E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Rama, ditën me Bamirin, natën me Saliun”

Deputeti socialist Petro Koçi tha dje në një prononcim për mediat se, kreu socialist nuk arrin të merret vesh vetëm me të vetët. 

“Teatri opozitar i Ramës po jep një shfaqje të shëmtuar teksa përpiqet t’i shesë publikut se po përpiqet të luftojë korrupsionin e nga ana tjetër të “realizojë reformat” me të korruptuarit e qeverisë. Qeveria “Berisha” e ka kapur me presh në dorë shumicën e lidershipit të PS-së dhe e ka detyruar këtë të fundit të sjellë në Parlament draftligje të porositura nga kryeministri siç është rasti i ligjit për Presidentin apo projekti për të ndryshuar Rregulloren e Kuvendit në dispozitat për shqyrtimin e dekreteve. Ashtu siç ndodhi me ndryshimet kushtetuese mbi reformën elektorale!”, vijoi Koçi. Sipas tij, kreu socialist po bën pakte me çdo eksponent të së djathtës për interesa personale. “Duket që lidershipi i partisë sonë është katandisur që ditën të bëjë pakte me Bamirin, ndërsa natën me Saliun. Regjimi i Berishës nuk rrëzohet duke bërë pakte herë me presidentin e herë me kryeministrin! Marrëveshjet me regjimin janë shfaqje të komprometimit të PS-së”, shtoi Koçi.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›