Kur heronjtë flenë
Ramiz GJINI
Shkrimtari Nurçe e zgjodhi Simën e Zef Shulit si heroin kryesor të romanit, që donte të shkruante.
Pati shumë besim që Sima do të mund të ndizte konflikte mjaft të ashpra. Mirëpo rrëfimi ngeci në vend, sepse Sima u bënte bisht të gjitha situatave, ku jeta dhe shkrimtari Nurçe kërkonin ta fusnin. Shumicën e kohës, Sima e kalonte në gjumë. Kurse ndjenjat nuk i shfaqte as para njerëzve të tij të afërt, jo më para një shkrimtari. Dhe as që bëhej fjalë për konflikte.
Nëse bënte ndonjë lëvizje, kjo lëvizje e Simës ose do të ishte e pamotivuar, ose do të ishte një lëvizje e sforcuar nga ndonjë destin i paqartë e i dyshimtë. Me atë përtaci prej ligaveci të jargëzuar, Sima kurrë nuk do të mund t’i tërhiqte drejt fundit të subjektit gjithë ato rreshta ende të pashkruar. Kështu, përfundimisht, shkrimtari Nurçe ndërroi mendje: vendosi t’ia hiqte Simës nga supet barrën e rëndë të romanit dhe t’i ngarkonte atë të një novele.
Pas këtij vendimi, ai i vajti Simës në shtëpi që t’ia thoshte e njëkohësisht të merrte prej tij një farë ngacmimi. Një ngacmim që do të mund t’i jepte novelës shkëndijën e parë.
* * *
E priti e ëma e Simës, plaka Davë, e cila kishte dalë në oborr dhe po ushqente pulat.
- Urdhëroni, profesor, - i tha ajo sapo e pa. - Mirëse na erdhët në shtëpinë tonë!
- Çfarë bën ai heroi im, pashë Zotin?! - pyeti Nurçja me një lloj familjariteti, që karakterizon shkrimtarët popullorë.
- Hiç, - tha Dava, - heroi yt fle gjumë.
- Duhet zgjuar, - tha i vendosur Nurçja. - Nuk mban më ujë pilafi.
Dava para, Nurçja pas saj, hynë brenda në shtëpi.
Në dhomën e ndenjes, plaka iu lut Nurçes që të ulej në divan. Duhej të priste sa të zgjonte të birin, që gërhiste në dhomën e gjumit. Tjetri zuri vend dhe mori pozën e një babaxhani, që ka shumë vërejtje miqësore për të bërë.
Që nga dhoma e gjumit, atij i erdhi në vesh zëri i plakës, një zë i përmbajtur e gati si pëshpërimë:
- Zgjohu shpejt, Simë, sepse na ka ardhur në shtëpi shkrimtari i madh, Nurçe!
Simës nuk i bëri tërr veshi nga ato që i tha e ëma. Mërmëriti ca fjalë përçartmas si në jerm dhe vazhdoi të gërhiste, pa luajtur fare nga vendi!
- Simë, të keqen nëna, - iu lut sërish ajo, - ke qysh pardje që fle gjumë. Zgjohu njëherë siç e ka dhënë Zoti, të marrtë e mira, të marrtë!
Sima, hiç. As që i hynin në vesh fjalët e saj. Atëherë, e ëma vajti dhe hapi kanatet e të dyja dritareve.
Në dhomë ia behu e fuqishme rropama e tre matrapikëve, me të cilët punëtorët e një firme po thyenin asfaltin e rrugës. Por Sima nuk donte t’ia dinte as për gjëmime topash, le për zhurmë matrapikësh.
- Zgjohu, pra! - briti fort në herë të tretë plaka Davë. - Nuk të vjen turp që e lë një shkrimtar të presë kaq gjatë mu brenda në shtëpinë tënde?!
Në vend të përgjigjes, pa hapur as gojën, as sytë, Sima mërmëriti nëpër dhëmbë diçka të pakuptimtë. Pastaj u dëgjua zhurma e krevatit që kërciti; dhe në fund, sërish heshtje. Heroi i historisë, që pritej të shkruhej, qe kthyer në krahun tjetër!
Atëherë shkrimtari u ngrit dhe vajti ta zgjonte vetë Simën.
* * *
Kur Nurçja u dha në derë, plaka Davë ngriti supet dhe bëri një gjest, si të deshte t’i thoshte që nuk kishte ç’t’i bënte të birit. Ndërsa kryqëzoi duart, ajo psherëtiu dhe qëndroi në pritje. Shkrimtari Nurçe iu afrua ngadalë shtratit, dhe, ndërsa e tundte Simën, i tha:
- Kam ndërruar mendje, o Simë, ta dish.
- Për çfarë e ke fjalën, zotëri? - pyeti ngadalë e përgjumësh, pa i hapur sytë Sima.
- Vendosa të shkruaj novelë, jo roman, - tha shkrimtari Nurçe. Dhe pyeti: - Si mendon ti, o Simë?
- Shkruaj çfarë të duash, veç mua më lër rehat, sepse s’ta kam hiç qejfin, - u përgjigj pa pik turpi Sima.
Shkrimtari u fye rëndë nga sjellja pa edukatë e heroit të novelës, që pritej të shkruhej. U nis të dilte jashtë pa u përshëndetur me plakën, e cila i lutej të pinte një kafe të paktën.
- Nuk dua kafe, - tha fort i mërzitur Nurçja. - Dua që ai derr gjumash të zgjohet dhe të veprojë brenda bërthamës së aksionit...
- I ka ngjarë të atit, ndjesë pastë, - ia priti plaka Davë. - Edhe ai kështu ka qenë. E ka pasur rrashtën pa asnjë bërthamë dhe, gjithnjë u bënte bisht aksioneve. Kur vdiq, tri ditë rresht memzi i dhamë dum, ishte në gjumë apo kishte vdekur.
