Mola e pendimit në molin e shpresës
Balil GJINI
* * *
Mbi trotuarin e mërzisë gështenjat e ankthit binin breshëri
fill pasi takat e tekave të fatit e shponin brutalçe.
Ndër shoshat e reve shoshitej pa pra orizi i breshërit,
në shoshën e kujtesës krunde nga bisedat e mëparshme.
Ky trup: trung i tharë. Ketri i të qeshurës zbavitëse
brenda zgarbullës së gojës bën kokrrën e gjumit.
Të gjitha rrugët që më binin qenë tërkuza kolovitëse
tashmë trishtojnë si gypa të zbrazët serumi.
Ti ecën këmbëzbathur ndër brigjet e mërisë
mbush grushtet me guaska ofshamash zbrazur kuptimesh.
Ato dallgë inati janë kuaj krifëverdhë, ergjele elegjish
që hingëllijnë, ngrihen vrikthi, bëhen bogda e thërrime…
Blegërima e qengjit të haresë ende dëgjohet faqeza
në periferi të vëmendjes gjithë moskolakërr e brokërr,
Në honet e shpirtit këmborë pyetjesh dhe manushaqja
me atë shami të zezë drize lidhur përsipër kokës?...
Takat e tekave të fatit dhe gështenjat e ankthit, prore
e shponin trotuarin e mërzisë në mënyrë të ngjashme...
Ndër shoshat e reve shoshiteshin zogj dhe flutura bore,
në shoshën e kujtesës krunde nga bisedat e mëparshme.
* * *
m’ike, mike, m’ike.
Harabelat e rrumbullt të të qeshurave
ma braktisën pezulin e buzëve
dhe fluturuan mbi drurin e tharë të frikës.
(ujku i verbër i brengës lëshoi ca pika të zeza ulëritjesh
mbi dëllënjën e gjelbër që polli ca kokrra të kuqe)
mike, m’ike, mike.
Tash granilin e ëndrrës
ma shoshin në sitë
vetë perënditë.
(e humba davanë pa e gjetur devenë;
devenë e bardhë me duvanë e zezë përpara)
m’ike, mike, m’ike.
* * *
-a-
Fushave të braktisura, yrteve të shkreta
Gërmushet në gëmushë.
tenja e ikur fjalëve të përdorura
Shkallëve të vetëtimës: ca rruzuj tespijesh
që Zotit i bien nga duart e lodhura.
-b-
Fushave të braktisura, yrteve të shkreta
të shkrep ta ndezëssh cigaren
tek flaka e një vullkani
Gjithë gjërat para tërmetit të fatit
termite të kuqe
të vrara nga bajga e një elefanti.
-c-
Fushave të braktisura, yrteve të shkreta
qëllon me një gur një degë leksiku
dhe mana të kuq metaforash shkunden
mbi çarçafin e bardhë të letrës.
Në ahuret e zinj të kërkojnë password-in
fantazmat e ndershme.
* * *
Sa e bukur dukesh
nën zhguaj zhgënjimi
farë e egër me aromën e eshkës…
Zhgërryhet në hi në pragperëndimi
palloi pendëlarmë i pendesës.
Mes luspash të thekurra,
gëzhuta thekëre,
mbetur ke në ngastrat e majme të dertit.
Ah! Vesën e vesit e gjerbin si vezë
kërminjtë brirëartë të seriozitetit…
* * *
o Vashë e VuVosur me Valvul Vulosur.
ajo fjalë shpëtonte parvazit të buzëve
pa arritur që mushtin e myrrëtyer
ta kullonte në hinkat e “y”-ve të fjalës vYrtYt.
Mbushej me pupla
dhe zinte sprethin e shpellës së zezë të pandehmës.
Bash atë shpellë ku xixëllonjë e kureshtjes
ndizte nënbarkun të shihte: fap-fup, fup-fap.
Fazan fjale. Ëndërr me pendë fekstitëse.
Mbi duar linte temína, lila gjithë farfuri. Ikte
në djerrinat e së djeshmes,
poshtë një ferre heshtjeje
pa thirrur të bëhej pasthirrmë përsëri.
Ah! fAzAn fAntAzie qe Ajo fjAlë.
Shënim (jo i domosdoshëm): V-të janë dhëmbë në nofullën
e sipërme të shpellës së pandehmës. A-të dhëmbë në nofullën
e poshtme të saj,
* * *
Të thashë:
këtë shkrepse shprese
fike pa frikë mes grushtash.
Ndjen erën zogori e zagarëve
me krodha pasthirrmash mes putrash...
Gëzofët me gjemba të neverisë
në muret e shpirtit
i ndera për t‘i tharë.
I zi gjaku i iriqit të frikës
dhe barela e keqardhjes: e bardhë.
* * *
Ti tashmë je toka djerrinë e harresës
brenda gjëmbaçëve të kaltër të së cilës
ndërtojnë folenë selçetë.
Manarit të mallëngjimit i hap lesën e shpirtit
dhe rrëzë mureve të lëndinës së lëndimit
vjen të kullosë rrushkuqe.
Në prizmin e lotëve të tij ajo ngjarje
herë balonë balenë. Herë cironkë thuthuqe.
Ti tashmë je toka djerrinë e harresës
por mola e pendimit në molin e shpresës:
Kërr-kërr,
kërr-kërr!,
bren trarët e vjetër të fjalëve
dhe mbi dysheme bie një miell i verdhë.
Manari i mallëngjimit hap lesën e shpirtit
e provon dhe rrëzohet shakull i vdekur
Ajo ngjarje:qefull qejfi mes qelqesh në qerthull.
* * *
(Variant)
Ti thurr e shthurr një triko kujtimesh me gjalmë
mbi furkën e fantazisë, thile më thile.
Mola e dyshimit bren trarët e vjetër të fjalëve
dhe mbi dyshemenë e leksikut bie një miell i verdhë.
Ngjarja: qefull qejfi mes qelqesh në qerthull
shformohet. Herë balonë balenë, herë cironkë thuthuqe.
Manari i mallëngjimit e ngjëron rrëzë mureve heshtur
Dhe bie ngordhur me dy fije blegërimash mes buzëve...
* * *
Tërë natën deti ka qenë dixhej në Himarë,
Në mëngjes ka flakur kufjet e guaskave në zall…
* * *
Nënë, moj nënë!
Shih si rigon shi mbi lule rigoni
Dhe unë dua të mbytem
në gjolin e mëshirës tënde
por andej sa ka dalë
një bishëz e brishtë
që vjen ulet në bisht
shkund piklat s’bën zë...
Ah, vdeksha për të!
Nënë, moj nënë!
Gjoksi stolisur inxhi
karfosur karfica habish
byzylykë qeshjesh me xhufka,
kasafortë katastrofash të bukura.
Një kujtim të rrallë
e mbllaçit ndër dhëmballë.
Por ah, gjithçka është prej brumi,
qimet me lapsa prej plumbi.
Ptuu!.. e marrtë lumi.
Nënë, moj nënë!
Do të doja të mbytesha
në gjolin e mëshirës tënde
Por kjo botë më përqesh
dhe bën një përshesh
me tule dëshirash të vala
gaforre brengash të gjalla.
Në varkën e varrit tënd
të vogël sheqerake
gjithë lajle lule qesharake
hipën dhe më shkel njerin sy;
Ah, vdeksha për ty!
20 Prill 2009