“NE DHE LENINI” – një komedi njerëzore
“Ne dhe Lenini” është filmi shqiptar më i realizuar i periudhës së postkomunizmit, jo vetëm nga gjuha filmike e loja e aktorëve, por edhe nga tema thellësisht njerëzore që trajton e sidomos nga vertetësia, me të cilën trajtohet kjo temë. Saimir Kumbaro – autor i filmave “Koncert në Vitin 36” dhe “Vdekja e Kalit” – është regjisori im i parapëlqyer shqiptar. Dhe sidomos ky film jep shpjegimin më elokuent perse ai mbetet regjisori më i sukseshëm i kinemasë shqiptare.
Ron BERISHA
Skema e filmit «Ne dhe Lenini» është shumë e thjeshtë: një shtëpie të moshuarish diku në Shqipëri i ka rënë plani, do zhduket nga harta e, në vend të saj, do të ndërtohet një pallat gjigand. Pse? Për arsye fitimi. Pyetja: si do t’i bëhet halli këtyre njerëzve?
Nëpërmjet kësaj gjetjeje të thjeshtë e të bukur, ky film përcjell disa ide shumë komplekse.
* * *
Ngjarjet zhvillohen në Shqipërinë postkomuniste, një vend ku “të moshuarit” janë nxjerrë jashtë loje. Shtëpia e pleqve, që mban emrin“Lulet e Vjeshtes”, përmbledh si të thuash “mbeturinat” e shoqërisë së vjetër që nuk i duhen shoqërisë së re: ish-të burgosur politikë, ish-stalinistë që “nuk i nderrojnë flamurët”, prindër që “turpërojnë” të bijtë me sjelljen e tyre te pakontrolluar, artistë dikur të merituar por tani të harruar, gra që nuk kanë as burrë, as fëmijë, as shtepi, e asgjë tjetër përveç varrit të mundshëm.
Shtëpinë – si edhe Shqiperinë – e kanë në dorë biznesmenët e paskrupullt, falsifikuesit e ish-komunistët, që kanë zënë vendin e komunistëve. Pornografia është tashmë pjesë e jetës shqiptare, madje është ana tjetër e monedhës së politikes – gjë që paraqitet aq bukur e në mënyre aq efektive me reklamën e prapanicës tunduese, e cila zëvendësohet brenda sekondash me fytyrën groteske të politikanit kandidat për deputet, e anasjelltas. Pra, një PPSH e re zë vendin e PPSH-së së vjetër, e dikurshmja Partia e Punes së Shqiperisë - zevendësohet me partinë e re: Para/ Pornografi/ Shitje (e shpirtit).
Filmi tregon, nepërmjet një gjuhe filmike mjaft të arritur, rezistencën e këtyre të dëbuarve për të mbajtur me çdo kusht atë hapësirë të përbashkët ku, mirë a keq, ata kanë krijuar jetën e tyre. Në rrjedhën e kësaj përpjekjeje, shpaloset edhe galeria e pasur e personazheve të kesaj komedie njerëzore, që janë, për mendimin tim, forca e dinamizmi i filmit. Njëri nga këta është Zeneli, një idealist-komunist i betuar (interpretuar aq bukur nga Robert Ndrenika), i cili nuk është nga ata që i “ndërrojnë flamujt për kollaj”. Ai jeton në një botë që duhej të kishte marrë fund me kohë, po që në fakt është gjallë e shëndosh sot e kesaj dite. Marrëdhënia e tij me Betin (Margerita Xhepa), të cilën ai e ka braktisur bashkë me fëmijen e tij, vërteton thënien e Oscar Ëilde se njeriu nuk është kurrë aq i pasur, sa të blejë të kaluarën e tij.
