E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zonja e parë e botës

Një nga admiruesit e saj është shprehur: “E kishte zakon që më mirë të ndizte një qiri, sesa të mallkonte errësirën.” Dhe drita e saj ngrohu botën.

Albana LIFSCHIN

Eleonor Ruzvelt ishte gruaja e presidentit Frenklin Delano Ruzvelt, por më shumë se grua presidenti, ajo qe jehona e madhështisë së tij.
Fëmijë e vetmuar, vajzë e re e ndrojtur, aspak e bukur, madje e përçmuar për pamjen e saj, e pasigurt, e zhgënjyer në jetën private, Eleanor Ruzvelt e shndërroi veten në një grua me personalitet të shquar. Me kontributin e saj humanitar për të mirën e njerëzimit, për fëmijët, për të shtypurit dhe të varfërit kudo në botë, ajo fitoi dashurinë e admirimin e miliona njerëzve. Ish-presidenti i SHBA, Harri Truman, e quajti atë "Zonja e parë e botës".

* * *
Familja Ruzvelt, ku ajo lindi, ishte nga familjet më të vjetra, më të pasura e më të respektuara amerikane të kohës. Në sy të botës, Eleanora ishte një fëmijë që kishte gjithçka që i duhej për të qenë e lumtur, por ajo nuk qe tërheqëse dhe këtë e vuante shumë. I vetmi gëzim në fëmijërinë e saj ishte i ati, Elliot Ruzvelt, vëllai i vogël i Teodor Ruzveltit (president i SHBA në vitet 1901-1909), i cili lozte me të, e hidhte dhe e priste në ajër, e më vonë kur ajo hyri në moshën e rinisë, e porosiste në letrat e tij që të bëhej një grua me kulturë, të ndihmonte njerëzit e ta bënte babanë e saj krenar. Eleanora i ruajti letrat e të atit deri ditët e fundit të jetës. Gjatë kohës që ishte në Angli, zonjushë në moshën 15 vjeçare, ajo mësoi të kujdesej për paraqitjen e saj dhe, ndërkohë, të zhvillonte besimin në vetvete.
Në moshën 18 vjeç, jeta e saj mori një kthesë të rëndësishme. U takua e ra në dashuri me Frenklin Ruzveltin. Frenklini ishte një djalë i gjatë, i pashëm dhe kushëri i largët i familjes, që rasti i pat takuar shumë rallë me njëri-tjterin. Pas kthimit të Eleonorës nga Anglia, të dy të rinjtë filluan të takoheshin fshehurazi. Frenklin Ruzvelti gjeti tek Eleonora njeriun që mund t'i besonte dhe kjo ishte shumë e rëndësishme për të. Ai ishte i sigurt gjithashtu se ajo, me natyrën që kishte, nuk do të përpiqej kurrë ta dominonte. Frenklini i propozoi për martesë. Në ceremoninë e martesës merrte pjesë presidenti i Shteteve të Bashkuara atë kohë, Tedi Ruzvelt, xhaxhai i saj, i cili përcolli nusen.

* * *
Por edhe pse e martuar me dashuri, jeta e saj bashkëshortore nuk ishte e lumtur. E ndrojtur, tip që lëndohej shpejt, Eleonora u mësua t'i mbante gjërat përbrënda, duke u përpjekur të mos e humbiste kontrollin e vetes. Frenklinin, nga ana tjetër, qetësia e së shoqes e irritonte dhe e distanconte nga ajo.
Ndërkaq karriera e tij politike po përparonte me shpejtësi. Më 1913, Presidenti Uillson e emëroi në një post qeveritar të rëndësishëm për kohën, gjë që kërkonte transferimin e familjes në Uashington.
Gjatë Luftës së Parë Botërore, Eleonora u angazhua me Kryqin e Kuq, duke dhënë maksimumin e duke shfrytëzuar edhe influencën e të shoqit për këtë qëllim.
Në vjeshtën e vitit 1918, ajo zbuloi se i shoqi kishte marrëdhënie intime me sekretaren Lusi Mërsër (Lucy Mercer), që ishte një vajzë e re, e gjatë, bjonde e bukur. Kjo qe një traumë e vërtetë për Eleonorën, të cilën nuk mundi ta përballonte. Eleonora kërkoi divorc.
Por Frenklini nuk e donte divorcin. Ai u përpoq ta bindte të shoqen që të mos e bënte këtë ndarjen për hir të fëmijëve.
Veç kësaj, divorci për Frenklinin në atë kohë do të thoshte shkatërrim i karrierës së tij politike.
Eleonora e fali, por jeta e tyre bashkëshortore nuk qe më si më parë. Tre vitet në vijim qenë të rëndaj për Eleonorën. Megjithatë, por ajo nuk iu dorëzua dëshpërimit. Këto vite, ironikisht, u bënë edhe vite emancipimi për të. Eleonora u përfshi në lëvizjen për paqen dhe për gruan.
Në verën e vitit 1921, ndërsa ndodhej në pushime, Frenklin Ruzvelti u paralizua nga poliomilitis. Nëna e tij, një grua e fortë, si edhe shumë prej miqve e këshilluan që ta linte karrierën politike. Kësaj radhe, e qetë si asnjëherë më parë, Eleonora nguli këmbë se i shoqi nuk duhej trajtuar si një i sëmurë, të cilit s'i kishte mbetur tjetër, veçse t'i nënshtrohej sëmundjes së tij dhe ashtu të priste vdekjen.
Bindja e vendosmëria e së shoqes i ktheu Frenklinit energjitë.
"Unë e inkurajova atë të zgjidhte rrugën më të vështirë. Si gruaja e tij, mendoj se kam vepruar në pajtim të plotë me ndërgjegjen e tij", shkruante ajo në kujtimet e saj.

