E Diel, 1 Nëntor 2026

Tragjedi në Ohër, 22 persona mbyten në liqen me anije



Blerina Olldashi
22 persona kanë gjetur vdekjen në Liqenin e Ohrit në Maqedoni, shumica e të cilëve turistë bullgarë, si pasojë e fundosjes së anijes në të cilën ata po udhëtonin. Anija “Ilinden” u fundos 200 metra larg bregut të liqenit, në pjesën maqedonase, ndërsa raportohet se në momentin e fundosjes në të kanë qenë mbi 50 turistë bullgarë. Të mbyturit kishin në plan të shkonin për vizitë në Shën Naum, në afërsi të vijës kufitare me Shqipërinë. Kapiteni i anijes, i cili ka marrë plagë të lehta, është marrë në pyetje në policinë e Ohrit. Njoftimet nga vendngjarja konfirmuan se ka pasur një shpërthim të madh dhe anija u mbyt me shpejtësi. Dëshmitarët treguan për një pamje rrënqethëse, duke thënë se anija ishte ndarë menjëherë më dysh, ndërsa të tjerë kanë parë trupat e pajetë të viktimave në liqen. Ministri i Transportit dhe Lidhjeve, Mile Janakievski dha dorëheqjen nga detyra, si akt moral pas tragjedisë së anijes në ujërat e Liqenit të Ohrit. “Kjo është tragjedia më e madhe që ka ndodhur ndonjëherë në ujrat e Maqedonisë”- ka thënë i dëshpëruar ministri Janakievski. Dita e sotme është shpallur ditë zie në Maqedoni dhe Bullgari. Kryeministri bullgar Bojko Borisov zhvilloi një bisedë telefonike me homologun e tij maqedonas, Nikolla Gruevski ku u informua për ngjarjen, ndërkohë që nisi drejt Maqedonisë dy aeroplanë drejt aeroportit të Ohrit për të bërë të mundur transportimin e turistëve bullgarë të mbijetuar. Në vendngjarje shkuan presidenti Gjorge Ivanov, kryeministri Nikolla Gruevski, ministri i Shëndetësisë, Bujar Osmani, ministrja e Punëve të Brendshme, Gordana Jankullovska dhe ministri i Transportit dhe Lidhjeve Mile Janakieski. Në Ohër shkuan edhe përfaqësues të Ambasadës së Bullgarisë në Shkup, ndërsa siç njoftoi agjencia BTA, për në Ohër urgjentisht me aeroplan shkoi edhe kryeministri i Bullgarisë, Bojko Borisov, së bashku me një ekip mjekësor. Agjencia bullgare thanë se anija “Ilinden” kishte kapacitet transporti për 45 persona, ndërkohë që në anije sipas kësaj agjencie, ishin 73 persona. Ekipet e polumbarëve kanë vazhduar operacionin e shpëtimit dhe të nxjerrjes së viktimave, ndërkaq Qeveria e Maqedonisë dhe presidenti Gjorgje Ivanov kanë shprehur keqardhje për këtë tragjedi të rëndë. Për këtë ngjarje janë angazhuar ekipe të policisë së liqenit me barka, ekipe të zhytësve specialë dhe të gjitha automjetet e ambulancave, që disponon shërbimi për ndihmë urgjente në Ohër. Mësohet se të parët në ndihmë të udhëtarëve në anijen e fundosur kanë ardhur persona me barkë nga një kamp pranë vendit ku ndodhi aksidenti. Ata arritën të shpëtonin një pjesë të përsonave që po udhëtonin në anije.

7 Shtator 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›