Si të shpejtohet politika europiane e Kosovës?
1.
Pas miratimit të Traktatit të Lisbonës nga të gjitha vendet e Bashkimit Europian, do të jetë i pritur interpretimi se janë rihapur dyert e BE-së për integrimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor.
Dhe, kjo do të jetë e vërtetë, por vetëm nga perspektiva e Brukselit. Nuk do të jetë e vërtetë, megjithatë, nga perspektiva e të pazgjidhurave në një pjesë të Ballkanit perëndimor, në hapësirën e shteteve të papërfunduara. Bosnja e Hercegovina, në pamundësi të vendosjes së sovranitetit të qytetarëve të vet, me Kushtetutë vetjake e jo me pushtetin e Marrëveshjes së Paqes së Daytonit, është një shtet i papërfunduar. Po ashtu është Kosova, e ndarë de facto territorialisht, dhe me identitet të kontestuar ndërkombëtar. Rrjedhimisht, shtet i papërfunduar është Serbia, e cila duke ndihmuar ndarjen e Bosnjës dhe duke u angazhuar drejtpërsëdrejti në kontestimin e funksionimit të Kosovës e të legjitimitetit të saj ndërkombëtar, është duke e konsideruar të papërfunduar veten, gjegjësisht sovranitetin e saj në territorin e Republikës së Serbisë. E tërë kjo ka, tërthorazi, ndikim në Maqedoni, me identitetin e brishtë të saj shtetëror.
Nuk mund të ketë proces të shpejtuar të integrimit të kësaj hapësire në BE pa e rrumbullakësuar shtetësinë e tyre, e ky rrumbullakësim nuk është i mundur pa ndikimin e sforcuar të BE-së, në partneritet me SHBA-të. Por, për dallim prej të gjitha viteve të deritanishme, prej fillimit të zhbërjes së ish-Jugosllavisë deri më sot, Bashkimi Europian ka rast të demonstrojë fuqinë e vet "të butë". Problemet e tanishme në trekëndëshin Bosnjë-Kosovë-Serbi janë të natyrës së padhunshme, janë të pas-konfliktit të armatosur, pra edhe të hapura për kushtëzime integruese të BE-së.
2.
Bashkimi Europian është tashmë, në shkallë të ndryshme, aktor i involvuar në ndryshimet që bëhen në hapësirën e Ballkanit Perëndimor. Raporti i progresit i vendeve të kësaj hapësire ka mundësi të bëhet instrumenti kyç matje i shkallës së ndryshimit, pra dhe orientuesi i politikëbërjes në ato vende.
Por, në rastin e Kosovës, Raporti i Progresit është matës i dyfishtë: vlerëson shkallën e progresit të institucioneve vendore, duke vlerësuar njëkohësisht edhe veprimin e institucioneve të BE-së në Kosovë. Bashkimi Europian nuk është vëzhgues i interesuar në Kosovë, por pjesëmarrës aktiv, me kompetenca ekzekutive në gjyqësor dhe qeverisje.
Nëse është kështu, atëherë në 12 muajt e ardhshëm mu Bashkimi Europian do të ballafaqohet me dy pengesat kryesore të brendshme të Kosovës për avancimin në një rrugë europiane të zhvillimit, që të dyja të identifikuara në Raportin e Progresit (që, për shkak të prapakthimit të identifikuar në shumë fusha mund të quhej edhe Raport i regresit). Pengesa e parë është rritja dramatike e keqmenaxhimit të parasë publike që shpie drejt uzurpimit të qeverisjes nga një grup njerëzish. Një rritje kaq e shënuar e korrupsionit ka efekte paralizuese në shtetndërtim, pra edhe në aftësinë e shtetit për të vijuar politika integruese europiane. Pengesa e dytë është ndarja faktike e vendit, gjegjësisht mungesa e unifikimit të tij si një hapësirë ligjore, pengesë fundamentale për zhvillimin e politikave integruese (apo çfarë politike tjetër zhvillimore) për tërë vendin.
EULEX-I, më shumë se çdo faktor tjetër në Kosovë, ka kompetenca për të eliminuar këto pengesa, dhe moseliminimi i tyre do të mund të matej si dështim i BE-së, krahas dështimit evident të institucioneve kosovare të qeverisjes.
3.