Kur doli në oborr, si për të shfryrë inatin, Nurçja gjuajti me shkelm një pulë qafërrjepur. Pula kërceu përpjetë duke lëshuar eterit një kakarisje, që nuk dihet përse atij iu duk si e sharë me rob shpie. Edhe në rastin e novelës, Sima i Zef Shulit i ngulte këmbët si gomari në akull dhe nuk donte të bënte as edhe një hap përpara!
Qejfëprishur, Nurçja, ia shkarkoi Simës barrën e rëndë të novelës dhe i ngarkoi atë të një tregimi.
Në rastin e tregimit, mendoi ai, nuk do të hyj në vëzhgime të thella, nuk do të më duhet të ndaloj në gjërat e dorës së dytë, të zbërthej asosacione e të zgjoj te lexuesi reminishenca. Le të shpresojmë që, me tregimin, Sima do të zgjohet e do të bëjë përpara.
Mirëpo edhe ditët që pasuan nuk sollën asgjë të re, që t‘i jepte mundësinë shkrimtarit Nurçe të hidhte në letër, të paktën, një rresht të vetëm për tregimin.
* * *
Sima i Zef Shulit, si një ditë dhe në tjetrën, vazhdonte të gërhiste në gjumë. Edhe nëse ngrihej nga shtrati, nuk krijonte situatë. Vështronte nga dritarja me shpërfillje orët që merrnin arratinë njëra pas tjetrës. Hante bukë, pinte ujë, shtriqej, hapte gojën me sytë nga tavani, derisa më në fund e mbërthente sërish gjumi!
Më kot shkrimtari u përpoq të kapte te heroi i tij ndonjë lëvizje me tharm, ndonjë detaj të gjallë e domethënës, apo ndonjë dialog të zgjuar mes Simës dhe të tjerëve, që të kishte mundësi të merrte një ngacmim.
Për faj të Simës, rrëfimi i historisë, që donte të shkruante Nurçja, kishte ngecur në vetën e katërt! Sepse, Sima si Simë që ishte, nuk donte kurrësesi të zgjedhohej brenda kësaj bote.
Një ditë (Nurçja kurrë nuk do ta harronte), ndodhi, që e takoi heroin e tij në rrugë. Ai u gëzua shumë, kur pa që Sima kishte dalë jashtë! Mbante në dorë një alamet dajaku të madh prej dru vidhi, fliste me vete dhe grindej nga një inat i mezipërmbajtur. “Më në fund, - tha me vehte shkrimtari, - Sima i paska vendosur vetes një qëllim. Tashmë, ai paska një arsye që do ta shtyjë të veprojë. Kështu, lavdi Zotit, do të mund ta shkruaj tregimin.”
- Gëzohem shumë që të shoh, Simë, - i tha Nurçja duke iu avitur. Dhe pyeti: - Për ku qenke nisur kështu?
- Për askund, - ia ktheu Sima. - Dola kot, për qejf.
Shkrimtari Nurçe u step. As që e kishte pritur këtë përgjigje kaq dinake nga Sima.
- Mos ma dridh mua, - e paralajmëroi duke luajtur kokën qortueshëm. Dhe vijoi: - Ti nuk ke dalë nga shtëpia kot fare. Unë s’ta kam thënë, por ta dish se kam hequr dorë edhe nga novela. Kam vendosur të shkruaj tregim. Do të më thuash tani, përse ke dalë jashtë?
- Kot, për besë, kot, - përsëriti Sima. - ǒtë bëja? Thashë, po dal njëherë dhe dola. Ti mund ta shkruash edhe kështu tregimin. Pse jo?
Dhe, si të donte t’u vinte pikë fjalëve të tij, goditi fort tokën me majën e shkopit.
- Po dajakun përse e ke marrë me vete? - pyeti shkrimtari Nurçe. - Hë, ma thuaj, Simë, - e nxiti. - Sepse ti nuk e ke marrë kot gjithë këtë alamet dajaku.
- Të bëj bè në Krisht se e kam marrë krejt kotnasikot, - tha Sima. Dhe si u mendua një çast, shtoi: - Megjithatë, po ta jap një mundësi ta shkruash tregimin...
Dhe, krejt papritur, i hovi shkrimtarit Nurçe me dajak kokës.
Nurçja, zgurdulloi sytë, bëri marrakëmbëthi një gjysëmrrotullim të pavullnetshëm dhe, përnjëherësh, u shemb përtokë pa ndjenja.
Sima i Zef Shulit hodhi dajakun dhe ia mbathi turravrap me të katra.
Dy kalimtarë të rastit e ndërmendën shkrimtarin me uji të ftohtë. Ndërsa e mbanin për krahësh kalaviçash, njëri prej tyre e pyeti nëse e njihte atë bandit kaq të poshtër, që e goditi dhe ia mbathi me vrap.
Ai shpjegoi se njeriu, i cili e kishte goditur, ishte heroi i një historie që s‘po e shkruante dot.
- Por cili ishte shkaku që të goditi?! - pyeti tjetri.
- Për hir të historisë, pra, - tha me nervozitet Nurçja, ndërsa frymëmerrte me zor nga tronditja dhe dhimbja e kokës. - Ky qe shkaku, më goditi që të shkruhet historia.
Ata panë njëri-tjetrin me habi.
E futën brenda në shtëpi, pastaj dolën dhe e lanë vetëm.
Shkrimtari Nurçe piu një tabletë varfarinë, u ul në tryezën e tij të punës, mori penën dhe nisi të shkruante historinë.
20 Prill 2009