Si po martohen shqiptaret me serbë?
As në ëndrrat e saj më të çmendura Edmonda nuk e kishte imagjinuar se do të martohej me një çun si Zorani, se do ta lindte një fëmijë me të dhe se do të jetonte në vendin e tij.
Ajo është shqiptare myslimane, e ai serb ortodoks – dhe popujt e tyre kanë qenë të përfshirë në një urrejtje etnike dhe fetare për shkak të luftës së përgjakshme të Kosovës për pavarësi.
Por Edmonda Kardaku u martua me Zoran Tomiqin, duke iu bashkuar qindra bashkatdhetarëve, pjesa më e madhe myslimane ose katolike, që kanë thyer tabutë e thella duke martuar burra nga fshatra të thella serbe, pasi femrat kanë ikur në qytetet më të mëdha. Kjo ka shkaktuar një rënie të madhe të popullsisë.
Serbia dhe Shqipëria nuk kanë qenë fqinje të mira për gjenerata me radhë. Mirëpo kur nisi lufta e përgjakshme për pavarësinë e Kosovës nga Serbia, fqinjët arritën ta përshkallëzonin edhe më shumë urrejtjen vrastare.
Urrejtja vetëm sa është rritur në vitin 2008, kur Kosova e mbështetur nga Perëndimi shpalli pavarësinë prej Serbisë.
Por të dyja palët duket se kanë tejkaluar disa dallime dhe kanë hapur një shteg drejt përafrimit. Për të qenë të sinqertë, ende ka dallime ndërmjet palëve për shkak të paragjykimeve. Kjo ishte parë edhe në qasjen e nënës së Zoranit, e cila Shqipërisë i referohet si “Myslimania”. Radojka Tomiq ka thënë se Edmonda “është e mirë, por ajo vjen nga ‘Myslimania’”.
Zorani 37-vjeçar ka thënë se përfaqëson një gjeneratë të re që dëshiron ta heqë qafe këtë bela.
“Mua nuk më bën gjë ajo çfarë njerëzit mendojnë për gruan time, ata po jetojnë në një kohë tjetër”, ka thënë ai, dhe se nuk e ka ndërmend ta detyrojë gruan e tij të heqë dorë nga religjioni i saj.
E sa i përket Edmondas, 36-vjeçare, dallimet etnike dhe martesa e saj për një shumë të vogël parash nuk çojnë shumë peshë: Edmonda thotë se ajo dhe burri i saj e duan njëri-tjetrin.
“Kur isha e re, gjyshërit e mi më tregonin për këtë përplasje dhe kështu vepruan edhe prindërit e mi”, ka theksuar ajo, derisa qëndron ulur në një qoshe të ballkonit të një shtëpie të vjetër me tulla në një fshat të thellë malor serb, ku mund të arrihet vetëm me traktor.
“Por kur e pashë Zoranin, askush s’mund të më ndalte”, ka treguar nusja që është në muajin e katërt të shtatzënisë, derisa drejtohet nga burri i saj, i cili ishte ulur afër në një shkëmb druri. “Ishte dashuri në shikim të parë”.
Zorani ka thënë se ishte munduar ta gjente një nuse në fshatrat serbe, por nuk i dilte kësmet. Ai e kishte nafakën në fshatrat e thella malore të Shqipërisë, ku kishte shkuar disa herë me ndërmjetësim të mesitit.
“Shumë prej tyre nuk më pëlqyen, derisa e takova Edmondën”, ka rrëfyer Zorani.
Ai ka treguar se si një ditë të plotë kishte zhvilluar bisedime me familjen e vajzës. E pranon se ndikim ka pasur edhe shuma e parave për ta bindur babanë e nuses.
“E kam shitur demin tim më të mirë për ta veshur nusen në flori”, ka thënë Zorani. “Kjo është një traditë shqiptare e dasmave që quhet pajë. Ia kam blerë unazën e arit, një qafore, një byzylyk dhe shumëçka tjetër. Në fund ata ma dhanë dorën e nuses”.
Rrëfimi i tyre i dashurisë ndryshon shumë nga ai i një çifti tjetër të fshatit, ku burri serb është shumë më i vjetër se nusja shqiptare.
Zorani ka thënë se burri serb nuk e lejon nusen të komunikojë me fshatarët e tjerë të fshatit. Madje nuk e lejon të flasë as me Edmondën.
“Ai është plak, kështu që ai ka frikë se do ta humbasë atë”, thotë Tomiq.
Vala e martesave serbo-shqiptare filloi në 2008, kur një grup i njerëzve të moshuar nga jugu i Serbisë e formoi një grup të quajtur “beqarët e vjetër të Rashkës”, të rajonit ku jetojnë ata dhe që përfshin fshatin Sagonjevo.
Si Serbia ashtu edhe Shqipëria – ngjashëm me shumicën e shteteve të Ballkanit – përballen me eksodin masiv të të rinjve nga viset rurale, të cilët vihen në kërkim të një jete më të mirë, për ç’shkak shumë vendbanime janë kthyer në fshatra fantazmë. Luftërat etnike në Ballkan gjatë viteve nëntëdhjetë vetëm sa e rritën problemin.
(Asosiated Press)