* * *
Më 1928, Frenklin Delano Ruzvelt u zgjodh guvernator i Nju Jorkut dhe, katër vjet më vonë, President i Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Ndërkohë, edhe vetë Eleonora kishte ndryshuar; gruaja qe futur tashmë në jetën politike. Ajo u bë partnere me të shoqin dhe nuk mendoi kurrë ta lëndonte atë. Ata punuan sëbashku në shumë çështje dhe ai e përkrahte Eleonorën në inisiativat e saj. Eleonor Ruzvelti i dha një vizion më të gjërë rolit të saj si Zonjë e parë e Amerikës. Ajo e zhvilloi dhe e pasuroi atë, duke iu përgjigjur problemeve te kohës.
Si zonja e parë, u bë zëdhënëse energjike dhe përfaqësuese e nevojave të popullit te presidenti. Në programin e presidentit për daljen nga depresioni ekonomik u përfshinë edhe idetë e Eleonorës. Ajo priste e përcillte me kënaqësi në Shtëpinë e Bardhë mijra njerëz.
Zonja udhëtoi në të gjitha anët e vendit, dha leksione, mbajti konferenca shtypi dhe shprehu opinjone për çështjet e ditës në rubrikën e saj të përditshme (Dita ime) në shtyp. Ajo kishte kurajo të mbronte mendimin e saj botërisht për çështje të rëndësishme, madje edhe kur i shoqi i saj heshtte.
Në vitet ‘30-të ngriti zërin për krijimin e Gjykatës botërore, foli në radio e shkroi artikuj. "Me gjithë këto gjëra të tmerrshme që po ndodhin në botë, me rritjen e fazhizmit ne kemi nevojë për një siguri kolektive, ne na duhet një gjykatë botërore, diçka si Lidhja e Kombeve. Ne duhet ta luftojmë fazhizmin së bashku. Ne duhet t'u vëmë pritë Shteteve agresore...", theksonte Eleonora. Madje, më 1938, shkroi edhe një libër lidhur me këtë çështje. Libri titullohej "This troubled world" (Kjo botë e trazuar).
Pas hyrjes së Amerikës në Luftën e Dytë Botërore, Eleonora Ruzvelti vizitonte barakat e spitalet e ushtarëve të plagosur në ishujt e Pacifikut. Ajo ndalonte pranë shtratit të çdo ushtari për t'i thënë një fjalë kurajuese, për t'u thënë ushtarëve ato fjalë që vetëm nënat e tyre do t'u thoshin. Admirali Nimits shprehej se "askush s'ka bërë më shumë se ajo për të ngritur lart moralin e ushtarëve".
Gjatë luftës aktiviteti i saj u rrit në shkallë ndërkombëtare. Ajo punonte në OKB për themelimin e UNICEF-it dhe përpilimin e Deklaratës së të Drejtave të Njeriut.

* * *
Më 12 prill 1945, një telefonatë nga Warm Springs ku ndodhej i shoqi, i solli lajmin se Frenklini kishte rënë pa ndjenja.
Eleonora e ndjeu thellë në zemër se diçka e pariparueshme kishte ndodhur, por nuk donte t'ia pranonte as vetes që presidenti i SHBA-së, burri i saj, kishte vdekur.
Ajo thirri menjëherë zv.presidentin, Harri Truman dhe njoftoi djemtë.
I shoqi kishte lënë porosi me shkrim në të gjallë që të varrosej në Hajd Park.
"Unë jam shumë e sigurt”, kujtonte ajo, “që Frenklini e pranonte mendimin e vdekjes me po atë qetësi, siç pranonte jetën."
Pas vdekjes së të shoqit, Eleonor Ruzvelti u kthye në shtëpinë e saj në Hajd Park dhe një moment u duk sikur do të tërhiqej nga jeta shoqërore e politike. Por brënda vitit gjeti forca për ta vazhduar ndihmesën e saj në shërbim të njerëzimit.
Më 1945 Eleonor Ruzvelti ishte në përbërje të delegacionit të SHBA-së në Organizatën e Kombeve të Bashkuara. Delegacioni e zgjodhi atë në krye të komisionit për të drejtat e njeriut.
Ajo luftoi në Ansamblenë e Përgjithëshme të Kombeve të Bashkuara për miratimin e Rezolutës për refugjatët e Luftës së Dytë Botërore, ngulmonte që atyre t’u njihej e drejta e moskthimit në vendet prej ku ishin larguar, nëse nuk e dëshëronin kthimin.
Zonja Ruzvelti luftoi deri në fund për aprovimin e Deklaratës së Drejtave të Njeriut. Në opozitë me sovjetikët, që theksonin vetëm detyrat, ajo ishte për lirinë e të drejtat e individit, lirinë e besimit fetar dhe shkollimit.
Deri në vitet e fundit të jetës, Eleanor Ruzvelti vazhdoi të punonte papushim. Shkruante, ndërmerrte udhëtime nëpër botë, drekonte e bshkëbisedonte me presidentë dhe mbretër.
Por, gjithashtu, vizitonte edhe vende e popuj të varfër. Ajo shkoi në lagjet më të mjera të Indisë, shkeli fermat e Libanit. U takua me njerëz në tërë botën, me njerëz që kishin dëshirë ta njihnin. Zonja nuk e pushoi aktivitetin, derisa vdiq në nëntor 1962, në moshën 78 vjeçe.
Një nga admiruesit e saj tha: E kishte zakon që më mirë të ndizte një qiri, sesa të mallkonte errësirën.
Dhe drita e saj ngrohu botën

20 Prill 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›