E Diel, 1 Nëntor 2026

Si të siguroni fëmijën tuaj nga rreziqet në shtëpi

Autori i Lajmit: red.
Që të gjithë fëmijët mund të bëhen lehtësisht viktima të aksidenteve, sepse dëshira e tyre e vazhdueshme për të zbuluar mjedisin që i rrethon, për shembull, të gjitha dhomat e shtëpisë, është më e madhe sesa aftësia e tyre për të parandaluar rreziqet. Shumë rreziqe mund të parandalohen dhe është detyra juaj që të gjeni mënyrën sesi fëmija të mos dëmtohet. Megjithatë, kjo gjë nuk do të thotë që t ia kufizoni aktivitetet fëmijës tuaj, por thjesht të siguroheni që ai të mund të luajë dhe të mund të kryejë eksplorimet në botën e përreth, pa rreziqe.
Kuzhina e gatimit, një nga vendet më të rrezikshme
Kuzhina është plot me mundësi rreziqesh për fëmijën, të cilat shtohen nëse ju jeni shumë të zënë me punët e shtëpisë: Shumica e rreziqeve për fëmijët (rreth 2/3) ndodhin pranë tenxhereve dhe sobave. Prandaj
përpiquni që t i mbani sa më larg fëmijët tuaj nga zona e pjekjes (për shembull furra), kur jeni duke gatuar. Mos harroni se soba, tenxheret që ziejnë dhe hekurat e hekurosjes, mbesin shumë të nxehtë për shumë kohë, edhe pasi kemi mbaruar punë me to. Në momentin që bëhet gjella, mbajini ushqimet dhe lëngjet e nxehta në qendër të tavolinës, në mënyrë që fëmija të mos ketë mundësi t i kapë. Gjithashtu mbulesën e tavolinës duhet ta vendosni në atë mënyrë, që fëmija të mos ta tërheqë dhe t i bien përsipër të gjitha ushqimet e nxehta.
Mbani të gjitha thikat, pirunët, hapëset e tapave dhe aparatet e ndryshme grirëse, prerëse, rende etj. larg vendeve që mund t i arrijë fëmija. Për të mos i penguar fëmijët në zbulimet e tyre, një ose dy sirtare mund t ja lini atyre dhe t i mbushni me sende që mund t i marrin pa problem, ndërsa të gjithë sirtaret që kanë sende të rrezikshme për fëmijën, duhet të jenë të bllokuar me çelësa, që mos të hapen.
Frigoriferi është një pajisje në kuzhinë, ku fëmija shumë lehtë mund të hapë derën e të pijë lëngje apo pije, jo të përshtatshme për moshën e tij.
Edhe pjesa e ngrirjes e frigoriferit është mjaft e rrezikshme, sepse akulli shkakton djegie njësoj si zjarri.
Bëni të mundur që fëmija të mos e prekë koshin e plehrave.
Kini kujdes: Vini ilaçin e enëve dhe të gjithë pastruesit e tjerë, në një vend të sigurt. Ruajini qeskat larg vendeve që mund t i kapë fëmija. Vendosini lëngjet e nxehta, larg buzës së banakut të kuzhinës. Vendosni mbrojtëse përreth furnelave të gatimit dhe rrotullojini dorezat e tiganëve, që të rrinë sa më larg buzës. Përdorni vatrat e pasme të sobës së gatimit, në vend të atyre të përparme. Blini kabllo në formë spirale
për pajisjet elektrike ose sigurohuni që kabllot me të cilat ato janë të pajisura, të jenë të shkurtra.
Mbani të gjitha lëndët larëse të shtëpisë dhe koshin e plehrave në një dollap të sigurt, që fëmija të mos ta hapë dot. Mos e lejoni fëmijën të prekë xhamin e furrës, kur ajo është e ngrohtë. Mbuloni dyshemenë me material jorrëshqitës dhe pastroni menjëherë lëngjet apo yndyrnat që mund t ju derdhen në dysheme.
Dhoma e gjumit, objeket pa cepa dhe të rënda
Fëmija juaj do të kalojë shumë kohë në dhomën e gjumit, kështu që bëni të mundur që ta eksplorojë
atë pa rreziqe: Mos vini jastëk tek krevati i vogël, nëse fëmija juaj nuk ka mbushur ende dy vjeç dhe mos
vendosni mbrojtëse plastike të pafiksuara tek dysheku. Mos përdorni kurrë lidhëse për të varur lodra në krevatin e fëmijës së vogël, sepse ato mund t i përdridhen rreth qafës. Mbani lodrat me përmasa të mëdha dhe jastëqet e mëdha jashtë krevatit, sepse fëmija mund t i përdorë si shkallë apo varëse për t u kacavjerrë dhe për t u rrokullisur poshtë krevatit. Mos varni lodra nga një krah i krevatit në tjetrin, kur fëmija është në gjendje të qëndrojë në këmbë, sepse ai do të përkulet që t i kapë dhe mund të rrëzohet. Lodrat duhet të jenë prej materiali johelmues dhe të padjegshëm dhe nuk duhet të kenë qoshe, buzë që presin, apo pjesëza të vogla që mund të gëlltiten. Vendosni ganxha tek dritaret, që të mos hapen plotësisht. Më e mira do të ishte që dritarja të hapej nga lart (sopraluçe). Sigurohuni që mobiljet të jenë të forta (të mos lëvizen kollaj) dhe me qoshe të rrumbullakosura, jo me kënde të mprehta. Ndërrojeni, visheni, zhvisheni fëmijën në një vend tjetër, jashtë krevatit. Ruani lodrat në një dollap apo sirtar të ulët, që fëmija juaj t i arrijë pa u kacavjerrë, apo pa hipur diku që mund të rrëzohet.
