Si ta kultivojmë folkun!
Qendra Kombëtare e Veprimtarive Folklorike në vazhdim të realizimit të programeve të punës së saj vjetore, në kuadrin e kremtimeve të ditës së shpalljes së Pavarësisë e ditës së çlirimit të vendit, në fund të Nëntorit organizoi “Takimin e shoqatave artistike të këngëve dhe valleve popullore”, duke e pasuruar edhe më tej atmosferën festive që përfshiu mbarë vendin tonë për përkujtimin e Ditës së Flamurit.
Ky aktivitet për nga lloji, vjen fill mbas realizimit me sukses të F.F.K të Gjirokastrës, i cili gjeneron vlerat më të spikatura të etnokulturës tonë, të cilat shërbejnë si ushqim dhe udhërrëfyes dhe për aktivitet e tjera me profil folklorik. Zhvillimi intensiv i aktiviteteve folklorike ose aktiviteteve të inspiruara nga folklori është një domethënie e vlerësueshme, pasi me këto organizime rritet më shumë dashuria për artin popullor, krijohet tradita e trashëgimit të këtij arti në brezat e rinj e në këtë mënyrë kultura jonë popullore bëhet më e vërtetë, më e shëndetshme e më e pranishme në jetën tonë.
Por, ky takim shënoi dhe mbylljen e veprimtarive folklorike për 2009-ën. Çfarë u shqua krahas prurjeve të shumë talenteve të reja, mbart në vetvete edhe dëshirën e pranisë të artit popullor në skenat koncertore, duke e bërë atë domosdoshmëri të ushqimit shpirtëror për mbarëshqiptarët.
Profili i këtij takimi ishte i fokusuar në lëvrimin e artit popullor si traditë e pasuri e popullit tonë, në përpunimin e muzikës e koreografisë folklorike, e në shumë raste edhe si krijimtari me frymë popullore. Në pikëpamje të organizimit artistik, takimi përmbante ansamble artistike të shoqatave të ndryshme të cilat kanë në strukturën e tyre, grupe koreografike, orkestra e grupe këngëtarësh; Grupe artistike të cilat lëvrojnë njësi folklorike si: grupe polifonike, grupe këngëtarësh, apo grupe të përziera të muzikës vokale e asaj instrumentale etj.
Si ansamble artistike u përfaqësuan: “Çamëria” - Vlorë , “Nënë Tereza” - Tiranë, “Skampa” - Elbasan, “Skënderbeu” -Krujë, “Shqiponja” - Tiranë, “Visaret e Krrabës” - Krabë, “Gora” – Korçë, “Miqësia” - Gramsh, ndërsa si grupe artistike: “Komuniteti vllah”- Kavajë, “Kolonja”-Gjirokastër, “Shtëpia e polifonisë” - Tiranë, “Bilbilat e progonatit” - Tepelenë, “Demir Zyko” - Tiranë, “Çipini” -Vlorë, “Zëri i Trebeshinës” – Tiranë, “Bilbilat e Jugut”- Vlorë, e si grupe të përziera me muzikë vokale e instrumentale: “Valët e Drinit” - Dibër, “Jehona e Shkodrës” - Shkodër, “Gjergj Arianitasi” - Mallakastër, “Çiftelia” - Lezhë. Në këtë takim spikati përkushtimi i drejtueseve artistikë e koreografëve: Blerim Narazani, R.Veshi, S.Ismaili, I.Selba, E.Tervolli, H.Horta, F.Ajasllari, A.Dhamo, S.Ismaili, E.Graçi, B.Lapi, M.Llubani, Sh.Beshiraj, B.Gorenza, F.Pacaj etj. Gjithashtu spikati pjesëmarrja dhe debutimi cilësor i këngëtarëve: M.Gjoni, F.Shabani, Sh.Mziu, C.Poleshi, Z.Jakupi, P.Sterio, S.Çela, Xh.Cëri, H.Bora, D.Zere, E.Culi, D.Baruni, M.Guni, E Bajrami, G.Rrokaj etj. Spikati ndjeshëm cilësia e orkestrinës së shoqatës “Skampa” kompleksi i çiftelive –Lezhë, instrumentistët Fatmir Malaj, Luan Arapi etj.
