E Shtunë, 31 Tetor 2026

Si u implikua ambasadori amerikan me Gërdecin?

Ministria e Mbrojtjes në Tiranë bëri dje një sqarim të pakërkuar nga askush për publikun lidhur me deponimet e biznesmenit amerikan, Diveroli, për origjinën e fishekëve të blerë nga Tirana zyrtare për llogari të ushtrisë afgane, financuar nga Pentagoni. Deklarata e zëdhënëses së zotit Oketa përpiqej të sqaronte po ashtu në mënyrë të paqartë, se zoti Diveroli e ka pas ditur se ç’fishekë po blinte, por ishte e paqartë se nga kush po i blinte. Në përpjekje për të folur për një kontratë me zotin Diveroli, zëdhënësja zyrtare e Ministrisë së Mbrojtjes fliste për një kompani qipriote, e futur si seksere mes MEICO dhe Diverolit, e cila ka prodhuar diferencën që ka shkuar në xhepat e autorëve të këtij skandali. Por problemi nuk është te detajet e këtij skandali, por te parimi, nga i cili është nisur Ministria e Mbrojtjes për të bërë gjyq publik ndaj fakteve që po zbulon drejtësia amerikane.

Së pari, është joetike që një institucion zyrtar shqiptar të bëjë diplomacinë e gramafonit dhe të polemizojë publikisht me drejtësinë amerikane për fakte që ajo i ka nën hetim. Nëse zoti Oketa ka fakte për të dëshmuar rreth këtij skandali, ai mund t’ia paraqesë ato drejtësisë shqiptare dhe asaj amerikane dhe jo të bëjë marrëdhënie publike me gjëra krejt të diskutueshme dhe kompromentuese për shtetin shqiptar.

Së dyti, pozicionimi i shtetit shqiptar në një çështje që po hetohet në dy vende, dëshmon një ngutje të dyshimtë, e cila vë në pozitë të vështirë shtetin shqiptar. Polemikat publike për faktet që rrjedhin në media nga hetimet, nuk janë serioze për shtetin. Shteti flet me letra dhe me fakte dhe jo me zëdhënës, kur vjen fjala për një hetim të tillë rrënjësor.

Së treti, meqë vetë shteti e hapi këtë temë, është e paqartë se ç’kërkon të sqarojë Ministria e Mbrojtjes për çështjen ‘Diveroli’, kur ajo me vetëdije e ka lidhur kontratën me një sekser fantazmë, që zyrat i kishte në Qipro, shtëpinë te serbët e Bosnjës dhe partnerin real në Gërdec. Formalisht, shteti ynë nuk i ka shitur fishekë amerikanëve, por një kompanie qipriote dhe kjo e fundit ua ka shitur amerikanëve. Kështu që formalisht shteti jonë nuk ka pse përfshihet në polemika për Diverolin, pasi nuk ka ndonjë kontratë direkt me të, edhe pse ka Pazar me të.

Ajo që duhet të hetojë shteti shqiptar, ose ajo pjesë që nuk e ka ditur skandalin, duke patur parasysh këtu Gazmend Oketën, është të hetojë se kush e solli firmën qipriote, pse ka shkuar disa herë në Bosnjë për udhëtime misterioze Mihal Delijorgji dhe si e implikoi qeveria shqiptare ambasadorin amerikan në këtë histori. Skandali që po hetohet në SHBA dhe që dëshmon dhe përfshirjen aksidentale të ambasadorit të SHBA në Tiranë, e ka burimin te skandali i Fatmir Mediut me gazetarin e “New York Times”, sekuestrimin prej tij të kasetës së intervistës, ku u pyet për këtë çështje dhe më pas vrapimin e pafajshëm të Fatmir Mediut në ambasadë për të shpjeguar situatën. Në këtë lojë hyri më pas dhe kryeministri shqiptar, i sikletosur nga përfshirja e njerëzve të vet në këtë histori dhe i premton presidentit afgan armë falas nga Shqipëria. E gjithë kjo është një histori banale shqiptare, që buron nga koncepti i shtetarëve tanë, se dhe Amerika është një fshat i madh si Shqipëria, ku punët zgjidhen me të njohur dhe ndere. Për amerikanët furnizimi me armë i ushtrisë afgane nuk ishte çështje lekësh, por çështje politike. Dhe qeveria shqiptare nuk po akuzohej se po shiste shtrenjtë, edhe pse atë e bëri përmes sekserëve të saj, por se po shiste kalbësira të rrezikshme që i kishte destinuar për demontim. Ndaj, implikimi i ambasadorit amerikan në këtë histori prej Berishës dhe Mediut është krejt përgjegjësi e këtyre të fundit, të cilët gazetën “New York Times” e dinë si ndonjë gazetë ndërtuesi në Tiranë, që po të flasin me të ose t’i japin reklamat e rrugëve, nuk e boton artikullin, kurse furnizimin me armë të ushtrisë afgane e dinë si tender të Pentagonit që e ka fituar ndonjë i afërt i të parit vendit dhe hajt t’i bëjnë nder t’ia japin falas. Historia se si u implikua ambasadori amerikan në Tiranë më historinë e Gërdecit, nuk ka të bëjë fare me mënyrën se si qeveria shqiptare është përpjekur ta mbajë të fshehur këtë skandal, për të cilin thotë se dëgjoi për herë të parë më 15 mars. E vërteta është se, megjithëse Berisha është përpjekur publikisht ta krahasojë këtë rast me atë të vitit 1995, kur i dha armë falas Izetbegoviçit kundër serbëve, nuk është e njëjta situatë. Izetbegoviçi ishte president i një kombi të vetmuar në luftë dhe duhej ndihmuar. Ai s’kishte pará, s’kishte tendera dhe s’kishte nevojë për ndërmjetës. Thjesht donte armë dhe atëherë Sali Berisha ia dha. Kjo është një gjë që i bën krenarë shqiptarët. Kurse historia e Afganistanit është krejt e ndryshme. Afganët nuk na kanë kërkuar armë, por amerikanët kanë kërkuar të blenë këtu për llogari të afganëve. Ne i kemi korruptuar ata dhe kemi fyer objektivin e qeverisë amerikane për atë vend. Me vetëdije kemi futur në mes sekserë dhe kemi implikuar në këtë histori Pentagonin, Uashingtonin, diplomatët dhe shtetin tonë. Ky është një skandal që nuk mund të sqarohet me zëdhënës dhe gramafonë publikë. Kjo është një çështje që e sqaron drejtësia dhe për fat ajo ka nisur të veprojë me standardet që po vendos në këtë hetim drejtësia amerikane dhe këmbëngulja e ambasadorit amerikan në Tiranë. Ky hetim po nis, për shkak të mungesës së respektit që është dëshmuar ndaj ushtrisë amerikane. Ne duhet të hetojmë shtetin tonë, për shkak të mungesës së respektit që dëshmoi ndaj jetës së qytetarëve të tij dhe parave të taksapaguesve tanë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›