E Shtunë, 31 Tetor 2026

Padrejtësia dhe heshtja nuk shkojnë bashkë



Intervistë me akademikun Abdulah Sidran, poet, shkrimtar, skenarist
- Cili ështe roli dhe misioni i intelektualit në shoqëri, posaçërisht ndaj politikës. A është e mundur që intelektuali ta mbajë një pozicion neutral nga partitë, nga politika?
Pyetja është e vjetër sa edhe vetë konceptet që përdorën për këtë, kurse përgjigje në formë të pastër e të qartë nuk ka. Nga shkaku se është e pamundur të jetohet “realiteti i pastër”. Duke vrojtuar idealisht , secila politikë meriton neverinë dhe urrejtjen e intelektualit të pavarur dhe autentik. Por në shoqëritë tona „parapolitike“ asgjë nuk e ka formën e vet ideale, as përmbajtje të pastër, kështu që politika dhe jeta shoqërore përgjithsisht janë të paimagjinueshme pa “intelektualin“. Duket sikur po përpiqëm të bëj pehlivanin, të vendos ekulibrër mes të dy mënyrave të kundërta (të pjesëmarrrjes në aksion dhe të mbetjes anash, vrojtimit, meditimit). Por duhet ditur, gjithashtu, se edhe partia e fortë politike i sheh me urrejtje të gjithë ata, të cilët do të donin të mbeteshin anash. Madje, shpesh i trajton më brutalisht sesa kundërshtarët politikë.
- Në retrospektivë, dy dekada pas, çfarë ishte roli i intelektualëve serbë në realizimin e projektit politik serbomadh?
Dy dekada apo dyqindvjet, krejtësisht njësoj, roli është i njëjtë. Të krijojnë program, të falsifikojnë historinë, popullin e vet ta mbajnë gjithnjë me bindjen se i është bërë padrejtësi historike, ta fshehin përjetësisht, mos t’i pranojnë dhe të heshtin për padrejtësitë dhe të këqijat të cilat populli i tyre u ka shkaktuar të tjerëve, në vetëdijen popullore ta mbajnë zgjuar çdo ditë “gatishmërinë luftarake”, pa zgjedhur mjetet. Po të jetë e mundur, ju lutem, i hidhni një sy fotografisë (ndoshta është vizatim) të faqes pesë të gazetës “Politika”, 11 prill 2009. Në plan të parë janë duart e kirurgut, shuplakat në dorëzat e përgjakura kirurgjike. Kurse poshtë fotos shënimi: “Duart e përgjakura të terroristëve shqiptarë”. Në këtë mënyrë mediakisht i kanë përgatitur krimet në Bosnje.
- A kishte iluizione te populli i Bosnjës për mundësitë e bashkëjetesës në Bosnje e Hercegovinë? Keni deklaruar se Bosnja nuk është shkatërruar nga urrejtja, por nga mosnjohja e urrejtjes. Në ç’masë janë ruajtur apo rrënuar marrëdhëniet tradicionale mes bashkësive nacionale në këtë vend? Bosnja ekziston, por a ekzistojnë edhe më tej shoqëria e marrëdhëniet tradicionale? A mund ta shpjegoni sintagmën tuaj “Bosniakisht mbrapsht”?
Mundësinë e jetesës së përbashkët asnjëherë nuk do ta quaja iluzion. Në atë rast jeta në Planetin Tokë, tekefundit, do të ishte iluzore. Pamundësinë që më shumë popuj të jetojnë bashkë janë përpjekur ta shpjegojnë projektet shtetomëdha të fqinjve tanë, së pari të Sërbisë e pastaj edhe të Kroacisë. Mënyra për ta provuar atë që nuk mund të dëshmohet, ishte prodhimi i krimeve të mëdha, më të rëndat, deri te krimi i gjenocidit. Edhe sot këtë pamundësi përpiqen ta dëshmojnmë ata, për të cilët termi „bashkëjetesë“ është i dashur, ndaj ndërtojnë jetë paralele, të ndarë, kudo që ia arrijnë, qysh nga shkollat dhe qderi në çerdhet e fëmijëve
- A i ëndërroni miqtë tuaj të dikurshëm sarajevas , nga të cilët disa kanë kaluar në radhët e formacioneve çetnike, si ideatorë, inspirues, ekzekutues të projektit serbomadh, ndër të cilët edhe Emir Kusturica, tashmë i deklaruar haptas si serb etnik, ortodoks?
