Inspektimi, nis procesi i vetëvlerësimit të shkollave
Çdo shkollë e arsimit parauniversitar do të ketë një raport vetëvlerësues. Në kuadrin e detyrimeve që burojnë nga Programi “Cilësi dhe barazi për të gjithë”, strukturat vlerësuese do të mbështesin procesin e vetëvlerësimit të shkollave. Nisur nga fakti që përmirësimi real i cilësisë varet nga ajo që ndodh në klasë, do të rritet pesha specifike e inspektimeve që fokusohen në vlerësimin e orëve mësimore. Duke qenë se shkollat janë pika shërbimi të tilla, ku të gjitha inputet e sistemit bashkohen për të bashkëvepruar dhe përcaktuar cilësinë e procesit të mësimdhënies/të nxënit, do t’i kushtohet vëmendje e posaçme funksionimit administrativ dhe pedagogjik të shkollave. E gjithë kjo veprimtari do të shoqërohet edhe me mbështetjen e proceseve vetëvlerësuese në nivel shkolle. Krahas hartimit të udhëzuesit praktik për vetëvlerësimin e shkollës dhe veprimtarive të përbashkëta trajnuese, inspektimet do të luajnë edhe rolin e akredituesit të vlerësimit të brendshëm të shkollave, me synim rritjen e numrit të shkollave të përfshira në procesin e vetëvlerësimit. Në rolin e tij si vlerësues i cilësisë që ofrohet nga institucionet tona arsimore, inspektimi do të harmonizojë dy aspektet e përgjegjësisë së tij: horizontalisht, do të identifikojë, mbështetë dhe përhapë përvojat e përparuara midis mësuesve, shkollave ose grupshkollave të inspektuara; vertikalisht, duke qëndruar midis shkollave dhe MASH-it, do të raportojë për ecurinë e reformës arsimore si dhe arritjet dhe problemet që duhen zgjidhur. I gjithë procesi inspektues do të jetë transparent. Gjetjet e inspektimit do të jenë të njohura për mësuesit e inspektuar, shkollat, komunitetin dhe DAR/ZA që mbulojnë këto shkolla. Po kështu, raportet e inspektimit do të publikohen në gazetën “Mësuesi” dhe në faqen e internetit të MASH.
7 Shtator 2009