E Diel, 1 Nëntor 2026

Si e shkaktoi përçarjen mes Moskës dhe Pekinit “pabesia” shqiptare

Gazeta amerikane tregon ndryshimin e kursit nga Rusia drejt Kinës. Nga largimi i nëndetëseve nga Vlora deri te denoncimi në Kremlin
Wallace Carroll

UASHINGTON – Informacioni për kalimin e Shqipërisë nga një vend satelit i Rusisë në atë të Kinës komuniste është konsideruar këtu si shenja më e dukshme e kësaj periudhe që solli tendosjen e mprehtë midis Moskës dhe Pekinit. “Pabesia” e Shqipërisë ndaj Bashkimit Sovjetik tani është e dokumentuar në mënyrë të detajuar. Specialistët për çështjet komuniste (në Uashington, - shën. red.) i citojnë zhvillimet e fundit si një shenjë domethënëse. Më 26 maj, tetë nëndetëse ruse u larguan nga baza e tyre në Portin e Vlorës dhe u rikthyen në Bashkimin Sovjetik. Zona e nëndetëseve ruse që mbaheshin në Vlorë, - i vetmi simbol i fuqisë sovjetike në hapësirën e Mesdheut, - tashmë është braktisur. Kina komuniste, megjithëse i detyrohej Bashkimit Sovjetik më shumë se 300 milionë dollarë gjatë viteve të fundit si pasojë e deficitit tregtar, i ka garantuar Shqipërisë një kredi 5-vjeçare prej 125 milionë dollarësh. Pavarësisht situatave të krizës në Kinën Komuniste, Pekini ka njoftuar se do t’i dërgojë Shqipërisë drithëra, që vendi deri tani i kishte importuar nga Bashkimi Sovjetik.
Sigurisht, sjellja e Shqipërisë është një simptomë, dhe jo një kauzë, e rivalitetit midis Rusisë dhe Kinës. Por zhvillimet shqiptare i japin në mënyrë të konsiderueshme mbështetje një teorie të marrëdhënieve sovjeto-kineze që tani, të pranuar në shkallë të gjerë në kryeqytetet perëndimore. Sipas kësaj teorie, Kina komuniste tani është në një periudhë më prapa evolucionit politik sesa Bashkimi Sovjetik, duke qenë më shumë dogmatike, agresive dhe më e vrazhdë në metodat e tij sesa Rusia. Kina komuniste akoma mban si një nga pikat e doktrinës së saj se “lufta me botën kapitaliste është e pashmangshme”. Ata e përjashtojnë politikën e Hrushovit për “bashkekzistencën paqësore”. Madje, përmes saj, nënkuptohej se ajo mund të jetë një sajesë për zgjerimin e fuqisë komuniste në të gjithë botën. Ata e kanë zët dobësinë e tij në afrimin te shtetet jashtë bllokut komunist, - jo vetëm Aleatët Perëndimorë, por edhe fuqitë neutrale. Për shembull, Kina beson te ndjesia përbuzëse se Rusia ka qenë më e pazonja të rrëmbejë Berlinin Perëndimor nga shtetet “kapitaliste”.
Në linjën e tyre më të ashpër dhe më vulgare për çështjet botërore, komunistët kinezë kanë qenë të zellshëm në kritikat e tyre të regjimit komunist “heretik” të mareshallit Tito në Jugosllavi.
Në ndryshim, presidenti Hrushov në vitet e fundit i ka marrë në mënyrë relative pozicionet në drejtim të Jugosllavisë dhe Kinës ashtu siç i kanë ardhur për mbarë, ku nuk është shqetësuar për denoncimin e Jugosllavisë “revizioniste”.
Kjo ka bërë që ata ta duan Shqipërinë komuniste, e cila ka frikë dhe urren fqinjët e saj heretikë dhe nuk duron politikën e butë të zotit Hrushov në drejtim të Jugosllavisë. Në fakt, armiqësia kineze për Jugosllavinë duket të jetë çelësi kyç i afrimit midis Kinës komuniste dhe Shqipërisë.
Përmendet letra e Hrushovit
