E Shtunë, 31 Tetor 2026

Reciprociteti, nuk dëmtohet tregu farmaceutik

Barnat me prejardhje nga Serbia, pas masave të reciprocitetit, po zëvendësohen me ato nga vendet e rajonit dhe shtetet e BE’së. Farmacistët premtojnë se në Kosovë nuk do të mungojë asnjë produkt mjekësor. Nga Express më 20 gusht 2011 në ora 16:10

Masat e reciprocitetit me Serbinë nuk e kanë dëmtuar tregun farmaceutik në Kosovë, thotë kryetari i Shoqatës se Farmacisteve të Kosovës, Kadri Bytyqi.

Sipas tij, janë disa produkte më shumë të kërkuara nga pacientët, por që nuk janë të pa zëvendësueshme.

“Çka ka pas me të shitur kanë qenë infuzionet siç njihen në popull që kanë ardhur nga Serbia për arsye se kanë pasur një çmim më të lirë, por tani kanë sjell dhe janë orientuar nga Greqia dhe vendet e Bashkimit Europian dhe po i sjellim pa problem dhe me çmime të njëjta”, thotë Bytyqi, për RTK.

Ndërsa, Dardane Meha, farmaciste, thotë se ka raste kur pacientët kërkojnë barna që janë me prejardhje nga Serbia.

“Pacientet akoma i kërkojnë, por ne jemi duke u munduar t’i zëvendësojmë me fabrika tjera. Ka zëvendësime, mirëpo për një numër të caktuar nuk ka zëvendësim. Si p.sh janë disa barna që janë të nevojshme shumë siç është nitroglicerina, e cila merret mbas atakut të zemrës e që nuk është e regjistruar fare”, thotë Meha.

Nga ana tjetër, zëdhënësi i Ministrisë së Shëndetësisë, Faik Hoti, tha se nuk ka barna të pazëvendësueshme.

“Regjistri aktual në Kosovë, i cili për herë të parë është publikuar vitin e kaluar është pasuruar edhe me 184 lloje të barnave të reja. Ka mundësi të zëvendësimit të këtyre barnave kryesisht me barna të Evropës dhe nuk mund të ndihet fare mungesa e barnave. Kështu që arsyetimi se ende po mbahen produktet serbe sepse ato po i kërkojnë pacientet faktikisht nuk qëndrojnë”, thotë Hoti.

Dyshimet se ka barna të paregjistruara, janë evidente tha zëdhënësi Hoti, sipas të cilit, inspektorati shëndetësor është në kërkim të gjetjes dhe ndëshkimit të tyre.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›