E Diel, 1 Nëntor 2026

Kastriot Islami: “Shqipëria përkrah SHBA-së në shuarjen e tensioneve në Gjirin Persik”

23-01-2012 / Gazeta 55

Pas situatës së krijuar në Gjirin Persik dhe kërcënimeve të Iranit për të mbyllur ngushticën e Hormuzit, prej së cilës kalojnë 40 për qind e sasisë së naftës së transportuar me mjete detare, ish-ministri i Jashtëm Kastriot Islami deklaron se “Shqipëria duke mbetur një partnere strategjike e SHBA do të kontribuonte përkrah saj edhe për shuarjen e këtyre tensioneve”.
Në një deklaratë për mediat, Kastriot Islami vlerëson se ngushtica me emrin Hormuz, midis Gjirit Persik dhe Gjirit te Omanit ka një rëndësi strategjike për sa përket çështjes së energjisë dhe më konkretisht së naftës.
“Përveç eksporteve nga Emiratet e Bashkuara dhe Irani, nëpër këtë ngushticë kalojnë të gjithë anijet që eksportojnë naftë nga Bahreini, Kuvajti dhe Katari si dhe një pjesë e madhe e eksporteve të Arabisë Saudite dhe Irakut. Vitin e kaluar kanë kaluar nëpër këtë ngushticë mesatarisht 17 milion fuçi naftë në ditë”, tha ai.
Ndërsa Irani kërcënoi javën që kaloi se do të bllokojë kalimin nëpër ngushticë nëse forcohet embargo ekonomike e vendeve perëndimore, ish-kryediplomati shqiptar vë në dukje se embargo ndaj eksportit të naftës iraniane është aplikuar nga SHBA dhe e vendeve të BE sepse Irani nuk është tërhequr nga programi i saj bërthamor.
Sipas tij, Irani i ndodhur përballë embargos perëndimore, ka përshkallëzuar veprimet duke kërcënuar e bllokimin e ngushticës së Hormuzit ndërkohë që javën e kaluar ka kryer gjithashtu edhe disa manovra ushtarake në hapësirat e kësaj ngushtice duke paralajmëruar se një seri manovrash të reja do të zhvillohen nga 21 janar deri në 19 shkurt. Këto veprime të Iranit kanë tensionuar më tej marrëdhëniet midis perëndimit dhe Iranit. Perëndimi e konsideron këtë përshkallëzim të veprimeve të Iranit si një prekje të “vijave të kuqe” ku preken interesat gjeostrategjike në fushën e energjisë”, nënvizon Islami. SHBA me këtë rast kanë reaguar fuqimisht përmes Sekretarit të Mbrojtjes Leon Panetta duke i kujtuar regjimit të Teheranit se “ngushtica e Hormuzit përbën një vije të kuqe e cila nuk duhet prekur” dhe ndërkohë ka shtuar se “nëse Irani do të bllokojë ngushticën SHBA do të ndërhyjnë dhe do ta zhbllokojnë”.
Me këtë rast SHBA ka rikujtuar qëndrimin e saj lidhur me përgatitjet e Iranit në fushën bërthamore: “SHBA ka si prioritet veprimet diplomatike për të parandaluar përgatitjet e Iranit në fushën bërthamore por nëse paraqitet e nevojshme ajo do të kërkonte, ashtu siç ka vepruar përmes rezolutave në OKB, edhe sanksionet ekonomike, por nuk përjashton edhe veprimin ushtarak”.
Më tej ish-ministri Islami përmend edhe faktin se në kuadër të dhënies së një mesazhi “humanitar pozitiv” marina amerikane ka shpëtuar 13 marinarë iranianë të cilët ishin marrë peng nga piratë somalezë. 
“Gjatë kësaj periudhe duke kërkuar rrugë alternative në rastin e ndonjë situate komplekse, Emiratet e Bashkuara po përpiqen të përfundojnë brenda 6 muajve të ardhshëm një naftësjellës me gjatësi 360 kilometra me kapacitet 1.5 milion fuçi nafte në ditë për të mundësuar shmangien e kalimit të naftës së Emirateve të Bashkuara përmes ngushticës së Hormuzit. Ky projekt do të zgjidhë vetëm një pjesë të problemeve të eksportit të naftës nga ky rajon.  Për këtë arsye, pavarësisht kësaj zgjedhjeje alternative, SHBA mbeten të vendosura për të mos lejuar mbylljen e kësaj ngushticë nga Irani”, thekson ish-ministri i Jashtëm.
I pyetur nëse mund të marrë apo jo shtrirje kjo krizë dhe sa mund të ndikojë në Shqipëri, Kastriot Islami e shikon si të vështirë për të parashikuar nëse kjo krizë do të shtrihej apo komplikohej më tej.
“SHBA dhe BE por edhe vende të tjera do të angazhoheshin maksimalisht për të shuar këtë vatër tensioni dhe mos lejuar shtrirjen e saj”, deklaron ai.
Në përfundim ish-ministri Islami shpreh besimin se, “Shqipëria në kuadër të OKB  do të vazhdonte të luante rolin e saj konstruktiv në vendosjen e sigurisë dhe të qetësisë në botë e më konkretisht edhe në këtë pjesë të planetit”.

 

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›