Me marrëdhëniet ruso – kineze, tashmë një subjekt i konsiderueshëm spekulimesh, shumë interesohen se kush është duke u interesuar për të gjetur cili është shkaku sot, duke u bazuar në një dokument të publikuar në “Washington Post” dhe “Times Herald”, ku flitet rreth shqetësimit midis dy vendeve. Artikulli, origjinali i të cilit është shfaqur në “Sunday Times” të Londrës, është shkruar nga Isaac Deutscher, një specialist i çështjeve komuniste. Ai ka për qëllim të japë përmbajtjen e një letre dërguar nga Hrushovi te disa nga partitë komuniste botërore. Sipas Deutscher, letra akuzon komunistët kinezë si tradhtarë të Bashkimit Sovjetik, duke u bërë mbrojtës të shmangies së luftës, duke favorizuar një sulm mbi Tajvanin, mandje, duke rrezikuar një tjetër luftë botërore dhe duke punuar në shumë kryeqytete që të përmbysin kryesimin e rusëve nga lëvizja botërore komuniste. Kjo letër kuptohet se është marrë këtu me një lloj skepticizmi nga disa diplomatë perëndimorë dhe nga të tjerët është pranuar me besim.
Shenja e parë e dukshme se Shqipëria po i sillet rrotull Kinës erdhi në qershor të vitit 1960, në një asamble të komunistëve të botës në Bukuresht të Rumanisë. Megjithëse regjimet e tjera të Europës Lindore komuniste dërguan kryetarët e partive të tyre, Shqipëria u përfaqësua vetëm me një komunist të nivelit të tretë. Ai ishte Hysni Kapo, anëtar i Byrosë Politike.
Të kuqtë izolojnë shqiptarët
Kur anëtarët e bllokut sovjetik dërguan kryetarët e partive të tyre në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara në shtatorin e kaluar, Shqipëria dërgoi vetëm kryeministrin e saj, Mehmet Shehun. Delegacionet e vendeve të tjera komuniste praktikisht e braktisën atë. Në kthimin e tij drejt Shqipërisë, zoti Shehu sulmoi disa nga propozimet pro-ruse, të parashtruara në Asamble nga Bullgaria dhe Rumania. Në fund të shtatorit, Shqipëria dërgoi një delegacion zyrtar drejt Pekinit për të ndjekur ceremonitë e përvjetorit të krijimit të Partisë Komuniste të Kinës. Ai ishte i vetmi delegacion zyrtar nga Europa Lindore. Përpara largimit, delegacioni nënshkroi një numër marrëveshjesh të bashkëpunimit teknik dhe shkencor me Kinën.
Në takimin e 81 partive komuniste në Moskë, të mbajtur në nëntorin e kaluar, Enver Hoxha, kryetari i Partisë Komuniste të Shqipërisë, raportohet se ka mbajtur një fjalim në të cilin ai përmendi fyerjet shqiptare kundër Bashkimit Sovjetik. Thuhet se ai ka akuzuar Bashkimin Sovjetik për ndërhyrje brutale në punët e brendshme të Shqipërisë dhe se është duke u përpjekur të shkaktojë një revoltë në radhët e forcave të armatosura shqiptare. Në janar, Kina komuniste nënshkroi gjashtë marrëveshje për ndihma ekonomike me Shqipërinë. Në maj, në një gjykim publik, zyrtarë dhe oficerë të ushtrisë u akuzuan si agjentë perëndimorë. Sipas specialistëve këtu në Uashington, krimi real i të akuzuarve ishte se ata kishin komplotuar së bashku me agjentët rusë”.

Shkrimi është publikuar në “The New York Times” më 6 korrik 1961
Titulli është redaksional. Titulli i gazetës është: “Shqipëria pasqyron përçarjen ruso-kineze”
Përgatiti: Albert Gjoka

7 Mars 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›