhur në lagjen Sepolia të Athinës. Them për një çast, sepse më vonë gjithçka është sqaruar. I vrari ka rezultuar se nuk është shqiptar por një homogjen grek nga Gjeorgjia, i cili së bashku me një tjetër kanë tentuar të vjedhin në Sepolia një zyrë postare, ku po ndaheshin rrogat e pensionistëve.
Vite më parë kanë qenë mediat greke, ku për çdo vjedhje, vrasje a diçka tjetër identifikonin vetëm shqiptarët, duke rrënjosur tek vendasit një opinion që nuk përputhej kurrsesi me realitetin. Them kështu sepse më vonë, këto vrasës, vjedhës apo të ndonjë natyre tjetër rezultonin se nuk ishin shqiptarë, por vendas apo shtetas të tjerë. Kjo ka bërë që për shumë vite dhe tek shumë grekë, të rrënjosej një lloj opinioni i keq për shqiptarët, aq sa edhe të kishin frikë prej tyre. Ky pra është roli i medias së keqe, aspak profesional dhe tepër i dëmshëm. Po ndërsa mediat vendase e kanë bërë këtë, ndoshta edhe me ndonjë qëllim të caktuar, si mund ta justifikosh, qëndrimin e mediave shqiptare. Në rastin konkret ata shkruajnë me përgjegjësi se vjedhësi jo vetëm është shqiptar, (!!!) por sipas tyre, ai paska kryer edhe shumë vjedhje të tjera (!)
Nuk duam të bëjmë teori gazetarie se si bëhet një lajm, si merret një lajm, kushti bazë i të cilit është verifikimi i tij. Gazetaria është një shkencë si gjithë shkencat e veta, që bazohet në ligjet e veta, cenimi i tyre çon në gabime të ndryshme, që vështirë se mund të korrigjohen. Mungesa e profesionalizmit çon në krijimin e imazheve të rreme, në krijimin e opinioneve të gabuara, që (si në rastin konkret) janë me pasoja jo vetëm për individin, por edhe për një komunitet në përgjithësi.
Thyerja e një koncepti të gabuar, të krijuar për vite të tëra nga ato media, që para profesionalizmit të tyre kanë vënë krijimin e një opinioni qëllimkeq, nuk ka qenë e lehtë. Por tashmë shqiptarët janë integruar në shoqërinë greke falë kulturës së tyre, falë punës, profesionalizmit dhe falë ndjenjës së dashurisë për njëri-tjetrin. Rastet e përkundërta me shembujt "sensacionalë" nuk mungojnë: (disa muaj më parë, kur në një zonë të Greqisë ra një zjarr i madh, një emigrant shqiptar me emrin Spartak Qosja u bë i njohur sepse vuri në rrezik jetën e tij, për të shpëtuar jetën e një qytetari grek). Ndaj, kujdes!
*Autori është korrespodent i gazetës "Sporti Shqiptar" në Athinë

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›