E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gjykata dënon ish-zëvendësministrin me kohën e paraburgimit



Laureta Rryçid

Tiranë - Ish-zëvendësministri i Transporteve, Nikolin Jaka, dënohet me 1 vit e 20 ditë burg. Falë këtij vendimi, që nga dita e djeshme Nikolin Jaka mund të lërë qelinë pasi masa e dënimit të dhënë nga Gjykata e Shkallës së Parë e Tiranës është kryer nga ana e tij në kohën e paraburgimit. Duke e deklaruar fajtor për “korrupsion pasiv të personave që ushtrojnë funksione publike” në lidhje me skandalin në tenderat e rrugës, Gjykata vendosi ta pezullojë për 3 vjet Nikolin Jakën për të ushtruar detyrën si dhe 500 mijë lekë gjobë. Gjithashtu gjykata dënoi ish-drejtorin e Përgjithshëm të Rrugëve, Ilir Berzani, me 2 vjet heqje lirie dhe me gjobë 2.6 milionë lekë. Arjanit Sheti- ish drejtori i Drejtorisë Juridike në Drejtorinë e Rrugëve, u dënua me 1 vit e katër muaj burg dhe 400 mijë lekë gjobë. Ish-drejtori në Drejtorinë e Koordinimit në Drejtorinë e Rrugëve, Xhevahir Mucogllav, u dënua me një vit burg. Biznesmenët Isuf Ukperaj, Skënder Bogçiu u dënuan me 1 vit e 20 ditë burg dhe 600 mijë lekë gjobë. Kurse ish-drejtori i Prokurimeve të Drejtorisë së Përgjithshme të Rrugëve, Bashkim Kamberi, u dënua me një vit e 20 ditë burg. Masat e dënimeve të dhëna sot nga Gjykata e Tiranës janë shumë më të ulëta se ato të kërkuara nga Prokuroria. Masa e dënimit dhënë nga gjykata për të gjithë të pandehurit është kryer me kohën e paraburgimit.
Arrestimet
Të pandehurit u arrestuan në shtator të vitit të kaluar, në një operacion të përbashkët të Policisë së Shtetit me njësinë hetimore Task-Force, i koduar “Duart e pastra”, ku gjashtë prej tyre akuzohen për veprat penale të “korrupsionit pasiv të personave që ushtrojnë funksione publike” dhe “shpërdorim të detyrës”, ndërkohë që për Nikolin Jakën akuza ka ndryshuar në “ushtrim i ndikimit të paligjshëm”. Nikolin Jaka, ish - zëvendësministër i Punëve Publike, Transporteve dhe Telekomunikacionit, Bashkim Kamberi, ish-shefi i Sektorit Juridik dhe Prokurimeve, Arjanit Sheti, ish-drejtor i Drejtorisë Juridike, Ilirjan Berzani, ish-drejtor i Drejtorisë së Përgjithshme të Rrugëve dhe Xhevahir Muçogllava, ish-drejtor i Drejtorisë së Programit dhe Koordinimit dhe kryetar i Komisionit të Vlerësimit të Ofertave, të gjithë në Drejtorinë e Përgjithshme të Rrugëve, si edhe dy biznesmenët, Skënder Bokciu e Isuf Ukperaj, të cilët akuzohen për “korrupsion aktiv të personit që ushtron funksione publike”, do të përballen shumë shpejt me vendimin përfundimtar të Gjykatës së Tiranës, ndërkohë që Alban Qafa dhe Enton Resuli janë lënë të lirë sepse ndaj tyre nuk janë gjetur prova të mjaftueshme për akuzat e ngritura.
Hetimet
Hetimet ndaj këtij grupi përfshinë një hark kohor prej 6 muajsh, ku u grumbulluan prova dhe fakte të mjaftueshme për të vërtetuar akuzat e mësipërme të ngritura në adresë të tyre, në bazë të të cilave ata rezultojnë të përfshirë në veprimtari korruptive me vlera të konsiderueshme, kundrejt favorizimit të paligjshëm të shoqërive pjesëmarrëse në prokurimet publike të kryera në këtë dikaster.

20 Maj 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›