* * *
Personazhet prezantohen bukur nëpërmjet xhuxhmaxhuxhit Faredin, që punon në Qendër e që shërben si nderlidhes i tyre. Një tjeter karakter, paraqitur me po aq vertetësi sa personzhi i Ndrenikës, është personazhi i Tinka Kurtit – një grua e cila fisnikërinë e shpirtit e ka të shkruar në fytyrë. Ajo ka siguruar varrin e saj për së gjalli; asgjë tjeter nuk arriti kjo grua të mbajë, të ndalojë, të zotërojë gjatë jetës së saj, perveç ketij varri – as vdekjen e të shoqit, as humbjen e baneses (të meparshmen e të tashmen), as “plakjen”, që nuk është tjeter veç një maskë që natyra ka vendosur t’ia imponojë qenies njerëzore, në një kohë kur shpirti është po aq i ri sa ka qenë para 30 a 40 vjetësh. “La gallina vecchia fa buon’ brodo!” i thotë ajo djalit të ri, që e shoqëron me motor të varrezat (pula e moçme ben supë të mirë!)..
Zino, më simpatiku nga të gjithë, i interpretuar nga Mirush Kabashi, i jep filmit gjallëri e sjell te publiku shqiptar humor të sinqertë njerëzor, humor felinian, për të cilin ai ka kaq shumë nevojë . Zino mishëron idenë se oreksi për jeten, për “gjërat e bukura”, siç i quan ai femrat, nuk bie me moshën, por ka raste që vjen duke u rritur; e kjo shkakton skandal, siç ka ndodhur me rastin e tij, ku të bijtë e kanë dëbuar nga shtëpia, sepse ka dashur të rimartohet pas vdekjes së të shoqes, në një moshë që konsiderohet “jo serioze” për martesë.
Aktorët nuk kishte se si te zgjidheshin më mirë: Emilin e interpreton Mehdi Malkaj, që ka pasë luajtur të famshmin Xha Braho dikur, tek “Gjuetia e Fundit”. Ish i burgosur politik e antikomunist i betuar, Emili nuk humbet as edhe nje shans të ndeshet me Zenelin dhe personazhin e luajtur nga Hajrie Rondo, e t’u kujtojë atyre se “Lenini ka qene kurvar”. Në këto grindje e gërricje plot humor, del ajo që regjisori ka dashur dhe ia ka arritur të theksojë me aq forcë e këmbëngulje në film: nostalgjinë për periudhën e diktatures komuniste, e shprehur jo vetem nga ish-pushtetarët, po edhe nga ajo pjesë e popullsisë që është e pakënaqur me sistemin e ri, ku, sipas tyre, mbretëron kaosi e kazinotë.
* * *
Nuk shoh probleme serioze në dramacitetin e filmit, siç pretendojnë disa.
Në kurset e përgatitjes së skenaristëve, të udhëzojnë gjithmonë të shmangesh skenat, sekuencat e dialogjet që nuk çojnë përpara rrëfimin e ngjarjes.. Por kjo nuk duhet të bëhet libër i shenjtë as për skenaristin, as për regjisorin. Po të fetishizohej “preçizioni”, nuk do te kishte ekziztuar as Felini (ose do te ishte ndalur në filmat e fazës së parë të karrierës së tij), as Almodovari, as Antonioni. « Ne dhe Lenini » nuk eshte film-formulë, kështu që struktura nuk ka pse i nënshtrohet me fanatizem recetave që thonë, p.sh, se mbas kaq e kaq minutash duhet të ndodhe kjo e kjo, si rrjedhojë e kesaj apo asaj, që të mos merzitet ky apo ai spektator... Një shembull në film është skena e gatimit dhe e ngrënies së makaronave në mes të natës; kjo mund të mos e çojë perpara ngjarjen, po është aq njerëzore, sa duket sikur është e domosdoshme.
Regjisori i madh francez Robert Bresson e quan kinemanë një “shkrim me imazhe levizëse dhe zë”, e thekson se arti i kinemasë duhet t’i largohet Teatrit, të mos shndërrohet në atë që ai e quan “pjesë teatrale e filmuar”; struktura e një filmi, thotë ai, duhet t’i pershtatet lëvizjeve të brendshme të personazheve, rrahjes së zemrave të tyre. Me fjalë të tjera, vizionit e ritmit të brendshëm të kineastit.
