E Diel, 1 Nëntor 2026

FOTO LAJM: Ja si i zbardh policia e Tiranës krimet

Periudha pas vrasjes së një gruaje gjatë një tentative grabitje ka qenë mjaft e ngarkuar për policinë. Një person u arrestua, edhe pse fillimisht pati dyshime nëse është ai autori i krimit.

Natyrisht kjo nuk i ndaloi grabitjet me dhunë.

Më 28 gusht u grabit edhe një grua tjetër, Lumturi Topalli. Policia deklaroi se menjëherë pas ngjarjes ka arrestuar autorin, Durim Onuzi. Por ky i fundit deklaron se as është autori i krimit, por mbi të gjitha është dhunuar barbarisht nga policia. Fillimisht më veshën një jelek antiplumb dhe në kokë më vunë një kokore. Pastaj filluan të më godasin në kokore dhe në jelek me shkopinj gome, me qëllim që mos të më linin plagë. Më pas, mes të bërtiturave, duke u lutur që mos të më godasin, pasi kishin ngatërruar njeri, pasi unë nuk isha grabitësi, ata më kanë qëlluar me shkop gome në organet gjenitale. Më kanë gjuajtur disa herë. Në një moment tjetër më kanë goditur në kofshë. Më thoshin të qëndroja në këmbë e më pas më godisnin me forcë derisa të rrëzohesha. Më pas më kërkonin të çohesha sërish, thotë Onuzi në një intervistë për Shqip, ku ka treguar edhe plagët.

Avokati im ka kërkuar ekspertizën që në momentin e parë që më ka takuar, por nuk më kanë bërë asnjë kontroll të tillë, me qëllim që plagët e mia të zhduken dhe të mos vërtetohen torturat që më kanë bërë, pavarësisht se nuk kam vjedhur asgjë. Megjithatë, kur Avokati i Popullit ka ardhur të më takojë, ashtu siç mund ta shikoni edhe ju, shenjat e dhunës nuk ishin zhdukur ende, shton Onuzi, që thotë se është marrë barbarisht përpara gruas e fëmijëve.

Sipas policisë, nëna e Onuzit ka deklaruar se i biri ka një palë shapka si ato të gjetura në vendin e krimit. Drejtoria e policisë në Tiranë thotë se ka vepruar konform ligjit. Kurse avokati i Onuzit thotë se nuk ka prova për këtë ngjarje. Ai shton se ka bërë kallëzim penal për dhunën ndaj klientit të tij. Prokuroria e Tiranës ka nisur hetimet.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›