Krahas cilësisë artistike vlen të përmendim kontributin e madh që i japin shoqatat kulturore dhe drejtuesit e tyre për ruajtjen, stilizimin e rinovimin e kostumeve popullorë tradicional. Ishte kjo një ndër dukuritë më të rëndësishme të këtij takimi që shpreh jo vetëm ruajtjen e kostumeve tona popullore, por edhe prodhimin e tyre nga artizanët shqiptarë të cilët në punimet e tyre ruajnë karakteristikat dhe identitetin e origjinës.
Ky takim parë nga ky këndvështrim, krahas atmosferës i ngjau dhe një ekspozite ku vihej re shumëllojshmëria e veshjeve popullore në rrafsh kombëtar, duke pasqyruar karakteristikat autentike sipas përkatësisë krahinore.
U ndje gjithashtu në këtë veprimtari ruajtja e instrumenteve popullorë tradicionalë si: Fyelli, Cyla diare, Curlja, Bilbili, Çiftelia, Sharkia, Llauta, të cilat ruajnë jo vetëm performancën e teknologjisë së traditës, por edhe lëndën muzikore që ato përcjellin. Shumë nga këto instrumente na u prezantuan të strukturuara në grupe orkestralë, çka prej vitesh përbën një risi të traditës së re artistiko-popullore.
Ka ardhur koha që shoqatat artistike veprimtarinë e tyre ta përcjellin nëpërmjet formës së organizuar në ansambël, pasi një strukturë e tillë është më e plotë dimensionalisht, e më e suksesshme në skenën muzikore. Duke u organizuar veprimtaria e tyre në formën e ansambleve artistike popullore, ato do të kenë mundësi që krahas këngës të kultivojnë dhe vallen, muzikën instrumentale, muzikën orkestrale, duke krijuar më tepër larmi në përfaqësimin e tyre në skenat muzikore të vendit.
Paraqitjet e improvizuara me sens argëtimi si: grupi “Jehona e Shkodrës” nuk i përgjigjen standardit të zhvillimit aktual që kanë marrë veprimtaritë folklorike. Tashmë lind domosdoshmëria e drejtimit artistik të këtyre shoqatave nga profesionistë si shembujt e përfaqësimeve të “Skampës”, “Shqiponjës”, “Çamërisë”, “Çiftelisë”, “Çipinit”, “Gjergj Arianitit”, “Gora” etj.
Shumë nga këto ansamble me cilësinë që përcjellin kanë tërhequr vëmendjen jo vetëm brenda Shqipërisë, por edhe jashtë vendit. Janë të gjitha mundësitë që drejtuesit e shoqatave kulturore me përkushtimin dhe investimin që kanë bërë, të rrisin edhe më tej cilësinë e të zgjerojnë strukturën e përfaqësimit artistik të tyre. Në këtë mënyrë ansamblet përfaqësuese të shoqatave kulturore do të kenë formë më të plotë e individualitet më të spikatur.
Në mbyllje të këtij takimi Juria e përbërë nga profesionistë e drejtues e veprimtarë të shoqatave vlerësoi me çmim të parë ansamblin “Çamëria”, me çmim të dytë ansamblin “Shqiponja”, me çmim të parë grupin “Çipini” e çmim të dytë grupi “Çiftelia”.
Pavarësisht dhënies së çmimeve, përgatitja e ansambleve artistike për “Takimin e shoqatave artistike të këngëve dhe valleve popullore” solli një suport cilësor më të lartë se në takimet paraardhëse. Një aktivitet më i dendur e i vazhdueshëm do të rrisë më tej cilësinë e tyre artistike e do pasurojë akoma më tepër jetën artistike të vendit.
Ky aktivitet i organizuar nga Ministria e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Qendra Kombëtare e Veprimtarive Folklorike e Unioni Artistik i Kombit Shqiptar, është shprehje e strategjisë afatgjatë që kanë politikat kulturore, për ruajtjen, zhvillimin e artit tonë popullor.