Kur radiatorët (kaloriferët, reflektorët) janë të ngrohtë, mbulojini ato me peshqir të lagur, që të mos thahet ajri. Sistemoni fundin e krevatit të fëmijës në pozicionin më të ulët (kur mund të lëvizet), para se fëmija të ketë mësuar që të qëndrojë në këmbë, sepse mund të varet nga krevati dhe të bjerë poshtë.
Krevati i fëmijës duhet të qëndrojë larg ngrohësve. Mos e vendosni krevatin e fëmijës poshtë dritareve, sepse fëmijët kanë qejf të ngjiten kudo. Anët e krevatit të fëmijës duhet të jenë të ngritura, të paktën 60
cm. Dyshemeja duhet të jetë pa pengesa, rrugica, të ngritura të tjera. Tapetet dhe moketet nuk janë të këshillueshme, se është e vështirë të pastrohen përditë. Kështu mund të grumbullohet pluhuri i shtëpisë, që ndikon tek fëmijët që kanë alergji.
Banja, mos e lini kurrë vetëm
Mos e lini kurrë fëmijën tuaj vetëm në banjë, qoftë edhe për pak sekonda, derisa të mos ketë mbushur të paktën 2 vjeç e gjysmë. Përdorni një tapet të vogël banje, kundër rrëshqitjes. Mbyllni kapakët e WC. Të luajë me ujin, është një nga zbavitjet më të pëlqyera të fëmijës; por ka rrezik që duke hapur rubinetin e ujit të nxehtë, mund të digjet. Për t i dalë para kësaj, rregulloni bolierin, skaldabanjën, në një temperaturë më të
ulët se 50 gradë celcius. Kur i bëni banjë fëmijës tuaj, para se ta fusni në vaskë apo në dush, kontrolloni temperaturën e ujit. Aksidentet e tjera që mund të ndodhin në banjë, mund të parandalohen lehtësisht, duke marrë disa masa paraprake:
Vendosini veglat e rrojës apo mjetet kozmetike (buzëkuq, parfum etj.) aty ku fëmija nuk i kap dot. Mbuloni me peshqir ngrohësit. Mbajini lëndët larëse, detergjentët, lëngjet dhe furçën e pastrimit të WC-së në një do-
llap të mbyllur, që nuk hapet dot nga fëmija. Nëqoftëse dushi ka një portë prej xhami, zëvendësojeni atë
me një perde, ose vendosni një xham të pathyeshëm.
Dhoma e ndenjies, kthejeni për fëmijë
Në rast se keni fëmijë të vegjël, do të ishte më mirë që dhomën e ndenjes mos ta ngarkonit shumë me mobilje të rënda. Duhet të keni parasysh se një shtëpi nuk duket njësoj, nëse shikohet me sytë e një fëmije që fillon të ecë dhe vrapojë. Duke qenë se fëmija duhet të ketë mundësi të lëvizë lirisht, pa u rritur me frikën e rrezikut dhe pa u ndaluar, na takon ne ta kthejmë shtëpinë tonë në një shtëpi për fëmijë:
Kur blini mobilje me tapiceri, sigurohuni që në dyqan se në rast se bie zjarr, ato nuk do të
prodhojnë avuj helmues.
Vendosni televizorin jashtë mundësive që ka fëmija për ta arritur, në mënyrë që të mos ta kapë me dorë pjesën e pasme të tij. Mos lini cigare rreth e rrotull, fije shkrepëse, alkool, gjilpëra, gishtëza, kopsa, gërshërë të vogla dhe sende të tjera qepjeje apo monedha.
Mbani larg fëmijës bimët/lulet e apartamentit, sepse disa prej tyre janë helmuese. Të gjitha sendet e vendosura mbi mobilje, që mund të jenë të thyeshme si abazhurë, tavlla, vazo, duhet të jenë aq larg, sa
fëmija të mos i marrë dot. Më e mira do të ishte të vinit sa më pak nga këto sende zbukurimi,
sepse edhe kur ato janë larg fëmija prapë mund të vritet, për shembull mund të tërheqë kordonin
elektrik të abazhurit dhe të dëmtohet.
Hiqni çentrot, mbulesat mbi mobilje, sepse fëmija mund të kapet tek to dhe të rrëzohet. Nëqoftëse dyert dhe dritaret kanë pjesë xhami, zëvendësojini me xhama të përforcuar sigurie, mbulojini me një cipë plastike
transparente ose ngjisni mbi to disa ngjitëse me ngjyra, që fëmija t i shohë dhe të mos të përplaset me xhamin. Mos mbani tavolina me suprinë prej xhami.

