Ballkani mbetet testi limit për BE
Bashkimi Europian duhet të vazhdojë "çminimin politik" të Ballkanit dhe të mësojë nga pësimet, që kjo do të zhvillojë rolin e tij në politikën e jashtme. Për dy dekada, Ballkani Perëndimor ka qenë një testim në terren për politikën e jashtme të Bashkimit Europian. Kur askush nuk donte të ecte në këtë rrugë, politika e jashtme dhe e sigurisë së përbashkët e BE-së lindi në kontekstin e luftërave ballkanike në vitin 1990. Që prej atëherë Ballkani ka qenë kufiri për BE-në që të përfshihet në politikën e saj të jashtme. Ka qenë një lindje e vështirë dhe ne kemi marrë mësime mjaft të rënda. Si rezultat ne sot jemi më të aftë të punojmë për paqen dhe stabilitetin. Në vitet e kaluara, perspektiva europiane ka ndihmuar për stabilizimin e Ballkanit Perëndimor. E ardhmja e kushteve për përfshirjen në BE ka ndikuar në përparimin e zhvillimeve demokratike dhe reformave ekonomike. Kroacia është afër vijës së finishit pas katër viteve negocime. Ne kemi marrëveshje për tregtinë e lirë me pjesën tjetër të Ballkanit Perëndimor, me ish-Republikën Jugosllave të Maqedonisë, Malin e Zi, Shqipërinë, Bosnjë-Hercegovinën, Serbinë dhe Kosovën. Ne po punojmë gjithashtu të zgjerojmë heqjen e vizave janarin e ardhshëm me vendet që kanë plotësuar kushtet e BE-së, në mënyrë speciale ata që kanë zgjidhur çështjen e pasaportave diplomatike. Progresi, edhe pse vazhdon ende, mbetet i brishtë. Pavarësisht nga stabiliteti relativ në rajon, ende nuk kemi në fund të tunelit. Ne nuk mund t‘i lejojmë vetes të qetësohemi, ndërkohë që ecim në një terren të minuar, siç është Ballkani Perëndimor, veçanërisht në formën e problemeve dypalëshe ndërmjet disa vendeve ose problemet e brendshme në vende të tjera. Megjithatë, ne mund të vazhdojmë atë që e quajmë "politika e çminimit" në Ballkanin Perëndimor. Kjo do të thotë që të gjejmë mjetet për zgjidhjen e problemeve një pas një, duke e kombinuar me pushtetin e butë të BE-së dhe mënyrat klasike të diplomacisë. Ne kemi parë mjaft suksese, siç janë marrëveshjet e arbitrazhit për çështjen e kufirit të diskutueshëm mes Kroacisë dhe Sllovenisë, e cila u firmos më 4 nëntor në Stokholm. Kjo lehtësoi nisjen e negociatave të aderimit në BE për Kroacinë pas një pushimi të gjatë. Më pas presim progresin e çështjes së emrit për ish-Republikën Jugosllave të Maqedonisë. Vendi është një shembull pozitiv i influencës gravitacionale të Bashkimit Europian dhe ka realizuar në mënyrë impresionuese reformat e kërkuara nga BE-ja pas disa vitesh ndalesë. Pikërisht kjo gjë lehtësoi Komisionin Europian muajin e shkuar që të rekomandojë hapjen e negociatave me këtë vend. Qeveritë e Shkupit dhe Athinës, të freskuara me mandate rishtarë të fortë, kanë nisur negociata serioze. Ky është një shans që nuk duhet humbur nga vështirësitë dypalëshe, të cilat kanë ndaluar progresin në këndin e rajonit për 18 vjet. Ndërkohë, Bosnjë-Hercegovina vazhdon të qëndrojë në një qorrsokak politik të shkaktuar vetë nga problemet e kohëve të fundit. Në tetor, bashkë me ministrin e Jashtëm të Suedisë, Karl Bildt, dhe nënsekretarin e Shtetit të SHBA-së, Xhejms Stainberg, unë takova liderët e vendit në dy raste në kampin Butmir në Sarajevë, si një përpjekje për të zhbllokuar rrugën qorre. Bosnjë-Hercegovina rrezikon të mbetet përfundimisht dhe përgjithnjë jashtë vendeve të tjera të rajonit në lidhje me integrimin në BE dhe NATO. Ne u ofruam liderëve një paketë masash, duke përfshirë edhe ndryshimet kushtetuese për të nisur integrimin europian. Unë shpresoj për hir të qytetarëve të tyre dhe të Ballkanit Perëndimor në tërësi, liderët e Bosnjë-Hercegovinës duhet të udhëhiqen nga fryma e kompromisit për të ndihmuar vendin e tyre për të ecur përpara. Ky është shansi i fundit për brezin aktual të krerëve politikë të vendit për t‘u integruar në strukturat europiane, që dëshirohet shumë nga qytetarët. Politika jonë e stabilizimit nganjëherë quhet dhe zgjerimi në Ballkanin Perëndimor dhe ka implikim për politikën e jashtme të BE-së në rolin global. Ne kemi marrë mjaft eksperiencë dhe kemi aplikuar masat duke përfituar nga mësimet e marra kur kemi zhvilluar një politikë të fortë dhe efektive. Me hyrjen në fuqi së shpejti të Traktatit të Lisbonës, ne jemi përpara një mundësie historike për të rritur rolin e politikës së jashtme të BE-së në rrafshin global. Besueshmëria e BE-së si një aktor i besueshëm qëndron në aftësinë tonë për të ndarë marrëdhëniet tona të fqinjësisë. Në Europën Juglindore ne mund të bëjmë një diferencë të vërtetë. Kjo është prova e vlerës reale të politikës së jashtme të përbashkët të Bashkimit Europian.
*Autori është komisioneri i BE-së për Zgjerimin. Artikulli është marrë nga "European Voice".
*Autori është komisioneri i BE-së për Zgjerimin. Artikulli është marrë nga "European Voice".