Si të godasësh pasqyrën...
Çdo ndryshim pa rrënjë, është i sipërfaqshëm, dhe nuk ka ndryshim më të cekët dhe as gabim më të thellë, sesa kur brezi i më të rriturve vetëshpallet i pafajshëm, duke ia lënë gabimet viktimës, rinisë së sotme.
Astrit LULUSHI (SHBA)
Këto janë disa paradokse të kohës sonë: shumë personalitete të fushave të ndryshme, veçanërisht të artit, vlerësohen për talentin - zërin, aktërimin, penelin a penën - dhe dekorohen. Por a nuk do të meritonin edhe një farë kritike? Sepse ata ishin pjesëtarë të vetëdijshëm të një armate propagandistësh të idealeve të diktaturës në art, letërsi, muzikë, teatër e kinematografi, ku çdo duartrokitje nga salla përfaqësonte një tru të indoktrinuar si rezultat i rolit të luajtur me mjeshtëri prej tyre në skenë. Thuhet se ata punuan me përkushtim për artin. Por është një art që çmall vetëm nostalgjikët për atë periudhë që koha vazhdon ta dënojë.
Tradita si kulturë është esencë jo vetëm e asaj që shkoi mirë, por dhe vazhdimësi e asaj që ia vlen të vazhdohet. Kjo traditë vlen vetëm në thelb, sepse kur përvetësohet e plotë, bëhet helmuese dhe prodhon viktima.
Kur brezi i më të rriturve e sheh brezin e ri më shumë si kundërshtar të radhës sesa si brez pasardhës, kjo krijon ndjenjë armiqësie dhe hakmarrjeje mes brezit të ri. Frojdi dhe shumë psikologë e etnologë para tij e kanë shpjeguar këtë instinkt të lashtë, kur flasin për “patricidin”, pasojë e egocentrizmit të më të rriturve.
Zhvillimet më dhunë në vitet 1924, ’44 e deri-diku ‘90, mund të shihen edhe si përplasje brezash a rebelim i brezit të ri, jo vetëm në moshë. Këto përplasje armiqësore brezash sollën ndryshime sistemesh e pushtetesh, botëkuptimesh, por jo qëndrueshmerinë a vazhdimësinë e tyre; e vetmja gjë që u trashëgua nga një brez në tjetrin ishte keqtrajtimi; mospërfillja e brezit të më të rriturve ndaj brezit më të ri dhe thellimi i ndarjes midis tyre. Që cikli të ndërpritet, ky qëndrim patjetër duhet të ndryshojë.
Sot shumë të rritur shprehin zhgënjim, kur shohin një rini që s’e kishin pritur. Ata ndoshta harrojnë se ndryshimi fillon nga vetja. Me rininë gjithmonë luhet. Ajo manipulohet e keqpërdoret lehtë dhe i beson brezit më të rritur, sepse ashtu e kanë mësuar; ta fajësosh për këtë, eshtë njësoj si të dënosh viktimën. Faji është barrë e rëndë, por edhe më i rëndë është faji i brezave. Kur ky faj u ngarkohet të rinjve, gjunjët e tyre këputen. Ata shkurajohen, por edhe armiqësohen, ndërsa më të rriturit sikur shpërblehen për dështimet a ndihmesën e dhënë për këto dështime të suksesshme.
A është faji i të rinjëve edhe kur veprojnë gabim? Përgjigja do të ishte po, sikur ata të kishin arritur këtë moshë pa ndikimin e prindërve dhe shoqerisë, ku më të rriturit, jo medoemos më të pjekur, ushtrojnë autoritetin e tyre. Në fakt, këta më të rritur janë të vetmit të interesuar për t’u çliruar nga barra e gabimeve, jo të pakta për një shoqëri relativisht e sapodalë nga diktatura.
Mjegull sikur krijohet, kur rinia ende e paprovuar cilësohet e paaftë, e dështuar apo e kriminalizuar, edhe pse ajo ndjek shembullin e të parëve. Eshtë njësoj si të goditet pasqyra, sepse nuk na pëlqen fytyra që shohim në të. Eshtë fytyra jonë!
Rinia është brezi më i pafajshëm. Por ky brez ka aleat kohën, prandaj shihet edhe si më kërcënuesi a më sfiduesi ndaj pushtetit të më të rriturve. Rinia gjithashtu është plot energji. Nëse të rriturit janë më të vërtetë të “pjekur”, siç e nënkupton shprehja, nuk duhet të lejojnë që kjo energji të shndërrohet në entropi, kaos, rrënim. Edhe pse më të rriturit në pushtet nuk mendojnë të dorëhiqen thjesht për hir të rinisë, të paktën duhet ta kuptojnë se ka ardhur koha të freskojnë a rinojnë botëkuptimin e tyre duke afruar brezin e ri, në mënyrë që kur të vijë dita, vendi të lihet në duart e një rinie të shëndetëshme, që këta do t'ua lënë atë pasardhësve më të shëndetshëm.
Qytetërimi zë fill më stërgjyshin, thotë një fjalë e urtë. Duhet të fillojë sot, që pas 100 vjetësh njerëzit të thonë: “jemi të qytetëruar”. Çdo ndryshim pa rrënjë, është i sipërfaqshëm, dhe nuk ka ndryshim më të cekët dhe as gabim më të thellë, sesa kur brezi i më të rriturve vetëshpallet i pafajshëm duke ia lënë gabimet viktimës, rinisë së sotme
20 Prill 2009