Si të bëhesh njeri publik
Vendi ynë ka shumë pak njerëz publikë, por, për shkak të keqinterpretimit konceptual dhe substancial të fjalës ‘publik’, duket sikur janë shumë. Dikush e koncepton me prezencën në parlament, një tjetër me postet që mban në ekzekutiv, ka të tjerë që mendojnë se të shfaqesh në ekranin e televizorit shpesh bëhesh njeri publik, dikush tjetër e mat me milionat që ka, etj…
Por çfarë ndodh në fakt në Shqipëri dhe si e kuptoj unë këtë fjalë që e dëshirojnë të gjithë?
Të gjithë i shikojmë seancat plenare të Kuvendit dhe ata që aktivizohen në debate. Ata janë kryesisht kryetarë e nënkryetarë të grupeve parlamentare, por jo më shumë se 20% e parlamentarëve janë aktivë në parlament dhe jashtë tij, e megjithatë jemi lodhur së dëgjuari shprehjet ‘jam politikan’, jam ‘njeri publik’, etj., kur të gjithë e dimë që ka shumë nga ata që kanë punuar në sektorë inferiorë të ekonomisë, madje ka edhe nga ata pa arsim përkatës.
Ajo që i bën ata të jenë pjesë e parlamentit është paaftësia për të bërë punë tjetër dhe privilegjet që sjell prezenca atje. E pra, nuk mund të jenë njerëz publikë ata që s’i njeh njeri dhe që nuk prodhojnë asgjë dhe për askënd. Media elektronike dhe ajo vizive kanë shumë rëndësi për demokratizimin e një vendi. Njerëzit që militojnë në këta sektorë, pra televizione dhe gazeta, kanë rol shumë të rëndësishëm për progresin ose regresin e një vendi në të gjithë fushat. Natyrisht, te ne janë bërë hapa të mëdhenj në këtë drejtim. Mjafton të kujtojmë se për pak vjet Shqipëria u bë me shumë operatorë në televizion e radio.
Por unë nuk doja të ndalesha këtu. Në vendet e përparuara, media në përgjithësi dhe formimi i gazetarëve, analistëve apo opinionistëve ka rol të veçantë. Atje i gjejmë analistët të ndarë në sektorë si analistë për ekonominë, për sigurinë kombëtare, për mbrojtjen e mjedisit, analistë politikë etj. Te ne vihet re që analizat, sintezat, prognozat apo opinionet i bëjnë një grup njerëzish, të cilët edhe pa dashje shpeshherë gabojnë në vlerësimet e problemeve që analizojnë.
Shikoni si shfaqen zotërinjtë Lubonja, Zheji, Peza, Bushati, Nano, Stefani apo edhe të tjerë. Me gjithë respektin që kam për këta zotërinj, të cilët për një periudhë të gjatë kanë mbajtur goxha ngarkesë, më duhet të them se jo gjithmonë kanë qenë të saktë për shkak të defekteve në formimin profesional. P.sh., kam dëgjuar shpesh të debatohet nga të sipërpërmendurit në studio të ndryshme për planin rregullues të Tiranës, urbanistikën, ndërtimin, gjelbërimin, mjedisin apo sigurinë rrugore. Pra, marrin përsipër nganjëherë probleme që kërkojnë trajtim korrekt e profesional që të mund të informohet drejt opinioni publik.
Informimi i saktë dhe profesional, debati korrekt, i paanshëm dhe jopolitik ndihmon qeverinë të korrektojë gabimet, si dhe orienton saktë opinionin për problemet me interes publik.
Si të mos mjaftojë kjo, këta njerëz kanë filluar të zëvendësohen me njerëz të tjerë që nuk kanë kurrfarë eksperience, që nuk kanë punuar asnjë ditë dhe shfaqen në ekran shpesh, sepse mendojnë se kështu do të bëhen të famshëm e njerëz publikë. Ne këtë mënyrë bie kualiteti i emisioneve që japin televizionet. Këta i gjen të flasin për politikën, energjitikën, bujqësinë, papunësinë, sportin, mjedisin, ligjet etj.
Po mirë, a kanë përgjegjësi drejtuesit e emisioneve për përzgjedhjen e njerëzve?
Pa dyshim që kanë. Kam dëgjuar të flitet për mjaft probleme nga njerëz që nuk kanë lidhje me ato punë dhe nuk e kanë haberin e për rrjedhojë humbet interesi për ndjekjen e atij programi. Ndoshta do të ishte me interes rishikimi i grafikut për atë emision që shfaqet çdo ditë dhe natyrisht kjo sjell dhe vështirësi të tjera.
Vihet re dhe një fenomen që tashmë është bërë fakt. Shumë nga analistët që e mbanin veten si burri- burrit të ‘pavarur’, sot i shikojmë të rreshtuar në parti politike.
Përse? Sepse ndoshta te politika gjejnë interesa që nuk i gjejnë në zanatin e tyre apo sektorë të tjerë.
Po ku do t’i gjejmë gazetarët e pavarur dhe si do ta forcojmë pushtetin mediatik? Si do ta dinamizojmë demokracinë dhe do të jemi në gjendje të bëhemi faktor pozitiv për ato që ne i themi interesa publike, punësim, investime publike, arsim, energjitikë, integrim në strukturat euroatlantike etj?
Në të njëjtën situatë paraqiten dhe botuesit e gazetave. Ka mjaft gazeta që në emër të ‘pavarësisë’ i shërbejnë partive të caktuara politike.
Kështu mund të trajtojmë dhe biznesmenët e mëdhenj që tashmë janë me shumicë në parlament dhe që janë në konflikt interesi dhe të paligjshëm në punë. Edhe ato thonë që jemi ‘njerëz publikë’ pa çka se nuk kanë diskutuar asnjëherë dhe nuk i kanë ofruar publikut asgjë.
E pra, duhet të merremi vesh se njeri publik nuk mund të bëhesh kollaj, aq më tepër kur kemi të bëjmë me njerëz që punojnë për realizimin e interesave të tyre. Njerëz publikë janë ata që prodhojnë vepra për interesat e shoqërisë, pastaj për vete e familjen.
Sa më shumë të jenë këta, aq më tepër dhe më shpejt demokratizohet shoqëria, rritet e zhvillohet ekonomia, forcohet e garantohet siguria kombëtare.