Zanieri: “Situata në veri të Kosovës, serioze”
Shefi i misionit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë, Lamberto Zanier, ka thënë se UNMIK-u e ka mbështetjen e të gjitha shteteve anëtare të Këshillit të Sigurimit të OKB-së. Në këtë aspekt, ai ka thënë se UNMIK-u vetë nuk do të largohet nga Kosova, edhe pse këtë e kërkojnë autoritetet në Prishtinë. “Më shqetëson situata në veri të Kosovës”,- ka thënë Zanier në një intervistë për gazetën “Danas”, duke shtuar se, “kthimi i të zhvendosurve, në të cilin po punojnë shqiptarët, nuk guxon ta rrezikojë stabilitetin, ndërsa serbët kanë të drejtë të kthehen në pjesën jugore të Mitrovicës”. Ai theksoi se për serbët e Kosovës “do të ishte mirë që të dalin në zgjedhjet lokale në nëntor”. Përsa i përket procesit të transformimit të UNMIK-ut, Zanier tha se “rikonfigurimi e ka pasur kulmin e tij në nëntor të vitit të kaluar, kur autorizimet dhe aktivitetet në fushën e sundimit të ligjit i janë kaluar EULEX-it”. Rrjedhimisht, ai theksoi se “nuk pret që të ketë ndryshime të reja në numra” në buxhet e në njerëz, në misionin UNMIK.
Kosova pret ambasadë, Maqedonia investitorë serbë
Autoritetet e Shkupit edhe për gjysmë viti nuk mendojnë të vendosin marrëdhënie diplomatike me Kosovën, sepse presin që disa kompani të njohura serbe së shpejti të investojnë në Maqedoni. Lajmin e bën të ditur gazeta “Vreme”, duke cituar burime të besueshme brenda disa qarqeve në Shkup dhe Beograd. Sipas gazetës, kjo mundësi është paralajmëruar pas vizitës së fundit të kryeministrit Gruevski në Beograd në të cilën kanë marrë pjesë dhjetëra biznesmenë maqedonas. “Në këtë takim është thënë se kompanitë serbe janë të gatshme të hyjnë në tregun maqedonas, nëse Maqedonia nuk vendos marrëdhënie diplomatike me Kosovën”, shkruan gazeta. Analisti, Albert Musliu thekson se Qeveria e Maqedonisë në periudhën e fundit në mënyrë aktive është duke punuar në përmirësimin e marrëdhënieve me Beogradin edhe në planin ekonomik, në llogari të marrëdhënieve me Kosovën. Autoritetet zyrtare pranë presidentit të Kosovës, Fatmir Sejdiu kanë theksuar se presin vendosjen e marrëdhënieve diplomatike me Shkupin dhe hapjen e ambasadës së Maqedonisë në Prishtinë, e cila aktualisht vepron si zyrë për ndërlidhje.
7 Shtator 2009