Meta në Portugali: Mbështetje për vizat e statusin
Portugalia mbështet Shqipërinë për heqjen e vizave dhe marrjen e statusit të vendit kandidat. Këtë e bëri të ditur dje ministri i Jashtëm portugez, Luis Amado gjatë një takimi në Lisbonë me homologun e tij shqiptar, Ilir Meta. "Nga ana e tij, Z. Amado duke vlerësuar progresin që Shqipëria ka bërë në përmbushjen e kushteve të Udhërrëfyesit për liberalizimin e vizave, u shpreh se Portugalia do të vazhdojë të mbështesë Shqipërinë si për marrjen e statusit të vendit kandidat ashtu dhe për përmbylljen me sukses dhe sa më të shpejtë të procesit të liberalizimit të vizave. Gjithashtu, z. Amado vlerësoi edhe rolin e qëndrueshëm konstruktiv që Shqipëria luan në rajon si një forcë stabiliteti", thuhet në njoftimin për shtyp të Ministrisë së Jashtme. Zv.kryeministri Ilir Meta vlerësoi se marrëdhëniet mes dy vendeve janë shumë të mira. Gjithashtu, ai përshëndeti qëndrimin përkrahës të Portugalisë ndaj procesit të zgjerimit të Bashkimit Evropian dhe forcimit të perspektivës evropiane të vendeve të Ballkanit Perëndimor. Gjithashtu, dy Ministrat e Punëve të Jashtme, Meta dhe Amado, morën pjesë në inaugurimin e Ambasadës të Republikës së Shqipërisë në Lisbonë si dhe në hapjen e Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë Portugali-Shqipëri. Gjatë ceremonisë së hapjes, Meta dhe Amado e vlerësuan hapjen e Ambasadës shqiptare si fillimin e një stadi të ri e më intensiv të marrëdhënieve mes Shqipërisë dhe Portugalisë.