Shkarkimi i Sollakut, Kushtetuesja rrëzon kërkesën për dekretin
Tiranë - Gjykata Kushtetuese rrëzoi kërkesën e ish-kryeprokurorit Theodhori Sollaku për shfuqizimin e dekretit për shkarkimin e tij. “Kërkesa e kryeprokurorit për këtë vendim është e pabazuar”, - thuhet në deklarimin e Gjykatës Kushtetuese. Kjo gjykatë dha sot vendimin edhe për një kërkesë tjetër të ish-numrit një të organit të akuzës, për zgjidhjen e mosmarrëveshjes se kompetencës mes Prokurorisë së Përgjithshme dhe Kuvendit. “Kuvendi i Shqipërisë nuk ka kompetencë të kontrollojë dhe të vlerësojë vendimet e prokurorëve në çështjet konkrete për mosfillimin e procedimit penal, për pezullimin e hetimeve, për pushimin e çështjeve penale, për marrjen e masave të sigurimit, si dhe të vendimeve e veprimeve të tjera të prokurorëve që lidhen me ushtrimin e ndjekjes penale dhe përfaqësimin e akuzës në gjyq”, - thuhet në njoftimin për shtyp të Gjykatës Kushtetuese.
Arrestohet në Itali i dënuar nga Gjykata për trafik droge
TIRANË - Policia e Shtetit ka bërë të ditur me anë të një njoftimi për shtyp, se është arrestuar në Itali me qëllim ekstradimi 32-vjeçari Ylli Brahimi, lindur në Milot Lezhë.
Sipas policisë, arrestimi i tij është kryer dy ditë me parë nga Interpol Roma në Itali, pasi rezultonte i shpallur në kërkim ndërkombëtar. 32-vjeçari Brahimi është dënuar në vitin 2003 nga Gjykata e Shkodrës me 11 vjet burg për veprën penale të “trafikimit të lëndëve narkotike”. Për ekstradimin e tij Ministria e Drejtësisë italiane i ka kërkuar palës shqiptare dërgimin e dokumenteve në rrugë diplomatike. Ngjarja për të cilën akuzohet Brahimi ka ndodhur në 7 shkurt të vitit 2002, ku nga Drejtoria e Policisë së Qarkut Kukës janë arrestuar shtetasit Ylli Brahimi dhe Shkëlqim Konçi, sepse gjatë kontrollit ushtruar makinës së tyre në fshatin Bardhoc të rrethit Kukës u janë gjetur një sasi rreth 20 kg heroinë, të fshehura në një çantë.
Gjykata e Shkallës së Parë Kukës e kishte dënuar shtetasin Brahimi vetëm me akuzën e “armëmbajtjes pa leje”, ndërsa për shtetasin Konçi kishte vazhduar gjykimi. Në lidhje me këtë çështje organi i Prokurorisë së rrethit Kukës ka apeluar me Vendimin nr. 2, datë 07.01.2003, pranë Gjykatës së Apelit Shkodër, e cila pas shqyrtimit të kësaj çështjeje penale ka provuar se shtetasi Ylli Brahimi dhe Shkëlqim Konçi, kanë plotësuar të gjitha elementet e veprës penale të “trafikimit të lëndëve narkotike” në bashkëpunim dhe i ka dënuar respektivisht me nga 11 vjet heqje lirie.
USAID-i, memorandum me Gjykatën e Apelit
Tiranë - U nënshkrua të hënën në Gjykatën e Apelit në Tiranë një memorandum bashkëpunimi mes kësaj gjykate dhe USAID-it. Sipas administratores së Përgjithshme të USAID-it, Henrieta Fore, ky memorandum 3-vjeçar synon të ndihmojë Gjykatën e Apelit të Tiranës dhe gjithë sistemin e Drejtësisë në Shqipëri për rritjen e besueshmërisë në publik. Zonja Fore u shpreh se “besimi i publikut në sistemin e Drejtësisë është i domosdoshëm në funksionimin e shtetit ligjor”. Ceremoninë e përshëndeti edhe ministri i Drejtësisë, Enkelejd Alibeaj, i cili midis të tjerave u shpreh se “çdo gjyqtar duhet ta shohë veten në funksion të publikut me transparencë”. Të pranishëm në ceremoni ishte edhe ambasadori i SHBA-ve në Tiranë, Xhon Uidhers, nënkryetari i Këshillit të Lartë të Drejtësisë, Kreshnik Spahiu, kryetari i Gjykatës së Lartë, Thimjo Kondi etj.
KLD nis kontrollin te Apeli i Shkodrës
Tiranë – KLD nis kontrollin në Gjykatën e Apelit të Shkodrës. Njoftimi është bërë publik dje nga ky institucion, ku veç punës së kësaj gjykate, në qendër do të jetë dhe inspektimi i punës së kryetares së Gjykatës së Apelit në Shkodër. Fushata e kontrollit të punës së gjyqtareve ka të bëjë me mënyrën dhe sa është respektuar ligjshmëria e ndarjes së dosjeve. KLD ka theksuar se nuk do të tolerojë ndaj askujt dhe veçanërisht ndaj gjyqtareve që shpërdorojnë detyrën duke lajmëruar se masat ndaj tyre do të jenë të rrepta.
Skandali i pedofilisë, dy britanikët në gjykatë
Tiranë - Dy shtetasit britanikë që akuzohen për pedofili dhe marrëdhënie seksuale me dhunë me të mitur janë paraqitur dje në Gjykatën e Tiranës për të marrë masën e sigurisë. Gjykatësit e çështjes po japin masën për 44-vjeçarin Dino Christodulu dhe Robin James Arnold 55 vjeç. Dy shtetasit britanike u ekstraduan nga Londra mesnatën e së premtes dhe iu dorëzuan autoriteteve shqiptare për skandalin seksual që tronditi vendin gati dy vjet më parë. Dy të pandehurit akuzohen nga Prokuroria e Tiranës se kane abuzuar me të mitur gjatë kohës që ishin misionarë në qendrën bamirëse “Fëmijët e tij” në kryeqytet.
20 Maj 2008