Jo, jo më. Për këtë kam folur më parë, para më shumë se dhjetë viteve a më tepër, kur më ka ndodhur që me miqtë e paraluftës të ëndërroni9m krejt ndryshe... Atëherë ende nuk ishte në ndërdije (nga ajo vijnë ëndrra dhe ëndërrimi!) ajo që do të ndodhte, kur ja behu realiteti tjetër.Tani përpiqëm që të mos mendoj për ata. Le ta bartë secili kryqin e vet. Po që se akcili ka zgjedhur të jetë budalla, pse të përzihem unë.
- Metafora juaj për fundosjen e Venecias a ka vlerëshmëri, referencë për qytetet e këtushme apo për civilizimin perëndimor, i cili një kohë të gjatë mbeti indiferent e pasiv në rastin e agresionit ndaj Bosnjes? Në ç’masë kjo metaforë është edhe profeci?
Po atë vit, më 1993, kam dëshiruar që kënga ime ta ketë forcën e mallkimit popullor. Kam menduar në mënyrë naive se si bota nuk di përse është fjala, prandaj edhe nuk ndërmerr asgjë. Kënga (poezia) është e rëndësishme edhe për atë që ka të bëj me vetë ne, boshnjakët, edhe për elitën intelektuale të saj zyrtare. Në elitën boshnjake edhe sot ndodhin marrëzi dhe huti lidhur me kuptimin e identitetit vetjak. Çfarë është Bosnja, kush janë bosnianët, kush janë boshnjakët? Ekziston në poezinë “Pse fundoset Venecia” një varg, ku ngulmohet fuqishëm në nocionin Kufinjtë, shkruar me shkronjën e madhe “K“. Nga viti 1054, përgjatë lumit Drina, që nga Jugu në Veri, rrjedh kufiri mes Lindjes dhe Perëndimit. Besoj se për kuptimin e identitetit ky fakt (Kufiri, Kufiri!) është më i rëndësishëm nga fakti i asaj apo kësaj përkatësie fetare. Në këtë sens ka shumëçka të mësohet nga liderët politikë shqiptarë (kosovarë)...
- Kur nga Zvorniku keni arrdhur në Sarajevë, me rastin e thirrjes nga mësuesi, në orën e parë të mësimit si nxënës i klasës së pestë keni deklaruar se jeni serb,derisa e tërë klasa ka shpërthyer në gaz! Si ndodhi ashtu dhe ajo ndjenjë e fëmijërisë a ka lënë gjurmë në jetën dhe krijimtarinë tuaj të mëvonshme?
Ashtu ishte. Qeshje, tallje, ndjenjë e inferioritetit. E kush e di sa familje ishin të tilla dhe individë të tillë (muslimanë të Bosnjes !) që duhej të përcaktoheshin ose jo. Traditë e tyrashëguar që nga Mbretëria e Serbëve, Kroatëve dhe Sllovenëve, Mbretërisë së Jugosllavisë . Babai im, si një fajtor politik (i sapoardhur nga burgu i Goli Otokut), ishte përpjekur që në atë mënyrë ta dëshmojë një besnikëri ndaj sistemit. Besnikëri e jo lojalitet, lojaliteti nuk ishte i mjaftueshëm, kërkohej besnikëri, besnikeri skllavi ndaj regjimit. Në Zvronik ishim mësuar të simpatizonim klubin futbollistik serb Ylli i Kuq. Të shumta, të nmdryshme janë mundimet e rritjes njerëzore.
- Keni theksuar se jeni absolutisht konsekuent, si shprehje e një substancialiteti vetanak. Çfarë do të thotë kjo?
Në Sarajevë janë disa gazetarë, të cilët me akuzojnë shpesh për njëfarëlloj moskonsekuence politike.. Thonë: ishte me reformistët e Ante Markoviqit, pastaj ishte me Alija Izetbegoviçin, për vete thotë se ështe me të majtët, etj. E tëra kjo, për lexuesit tuaj, është goxha e komplikuar . Shkurtimisht, pas vitit 1990 nuk jam anëtar i asnjë partie politike, pozicionohem sipas personave konkretë dhe ndaj ideve konkrete. Kjo po, kjo jo. Ky po, ky jo… Në prag të të gjitha zgjedhjeve, qëndrimi im publik fiton pikë të reja, prandaj personaliteti im, mundësisht, duhet komprometuar në çfarëdo mënyre.
