E Shtunë, 31 Tetor 2026

Asnjë koalicion nuk formon qeverinë e ardhshme

Rezultati i zgjedhjeve të përgjithshme të 2009-ës nuk mund të krijojë maxhoranca qeverisëse. 

Aristir Lumezi

Rezultatet e zgjedhjeve të 3 korrikut, ballafaquar me proporcionalin rajonal të sapo miratuar, nuk krijojnë një maxhorancë absolute. 67 deputetë për koalicionin e djathtë, 61 deputetë për koalicionin PS-PSD, 10 deputetë për koalicionin “E majta për integrim” dhe 2 deputetë të minoriteteve nuk garantojnë asnjë qeveri. Përplasjet e deritanishme brenda të majtës favorizojnë të djathtën, e cila nga ana e saj duket e rreshtuar dhe më solide në votën e saj. Ndryshimet e fundit kushtetuese i dhanë mundësi Kryeministrit Berisha t’i grumbullojë sërish të vetët, duke i premtuar kryetarëve dhe përfaqësuesve të lartë të partive të tyre vende të sigurta në listat emërore të Partisë Demokratike. Kjo e konsolidon të djathtën të marrë maksimumin e votave brenda një liste. Nga ana tjetër, sistemi proporcional rajonal dhe metoda D’Hondt e përllogaritjes së përqindjeve i japin mundësi të djathtës t’i kthejë në mandate deputetësh edhe votat e pamjaftueshme për mandate që merrte më parë në bastione të majta, siç ishin Fieri, Vlora, Elbasani apo Durrësi.
E majta
Ndryshe paraqitet situata në kampin e majtë. PS-ja duket e vetmuar ditët e fundit pas vendimit të Këshillit Drejtues të socialdemokratëve, i cili vendosi daljen të vetëm në zgjedhjet e ardhshme me listën e saj të kandidatëve. Socialdemokratët u ndjenë të pa vlerësuar, ndoshta dhe të përdorur nga socialistët, edhe pse kishin paraqitur një platformë bashkëpunimi brenda një federate apo ndërtimit të koalicioneve efikase për të fituar zgjedhjet e përgjithshme të 2009-ës. Duke kandiduar me listën e saj, votat e PSD-së do të numërohen më vete, duke ulur numrin e votave që PS-ja do të kishte në total bashkë me të si federatë. Nga ana tjetër, koalicioni i sapo krijuar, madje i regjistruar në gjykatë, “E majta për integrim” në përbërje të të cilit janë LSI-PAD-PDS si dhe Lëvizja për Politikë Institucionale, pritet të jetë kyçi për të hapur portën e qeverisë së re. Me 10 deputetë, që sipas shifrave të 2005-ës pritet të marrë, “E majta për integrim” do të jetë grupimi, i cili do të vendosë të ardhmen e maxhorancës qeverisëse. Ndryshimet e fundit kushtetuese mes PS-së dhe PD-së ishin akti i fundit i divorcit i LSI-së nga lidershipi i PS-së, qëllimi i të cilëve ishte konsolidimi i sistemit dypartiak në vend. Këmbëngulja e socialistëve për sistemin proporcional rajonal, i cili eliminon partitë e vogla, ishte momenti që ndau LSI-në nga PS-ja. Shifrat tregojnë se PS-ja nuk mund të qeverisë e vetme, pa deputetët e koalicionit “E majta për integrim”, pasi vetëm me të mund të bëjë 71 deputetë të mjaftueshëm për të miratuar kabinetin qeveritar. Por edhe pse socialistët janë shprehur për koalicione paszgjedhore të partive, mbi bazën e rezultateve që ato do të arrijnë, duket se siguria e kapjes së shumicës absolute do të kërkojë bashkimin e të majtës në një koalicion parazgjedhor. Kjo duket se është rruga pa kthim në përpjekje për t’u rikthyer sërish në pushtet e majta. Por menaxhimi i mjeteve dhe modaliteteve për të arritur këtë qëllim mbetet në duart e drejtuesve të forcave politike.   

Koalicionet

Partia Demokratike duket më e konsoliduar në koalicionin e saj të djathtë. Aleatët e saj, pas miratimit të ndryshimeve kushtetuese janë më të konsoliduar, pasi kanë marrë premtimin nga Kryeministri Berisha për të gjetur hapësira në një listë të përbashkët.

Partia Socialiste ndodhet më e vetmuar se kurrë në këto momente. Koalicioni opozitar i konsoliduar para dhe gjatë zgjedhjeve vendore të 2007-ës, nuk ekziston më. Edhe aleati i sigurt i saj, PSD, është shkëputur dhe ka shpallur kandidim më vete.

LSI ka krijuar tashmë me parti të tjera dhe lëvizje politike koalicionin “E majta për integrim”. Përmes këtij koalicioni dhe aksionit politik për mbrojtjen e kushtetutës përmes referendumit, LSI po mobilizon gjithnjë e më shumë qytetarë.

PDS-PAD janë dy aleatët e LSI në koalicionin për integrim, të cilët janë shprehur se do të jenë bashkë në zgjedhjet e ardhshme duke krijuar kështu edhe polin e tretë në politikën shqiptare.

PSD pas vendimit të Këshillit Drejtues Kombëtar për të dalë më vete në zgjedhje, e ardhmja e kësaj partie, e qendrës së majtë, nuk përjashtohet të jetë edhe brenda grupimeve të tjera elektorale. Por PSD sot shprehet se do të ketë listën me kandidatët e saj në 2009.    

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›