E Shtunë, 31 Tetor 2026

Beja: Hetim për emrat e Topit, PS braktis Kuvendin

Futja me procedurë të përshpejtuar të amendamenteve të paraqitura nga deputeti i PD-së, Fatos Beja, për ndryshimin e Rregullores në lidhje me dekretet e presidentit për dhënien e pëlqimit të anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese apo të Lartë sjell largimin e radhës së opozitës nga Parlamenti. 

BLEDAR HOTI

Gjatë votimit të kalendarit javor nga 23 qershori-15 korrik, që është i fundit për këtë sesion, kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, kërkoi përfshirjen e amendamenteve të kryekomisionerit Fatos Beja që të votohen, por një gjë e tillë hasi në rezistencën e opozitës. Për socialistin Erjon Braçe një gjë e tillë nuk është përcaktuar dhe se është shkelje e Rregullores. “Ju keni vendosur në kalendarin e punimeve shqyrtimin e buxhetit shtesë në një kohë kur qeveria nuk e ka miratuar ende atë dhe nuk është depozituar ende në Kuvend”, deklaroi Braçe. Por Topalli ka sqaruar se, me futjen e amendamenteve të Bejës do të përfshihen edhe propozimet e dy deputetëve të Kuvendit, socialistët Arben Malaj dhe Besnik Dervishi. Futja me procedurë të përshpejtuar u kalua në Kuvend me 61 vota pro, 39 kundër, 3 abstenime. Më pas ka hedhur në votim kalendarin e plotë, i cili ka marrë 65 vota pro, 34 kundër dhe tre abstenime. “Po i kalon të gjitha krizat e qeverisë në kurrizin tënd, Parlamenti s’mund të miratojë asnjë gjë nëse dokumentet nuk shpërndahen me shkrim”, reagoi pas votimit Dokle. Ndërsa kreu i grupit të PS-së, Leskaj para se të largohej nga salla së bashku me deputetët e tjerë ka “cilësuar si skandaloze një votim të tillë, duke marrë një vendim që s’ka lidhje me kalendarin”. Më pas opozita ka bojkotuar seancën e Kuvendit, ndërsa kreu i grupit të PD-së, Patozi e ka cilësuar këtë qëndrim vetëm si një pretekst të të majtëve për të bllokuar seancën parlamentare.
Propozimet e Bejës
Propozimet e nënkryetarit të Kuvendit janë depozituar dje në drekë pranë zyrës së protokollit. Më pas ato u paraqitën në seancën parlamentare pas tre orëve. Deputeti Beja kërkon shtimin e një pike të veçantë në nenin 111, duke parashikuar kryerjen e verifikimeve më të sakta të kandidaturave që do të dekretohen nga presidenti, jo vetëm për anëtarët e gjykatave, por edhe për të gjithë emrat e institucioneve të pavarura kushtetuese. “Për të garantuar cilësinë e përzgjedhjes dhe rolin substancial të Kuvendit në këtë përzgjedhje, komisioni bashkëpunon me institucionet shtetërore dhe publike për të zgjeruar të dhënat për çdo kandidat, bashkëpunon dhe/ose kryen konsultime me institucionet përkatëse dhe rrethet profesionale. Për të rritur transparencën dhe ndihmesën e publikut në përzgjedhje, komisioni organizon seanca dëgjimore publike me secilin kandidat. Përfundimet e nxjerra nga proces shqyrtimi i përcillen Kuvendit për të vendosur miratimin ose jo të çdo kandidature të propozuar”, citohet në propozimin e paraqitur. Ndërsa propozimi i PS-së parashikon vetëm zhvillimin e seancave dëgjimore me kandidatët dhe jo futjen në sitë të emrave të paraqitura për dhënie pëlqimi.

Propozimet e fatos Bejës

Në nenin 111 bëhen këto ndryshime
a. Pika 3 ndryshohet si më poshtë:
3. Me paraqitjen e kandidaturave, kryetari i Kuvendit ia kalon menjëherë komisionit përkatës, i cili brenda tre javëve nga marrja e kërkesës i shqyrton ato dhe harton raportin përkatës.
b. Pika 6 ndryshon si vijon:
6. Në rastet kur në Kushtetutë parashikohet dhënia e pëlqimit nga Kuvendi, kryetari i Kuvendit ia kalon kërkesën menjëherë Komisionit të Çështjeve Ligjore, i cili e shqyrton atë dhe harton raportin përkatës brenda tre javëve. Kuvendi shqyrton kërkesën për dhënien e pëlqimit brenda 7 ditëve nga data e paraqitjes së raportit.

b. Pas pikës 6 shtohet pika 7, si më poshtë:
“7. Komisioni përkatës, brenda afateve të përcaktuara në këtë nen dhe pasi ka marrë miratimin me shkrim të personit të miratuar, shqyrton si përmbushje formale, kushtetuese e ligjore, ashtu edhe meritën e çdo kandidature, duke u bazuar në kritere të matshme dhe objektive. Për të garantuar cilësinë e përzgjedhjes dhe rolin substancial të Kuvendit në këtë përzgjedhje, komisioni bashkëpunon me institucionet shtetërore dhe publike për të zgjeruar të dhënat për çdo kandidat, bashkëpunon dhe/ose kryen konsultime me institucionet përkatëse dhe rrethet profesionale. Për të rritur transparencën dhe ndihmesën e publikut në përzgjedhje, komisioni organizon seanca dëgjimore publike me secilin kandidat. Përfundimet e nxjerra nga proces shqyrtimi i përcillen Kuvendit për të vendosur miratimin ose jo të çdo kandidature të propozuar”.

ç. Pas pikës 7, shtohet pika 8 si vijon:
“8. Paraqitja e kandidaturave për zgjedhjen në organet kushtetuese ose të krijuara me ligj dhe dhënia e pëlqimit nga Kuvendi përfshihen automatikisht në kalendarin e punimeve të Kuvendit. Seanca zhvillohet me debat nëse e kërkojnë 10 deputetë ose një grup parlamentar”.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›