Tempoja e komedisë është më esencialja në rastin e filmit tonë dhe këtë regjisori e ka arritur plotësisht, si në skenat vizuale (kur Zino ia ngul sytë këmbeve të femrave – tek biçikleta e në rrugë, kur terhiqet nga shokët e tij), po ashtu edhe ne skenat me dialogje (kur Zeneli jep intervistë për një kanal televiziv e ndërpritet nga Emili – tempoja e komedisë është kaq e saktë në këtë rast, e arsyeja është se skena ndërpritet pikërisht aty kur duhej!)
* * *
Ka një problem të vogël në film: shtepia “Lulet e Vjeshtes” duket pak si shumë perfekte për të qenë shtepi të moshuarish në Shqipëri; pak si shumë e pastër e me punonjës si teper të sjellshëm, tepër të kulturuar, për të mos permendur shampanjën. Personalisht nuk kam parë shtëpi të moshuarish, por kur mendon njeriu per spitalet e llahtarshme të Shqiperisë në atë periudhë, nuk ke se si të mos mendosh per një vend utopik në standartin shqiptar të fjalës.
Tjetra: i vetmi perzonash në këtë film që nuk na bind, çuditerisht, është po ai personazh që hap e mbyll filmin: aktori Llazar Korita, i cili jeton ende në epoken e tij “të artë”, kur ka interpretuar Tavarish Leninin, personazhi që e ka bëre të famshëm. Ky rol, që duket se është një sajim i regjisorit e jo i marrë nga drama e Pulahës “Streha e të Harruarve”, ku ky film është bazuar, i jepet po atij aktori (Lazër Filipi) që në realitet ka luajtur Leninin, e që fatkeqësisht kujtohet veçanërisht për atë rol. Gjetja ështe e bukur, por në film ky personazh është një njeri i mirë, i butë, zemërgjerë e aspak budalla. A nuk e kupton, vallë, aktori se ajo figurë që ngulmon ta imitojë në jetën e përditshme gati-gati në mënyre patologjike, ka qenë një ndër kriminelët më të mëdhenj të shekullit XX? Nuk është fjala që të mohohet çdo gjë që është bërë e krijuar në atë kohë; po në këte rast me duket se ka diçka që stonon me një personazh të tillë, aq të mirë, gjeneroz e pozitiv, me mendje krejt të shendoshë e me dialekt shkodran, që sillet lart e poshtë me duar mbrapa, i veshur si ideatori e udhehëqesi i një revolucioni e rendi që solli shkatërrimin e një pjese të madhe të botës.
Disa janë të mendimit se personazhi i Lazër Filipit është më i godituri i filmit, dhe skena e paraqitjese se “Orëve të Kremlinit” është ajo që sugjeron se këtij personazhi, si edhe shumë të tjerëve, i është ndalur sahati në atë kohë dhe nuk i lëviz më. Dhe se këta lloj njerzish duhet të kuptohen...
Filmi mbyllet me një imazh pajtimi (flas para epilogut të Llazar Koritës): dora e Zenelit mbi atë të Betit. Mesazhi këtu është i qartë: fal e harro, si thonë anglezet (forgive and forget), ose të shkuara e të harruara, si thotë populli. Harro duke kujtuar, do të thoja unë, që të ecim përpara.
* * *
“Ne dhe Lenini” është filmi shqiptar më i realizuar i periudhës së postkomunizmit, jo vetëm nga gjuha filmike e loja e aktorëve, por edhe nga tema thellësisht njerëzore që trajton e sidomos nga vertetësia, me të cilën trajtohet kjo temë.
Saimir Kumbaro – autor i filmave “Koncert në Vitin 36” dhe “Vdekja e Kalit” – është regjisori im i preferuar shqiptar. Dhe sidomos ky film jep shpjegimin më elokuent perse ai mbetet regjisori më i sukseshëm i kinemasë shqiptare.
20 Prill 2009