E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Si mund t’ju ndihmojmë?”



Albana LIFSCHIN

Muajt e parë, ata që shënojnë fillimin e emigrimit në Amerikë, është e pamundur të harrohen. Banonim në podrumin e një shtëpie private dykatëshe. Pronarja e shtëpisë ishte polake me origjinë. As ajo vetë nuk e dinte mirë anglishten, megjithëse kishte tridhjetë vjet në Amerikë e më tregonte mua se si funksiononte hekuri me korent, a thua se kisha ardhur nga stepat ruse të shekullit të 18-të.
Paguam qeranë e parë dhe dolëm të kërkonim punë. Derë më derë. Pa asnjë teprim, derë më derë. Në çdo lokal, në çdo shtëpi, çfarë të na dilte përpara. Nuk di ku e gjeja atë guxim. Ndoshta tek të ardhurat që po na mbaronin. Dhe ende ishim pa punë. Vetëm fjalën “xhob” dinim dhe “xhob” po kërkonim. Çfarëdo lloj që të ishte. Pastaj na thanë që të mbanim këmbët vetëm aty, ku ka tabela që thoshin “Help Wanted”, që përkthehej “kërkohet ndihmë”. Me një fjalë, ishte mundësia që mund të na jepnin punë. Këmbanat e alarmit po binin në shtëpinë tonë dhe, po të mos gjenim punë edhe atë muaj, do të mblidhnin plaçkat e do të ktheheshim në Tiranë

* * *
Duke i rënë vërdallë lagjes, më tërhoqën vëmendjen ca dyqane me një emër, përmbi strehën e tyre, krejt të ngjashëm me mbiemrin tonë. Njëlloj si mbiemri ynë, vetëm me një “l” më pak. Që atë ditë, mësova se ai qe emër shumë i përhapur jahudish. Shumë dyqane e mbanin.
- Ore, - i thashë tim shoqi, - mos je gjë çifut ti?
- Bo, bobo! Sa të pjell mendja, moj grua!
- Ore më pjell, s’më pjell mendja mua, më duket se ne na ka ardhur fati në derë. E ç’të keqe ka se i themi vetes jahudi? E di që njëra më pyeti sot: Are you xhuish? Më ka mbetur mendja te kjo pyetje. Nëse na pyesin a jemi jahudi, pse të mos themi “jemi”. Njeriu njeriun e vet e ndihmon.
Burri im bëri një të vërshëllyer, si për të thënë: Hajde, mendje, hajde!
Mirëpo, duke nisur nga ajo ditë, s’e mora më me vete, që të mos më prishte punë. Kështu, atë e lashë të kërkonte punë në tjetër mënyrë, çka do të thoshte të rrinte në telefon nga mëngjesi në darkë, duke bërë muhabete të kota me patriotët e mëhallës e duke ”me raportuar“ se i kishin premtuar se do ta ndihmonin.
Një ditë u ndala para një agjensie punësimi. Hyra brenda. Një grua ngriti kokën nga tavolina dhe më bëri atë pyetjen, me të cilin më ishte mësuar veshi, pak a shumë:
- Me se mund tu ndihmoj?
- Po kërkoj punë, - thashë.
- A ke dokumenta?
Unë zgjata pasaportën time shqiptare.
Ajo më hodhi një vështrim pyetës, si të më thoshte “ǒështë kjo?”. Natyrisht, tani e dija se priste t’i zgjasja autorizimin për punë, që lëshon emigracioni, por unë atë kohë s’kisha nga këto. Ndaj mendova, së paku, t’i tregoj një dokument idendifikimi, edhe pse nuk ishte amerikan. Ajo vështroi fotografinë, më hodhi mua një sy, pastaj vuri gishtin te mbiemri im.
- Xhuish? - tha dhe, papritur përgjigjen time, vuri buzën në gaz
Mbiemri im, si një çelës magjik, më hapi shumë dyer. Zonja Xhudith bëri një telefon e pastaj më dha një adresë në dorë.

* * *
Ajo adresë më solli te dera e nje nënë me gjashtë fëmijë, një grua që kishte thyer këmbën. Më erdhi shumë keq për të. I ndihmoja në çdo gjë. Ajo zëre se u dorëzua tek unë. Unë i bëja punët e shtëpise, gatuaja, pastroja, madje ndihmoja edhe të vegjëlit për të bërë detyrat. Gruas u dha kaq shumë pas meje, sa herën e fundit që u nis në spital për të bërë grafinë e këmbës, tha: Inshalla s’më është ngjitur ende!
Ajo qe prova e parë dhe më e madhe që kalova.
Puna e dytë, që më dha agjensia, ishte një grua tjetër me tre fëmijë. Tragjedia e kësaj gruaje ishte se kishte parë me sytë e vet t’ia shtypte makina një nga fëmijët. Gruaja ishte në një gjendje psikologjike të pashërueshme Vetëm qante e s’ishte në gjëndje të bënte asgjë, ndërkohë që kishte edhe tre fëmijë të tjerë që prisnin nga ajo.
Nuk dija si ta ngushëlloja. Ulesha pranë saj e, teksa e shihja duke qarë, edhe mua më shkonin lotët çurk. Pastaj, më vonë, fillova t’i them që fëmija i saj kishte qënë engjëll dhe Zoti e kishte kërkuar pranë tij. Gjeta një poezi anglisht. Edhe tani e mbaj mend titullin, “Dhuratë e Zotit”. Poezia i drejtohej nënës që humbte fëmijën.
Nuk dija të lexoja në anglisht, por e dija përkthimin shqip dhe mendova se kjo poezi do të ishte ngushëllim për të. Një ditë tjetër, teksa qante, ia vura në prehër. Gruaja e mori dhe e lexoi përmes syve të përlotur…
Pas dy javëve, më mbaroi afati i punësimit në atë shtëpi.