E si ndjehem politikisht dhe ku e shoh veten politikisht? Më duket se në skenën ish-jugosllave nuk ka ndonjë parti të majt, së cilës do të kisha dëshirë t’i takoja.
- Flisni për analfabetizmin, gjysmëanalfabetizmin në shoqërinë e tanishme të Bosnjes e Hercegovinës, për diktaturën e sipërfaqësisë, ku humbet esenca dhe përgjithësisht ideja e ardhmërisë…
Po, kjo është një fatkeqësi. Do të dëshmohet në shtigje të gjata sesi dëmët materiale, të shkaktuara nga seria e luftërave (të marrëveshura e jo të marrëveshura) gjithsesi janë më pak të rëndësishme (dhe më lehtë do të kompensohen), sesa dët që vijnë nga anarkia dhe mungesa e sistemit të vlerave. E kam fjalën për instalimin e asaj që do ta quaja terrori i analfabetëve, diktatura e mendjecektëve. Liderët tanë shtetërorë e politikë ulën në rendet e para në koncerte të turbo folk yjeve, përurojnë ekspozita të piktorëve sharlatanë dhe të pacerëve, promovojnë libra të ngjashëm me ato të dikletantëve letrarë.
- Me shpalljen e pavarësisë së Kosovës a është varrosur përfundimisht projekti politik serbomadh?
Ndoshta, sa i përket Kosovës, po. Dhëntë Zoti të jetë kështu . Por a e dini se çfarë është trishtuese? Trimi bosnian, gjenerali Atif Dudakoviq, ka thënë: “Lufta ka mbaruar vetëm për ata që janë vrarë në luftë!” Projekti serbomadh është shumë i gjallë, për të punojnë çdo ditë dhjetëra mijëra politikanë, informatorë ushtarakë e policorë, gazetarë, punëtorë kulturorë e publikë. Dhe do të jetë i gjallë ky projekt, derisa sëpaku në bankën fiktive të të akuzuarit nuk të gjinden ata dhjetë ideologët më të rëndësishëm, që nga Dobrica Qosiqi e Millorad Ekmeçiqi, deri te Vasilije Krestiqi, Miroljub Jeftiqi e Veselin Gjuretiqi. Për shkak të tyre do të duhej menduar për themelimin e diçkaje të ngjashme me Gjygjin e dikurshëm të Raselit. Urgjentisht.
- Sa e si i njihni shqiptarët, Kosovën, Shqipërinë, kulturën shqiptare, shkrimtarët, skenaristët, regjisorët?
Pak, fatkeqësit pak, shumë pak. Kanë mbetur disa miqësi letrare të paraluftës, kanë mbetur disa lidhje me punëtorët e filmit në Kosovë. Rregullisht dëgjohemi, shihemi, më ka ardhur edhe në Gorazhd një punëtor filmi serioz nga Prishtina, gjurmojmë për një rrëfim të mirë filmik. Nëse e gjejmë, do të jem në Kosovë që. para shkrimit të skenarit, të njoh terrenin.
- Në cilat fusha të kulturës është i mundur begatimi, intensifikimi i bashkëpunimit mes vendeve të rajonit, posaçërisht mes Kosovës, Bosnje e Hercegovinës dhe Shqipërisë?
Në të gjitha fushat. Çfarë është zbrazët nga përmbajtja, duhet plotësuar e mbushur. Që t’i qasemi kësaj pune, nuk duhet të jetë pengesë fakti i mospranimit të Kosovës nga Bosnja e Hercegovina. Kosovarët duhet ta kuptojnë specifikën e trepushtetit etnik të Bosnjes. Hajde, të punojmë, mos të shikojmë formalitetet.
- Keni deklaruar se në këtë planet ekzistencën e Zotit më se miri e dëshmojnë poezia dhe muzika. Si kështu?
Poezia, muzika, shahu, fytyra fëmijërore, qielli me yje, buburreci, sythi i lules, përroi malor dhe derdhja e lumit Nil! Para Madhështisë, të cilën nuk mund ta arrijmë me arsye.. Çka është Zoti, nëse nuk është kjo?!
Bisedoi Smajl SAKA

20 Prill 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›