E Diel, 1 Nëntor 2026

Grabiten 420 mijë lekë në një kazino

Një kazino ka rënë pre e hajdutëve, të cilët kanë
përfituar nga pakujdesia e punonjësve. Autorët
nuk kanë pasur nevojë për armë, as për maska, as
për thyerje, por thjesht kanë përfituar nga humbja e
vëmendjes së punonjëses së lojërave të fatit dhe kanë
marrë qesen me para. Ngjarja ka ndodhur në Tiranë,
ndërkohë që policia ka nisur punën për identifikimin
e autorëve. Burimet zyrtare nga Drejtoria e Policisë
së Tiranës bënë të ditur se në orën 08:30 të së shtunës,
në rrugën "Luigj Gurakuqi", është konstatuar
vjedhje në ambientet e një kazinoje, në pronësi të
Vjollca B. Me t‘u njoftuar, policia shkoi në vendngjarje,
ku ka kryer veprimet procedurale për hetimin e
kësaj çështjeje. Nga veprimet e para hetimore rezultoi
se persona të paidentifikuar, duke shfrytëzuar
pakujdesinë e punonjësve, kanë vjedhur çantën e
punëtores kupiere, ku në të ka pasur 420 mijë lekë.
Ndërkaq, nga burimet policore mësohet se kjo vjedhje
nuk është fiksuar nga kamerat e sigurisë. Policia tha
se po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›