* * *
Këtë radhë agjensia më dërgoi te një familje e pasur dhe, një vit më vonë, kjo familje me influencë më rekomandoi në një kopësht fëmijësh për të punuar si edukatore, pikërisht siç kisha ëndëruar. Nisa punë menjëherë.
Pas fillimit të punës, dokumentat m’u bënë menjëherë. Rethi ku punoja mendonin se unë isha xhuishe pa as më të voglin dyshim, vetëm nga mbiemri që kisha në numrin e punës. Megjithatë, një ditë pothuaj më ndodhi një incident. Ishin festat e fundit të vitit e në kopësht kisha marrë një kamera dixhitale për të fiksuar harenë me fëmijët. Për fat të keq, para se të largohesha atë mbrëmje për në shtëpi, e harrova aparatin në kopësht. Të nesërmen në mëngjes, kur drejtoresha e kopështit më zgjati aparatin fotografik, mua m’u drodh zemra.
M’u kujtua se në atë kamera kisha foto të pemës së Krishtlindjeve në shtëpinë time. Unë vetë kisha dalë me tim shoq dhe fëmijët ulur në kolltuk pranë pemës. Ne e thërrisnim ende “pema e vitit të ri”, ashtu siç jemi rritur. Por hajde t’ja shpjegoje drejtoreshës këtë e t’i mbushje mendjen që ajo nuk qe pemë krishtlindjesh. Mirëpo drejtoresha çuditërisht nuk më tha asnjë fjalë. Ndoshta ka menduar se unë kam dalë në fotografi në shtëpinë e dikuj tjetër, nuk e di. Apo ndoshta s’e kishte parë fare se ç’kishte aparati. Më mbeti enigmë heshtja e saj. Në kopsht asnjë edukatore nuk kishte fè tjetër. Të gjitha ishin xhuish dhe s’merrnin në punë katolike apo muslimane. Në një nga ato ditë, për pak ndodhi edhe incidenti i dytë.
Tek po shëtisja fëmijët e kopshtit në parkun aty pranë, një prej fëmijëve kërkoi të bënte pipin. Më afër qe shtëpia ime sesa kopshti. Im shoq atë ditë ndodhej në shtëpi. E mora në telefon nga celulari: “Po vij lart, por nxito hidhi një çarçaf pemës së vitit të ri që të mos e shohin fëmijët.”

* * *
Pas dy vjetësh pozita ime në kopsht ishte forcuar aq shumë, sa të gjithë më shihnin si një jahudite të devotshme dhe madje të pazëvëndësushme. Me besimin që kisha fituar, ndihmova me rekomandimet e mia edhe disa shoqe, duke u gjetur punë. Por një ditë, si rrufeja në të kthjellët, drejtoresha më thërret në zyrë e më thotë :
- Jam shumë e shqetësuar. Dikush ka thënë se ti nuk je xhuishe…
Ajo qe skuqur në fytyrë. Unë u trondita. Thashë me bindje se ky ishte fundi. Nuk duhej të kisha heshtur, kur më kishin pyetur për herë herë të parë nëse isha apo jo xhuishe.
- Do të shkojmë bashkë tek ajo, - tha, - e do ta ballafaqojmë, që kjo shpifje të marrë fund një herë e përgjithmonë.
Nuk di ç’më mbajti, përsëri nuk hapa gojën për të thënë të vërtetën. Ndoshta sepse më erdhi keq për veten. Sinqerisht. Në fund të fundit, ç’rëndësi kishte se çfarë isha, kur e kisha dashur atë punë aq tepër, sa kisha harruar edhe veten pas saj?!
Doli që mësueses në shkollën pranë nesh i kishte thënë prindi i një fëmije se unë nuk isha “xhuishe”.
Ajo u zbyth e pafuqishme para akuzës që kishte përcjellë një thashethem të tillë, aq më tepër kundër njërës prej edukatoreve më të mira që kishte kopështi xhuish.
- Si mund të merreni me thashetheme të tilla?! Kisha tjetër mendim për ju! - tha drejtoresha ime me një indinjatë fare të hapur.
Mësuesja kërkoi të falur… Rrugës për në shtëpi, gati besova se unë vërtet duhet të isha xhuishe, përderisa Zoti më donte aq shumë.

7 Shtator 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›