E Shtunë, 31 Tetor 2026

TI: Konsensus për të luftuar korrupsionin



ADI SHKEMBI

Transparency International kërkon nga Shqipëria që të arrijë konsensusin për të luftuar korrupsionin. Miklos Marschall, Drejtori Ekzekutiv Rajonal i Transparency International i pranishëm në konferencën e cila do të mbahet deri në 15 maj në Tiranë tha se "udhëheqja politike duhet të jetë me të vërtet dhe ndershmërisht e përkushtuar ndaj reformave kundër korrupsionit. Komponenti i dytë, është nevoja për të kuptuar se të gjitha reformat e suksesshme kundër korrupsionit zhvillohen paralelisht me reforma të tjera të mëdha, si reformat makroekonomike, reformat sociale, reforma e administratës publike. Sepse korrupsioni siç e dimë të gjithë, është një rrjedhojë e institucioneve të dobësuara". Sipas tij megjithëse Qeveria ka ndërmarrë disa masa pozitive në drejtim të luftës ndaj fenomenit të korrupsionit, elita politike duhet të jetë e bashkuar. "Dua të shpreh se masat që Kryeministri i quajti: qeveria, administrata në dietë, e cila është një përpjekje e mirë për të ndaluar burokracinë dhe infektivitetin. Sigurisht, siç e dinë të gjithë, ka ende shumë për të bërë, dhe lufta kundër korrupsionit gjithmonë kërkon një lloj konsensusi politik. Unë shpresoj se elita politike në Shqipëri do të gjejë më në fund një konsensus ndoshta rreth çështjes së korrupsionit dhe luftës kundër korrupsionit", theksoi më tej Marschall. Në të njëjtën kohë ai vuri theksin te modernizimi i administratës publike, teksa shtoi se "unë mendoj se ka pasur progres të rëndësishëm, mendoj se hapat të cilave iu referova, dhe ato që përmendi Kryeministri në fjalën e tij, janë tregues të mirë se është bërë progres në ato tre fusha. Masat për të nxitur rritjen ekonomike, masat për të bërë mjedisin e biznesit më tërheqës dhe unë shoh ende shumë për t'u bërë që janë reformat në administratën publike".
Berisha
Kryeministri Sali Berisha pranon se ka ende fusha ku korrupsioni është i pranishëm. Duke folur në punimet e konferencës vjetore të Tranpsarency International për Evropën dhe Azinë Qendrore kreu i ekzekutivit tha se vendi ka bërë progres në shumë drejtime që kanë të bëjnë me shkurtimin e shpenzimeve administrative dhe nxjerrjen e administratës jashtë konfliktit të interesit. Por sipas tij, megjithëse në katër vite u kursyen rreth 5.4 miliard USD, në disa prej fushave korrupsioni është i përhapur. "Për ne, problem për korrupsionin mbetet sistemi i shëndetësisë. Megjithatë në këtë sistem ne kemi nisur një betejë të fuqishme. Ne kemi vendosur çmimet e referencave në mënyrë që të ndalojmë parapagimin e pamerituar që bëjnë pacientet për vizitën që kryejnë", tha kryeministri. Në fjalën e tij para të pranishmëve kreu i ekzekutivit evidentoi edhe pronat, hipotekat dhe provimet në universitete. "Ne kemi bërë progres dhe nuk ka më korrupsion në pranimet universitare, por ka korrupsion në provimet universitare. është e domosdoshme të ecim drejt procedurave dixhitale të provimeve. Le të shumohet kërkesa, por leverdia është e jashtëzakonshme, sepse heqim falsitetin nga arsimi dhe shkenca. Ne kemi probleme me korrupsionin në hipoteka dhe në Agjencitë e Kthimit të Pronave. Po bëjmë dixhitalizimin e plotë të tyre dhe në një moment të caktuar do të bëjmë outsource - in. Probleme serioze kemi pasur dhe vazhdojmë të kemi, por në një shkallë më të vogël, me kontrollin e automjeteve. Tani ky proces është privatizuar", u shpreh Berisha.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›