Ballkoni, jo me kangjella të gjera
Nëse dhoma e ndenjes apo kuzhina ka derë që të nxjerr në ballkon, duhet të shikoni mirë hapësirat midis kangjellave, lartësinë e parmakut dhe ta ngrini deri në një lartësi që fëmija të mos të përkulet dot, apo të hedhë sende nga ballkoni. Hiqni vazot e luleve nga parvazi, sepse fëmija mund të kapet tek ato.

Korridori dhe shkallët, jo të rrëshqitshme
Siguroni dyert me çelës, para se fëmija juaj të mësojë të ecë si mace (këmbadorazi), apo të ngjisë shkallët.
Sigurohuni që korridori, shkallët dhe sheshpushimet e tyre, të jenë të ndriçuara mirë, si dhe që fëmija të mos mundë të fusë kokën, apo të kalojë midis shufrave të kangjellave. Mos lini lodra, grumbuj rrobash
apo sende të tjera në shkallë, nëqoftëse keni shkallë brenda shtëpisë.
Sigurohuni që dryni i portës kryesore (në rast se keni shtëpi me oborr) nuk mund të arrihet nga fëmija.
Riparoni pjesët e tapeteve që mund të jenë shkëputur pjesërisht, shqepjet apo grisjet e tapeteve
apo veshjeve të dyshemeve, nëqoftëse këto janë të llustruara (luçiduara), si dhe fiksoni nga ana e pasme e tapetit, një bazë që pengon rrëshqitjen. Në dyshemetë e llustruara, mos e lejoni fëmijën që të ecë me
çorape që rrëshqasin. Nëqoftëse e lini të ecë këmbëzbathur, sigurohuni që të mos ketë ashkla që gërvishin këmbët.

Elektriciteti
Goditjet elektrike nga impiantet e ndryshme mund të jenë shumë të rënda, prandaj reduktojeni në minimum mundësinë që fëmija juaj të bëhet viktimë e këtij incidenti me ndihmën e këtyre porosive: Fikni pajisjet elektrike kur nuk i përdorni. Mos lini kurrë kordona zgjatues të përhapur nëpër shtëpi. Mbuloni prizat që nuk i përdorni me një kapak prize, ose me nastro izolant. Kontrolloni rregullisht të gjitha kavot elektrike dhe zëvendësojini ato që janë me fije elektrike të zhveshura.
Ky lajm është publikuar: 30/07/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›