E Shtunë, 31 Tetor 2026

Piratët serbë të internetit sulmojnë faqen e Postës Shqiptare



TIRANË - Hakerat serbë sulmojnë faqen në web të Postës Shqiptare. Piratët serbë e kanë shfrytëzuar mundësinë të bëjnë propagandë nacionaliste. “Kosova është e Serbisë”, “Luftoni me më të mirët dhe vdisni si gjithë të tjerët. Mirë se vini në botën tonë”. Ata nuk kanë përtuar të hedhin edhe një logo që përdoret shpesh nga nacionalistët serbë në çdo funksion të faqes. Sipas njoftimit për mediat të Postës Shqiptare siti www.postashqiptare.al nuk mund t’u shërbejë klientëve të saj me asnjë informacion për tarifat, destinacionet përveç propagandës së mësipërme dhe shenja pa kuptim. Tashmë dihen arsyet pse piratët e internetit veprojnë kështu. Nuk është hera e parë që faqet shqiptare bëhen pre e sulmeve të piratëve, të cilët i shfrytëzojnë dijet e tyre në internet për qëllimet e tyre. Por një sulm nacionalist serb ndaj faqes on-line të Postës Shqiptare, që është një ndër burimet kryesore të informacionit të shërbimit postar shqiptar në Shqipëri, e ka një kuptim. Duket se ende nuk ka kaluar “inati” i shkurtit kur Kosova shpalli pavarësinë, veprim ky që indinjoi pa masë Serbinë, elementë ekstremistë të së cilës e pasuan ngjarjen e madhe me disa incidente në Veri të Kosovës. Vetëm tri ditë më parë policia spanjolle arrestoi pesë piratë interneti, që ndërhynin në website. Personat, dy prej të cilëve 16-vjeçarë, akuzohen se kanë ndërhyrë në faqet qeveritare të internetit në SHBA, Azi dhe Amerikën Latine. Sipas policisë, piratët kishin sulmuar më shumë se 21 mijë faqe brenda dy vjetëve. Hetimet nisen në muajin mars, pas sulmit ndaj faqes së një partie politike në Spanjë. Piratët e internetit u arrestuan në Barcelonë, Burgos, Malaga dhe Valencia.

20 Maj 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›