E Shtunë, 31 Tetor 2026

Veronika çon në gjykatë Berluskonin

Kryeministri italian, Berluskoni, që po përballet me rihapjen e shumë gjyqeve, në disa prej të cilave gjykohen edhe akuzat për korrupsion, është përballur dje me një tjetër goditje. Bashkëshortja e tij, Veronika Lario, deklaroi se do ta hidhte në gjyq për të kërkuar divorcin. Në këtë rast, për sa i përket Berluskonit, tashmë me një jetë personale të shkatërruar, në lojë nuk është më familja, por paratë e shumta që zotëron. Vlera e pasurive të tij vlerësohet të jetë 5-8 miliardë euro. Ende nuk dihet nëse kërkesa e divorcit përfshin apo jo edhe një kërkesë për një shumë konkrete parash, por sipas shtypit italian në grupin e avokatëve të Larios thuhet se janë hedhur edhe kërkesa për shuma të mëdha financiare. Dhe në këtë rast perandoria e biznesit të Berluskonit mund të rrezikojë përgjysmimin. Lario është akuzuesja dhe si pasojë ka shumë mundësi që Berluskoni të detyrohet në gjyq të shpjegojë me hollësi të gjitha lidhjet martesore të paligjshme. Të gjitha skandalet e muajve të fundit e kanë futur Berluskonin në krizë me aleatët e koalicionit të tij dhe, sipas një gazete të afërt me Kryeministrin, ndoshta ai për të dalë nga situata mund të thërrasë zgjedhjet e parakohshme.
Ndërkaq, popullariteti i tij ka rëndë ndjeshëm nga 62% në 45, edhe pse vazhdon të jetë më i larti krahasuar me liderë të tjerë në Europë. Telashet e Berluskonit filluan në maj me akuzat publike të së shoqes dhe me sa duket viti do të mbyllet me nisjen e një gjyqi që, veç të tjerash, do t‘i përgjysmojë Berluskonit pasurinë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›