Komisioni Europian është përpjekur të gjejë një zgjidhje për perspektivën europiane të Kosovës, duke avancuar në Studimin e vet për Kosovën përtej "mekanizmit përcjellës të stabilizim-asociimit" që është përdorur deri më tani. Ky hap mund të quhej i ndërmjetëm, gjegjësisht hap mes "mekanizmit përcjellës" dhe marrëdhënies që duhet ta ketë shteti i Kosovës, si çdo shtet tjetër, marrëdhënia e kontraktualitetit.(Kosova është sot i vetmi vend në tërë hapësirën e Ballkanit Perëndimor që nuk ka marrëdhënie kontraktualiteti me BE-në.)
Hapi i ndërmjetëm do të mund të shfrytëzohej për të mbërritur te kontraktualiteti. Kam frikë, megjithatë, se në 12 muajt e ardhshëm nuk do të jetë kështu. Institucionet kosovare nuk kanë treguar kapacitet, vullnet e as prirje për zhvillimin e politikave integruese. BE-ja, ndërkaq, duke mos e pasur të unifikuar qasjen e vet ndaj Kosovës (me pesë shtete që nuk e kanë njohur pavarësinë e vendit) nuk ka qartësi kontraktuale në marrëdhënie me Kosovën. E duke mos e pasur këtë, nuk e ka fuqinë e nevojshme "të butë" për të ndikuar më shumë në zhvillimin e politikave reformiste në vend.
Kjo gjendje mund të çojë në një spiralë negative, ku qasja jo-europiane apo anti-europiane e qeverisjes së tanishme do të përforcojë ndarjet brenda BE-së, e këto ndarje do të ushqejnë më tepër politikat e tanishme të qeverisjes.
Do dalë nga kjo mundësi duke bërë një listë imediate gjërash që do përmbushur qeverisja e tanishme e që rrjedhin nga Raporti i Progresit. Njëkohësisht, do rihapur, brenda 12 muajsh të ardhshëm, nevojën e unifikimit të vendeve të BE-së në çështjen e njohjes së pavarësisë së Kosovës.
4.
Çështja e liberalizimit të vizave është indikator i mirë i ndjeshmërive dhe dallimeve brenda regjionit. Qytetarët e Serbisë do të mund të udhëtojnë pa viza në BE prej vitit të ardhshëm, ndonëse qeveria e këtij vendi është duke penguar në mënyrë aktive mundësinë që Kosova, si një hapësirë ligjore, të mund të zhvillojë politikën e saj integrative europiane. Njëkohësisht, qytetarët e Kosovës do të ballafaqohen me regjimin më të ashpër të vizave europiane brenda shteteve të Ballkanit Perëndimor, ndonëse janë nën një lloj protektorati europian.
BE-ja ka mundur të kushtëzojë liberalizimin e vizave të Serbisë me vendosjen e një normalizimi mes Serbisë e Kosovës, një normalizimi i cili nuk do të thoshte fillimisht njohje të pavarësisë së Kosovës nga ana e Serbisë. Për BE-në, duket se ka qenë interes më i madh afrimi i Serbisë, gjegjësisht futja e Serbisë në binarët europianë. Ndonëse mund të kontestohet se a është i merituar shpejtimi apo jo, ajo që tash e tutje nuk do të mund të kontestohet është se binarët europianë për Serbinë janë mundësi e BE-së që të ndikojë në normalizimin e marrëdhënieve mes Serbisë e Kosovës, gjegjësisht, të normalizimit të një gjendjeje kushtetuese në Bosnjë e Hercegovinë. Ndarja e Kosovës nuk ka lindur vetvetiu, por me një kontribut vendimtar dhe aktiv të Serbisë për të krijuar një gjendje të këtillë, pasi që kishte përkrahur me vite të tëra një ndarje tjetër, gjegjësisht mbajtjen e Bosnjë e Hercegovinës nën administrimin e Marrëveshjes së Daytonit. Procesi i përfundimit të shtetësisë në Ballkanin Perëndimor është në masë të madhe peng i politikës së Beogradit. Tash e tutje, duhet të jetë pjesë e kushtëzimeve të BE-së për Beogradin, dhe kështu, për regjionin në tërësi.
(Ky shkrim u mbështet në fjalën gjatë konferencës së nivelit të lartë të FES në Bruksel me titull "A po largohen BE-ja dhe Ballkani Perëndimor nga njëri-tjetri?")