Si u ruajtën tavolina, bastuni dhe dorëshkrimet e At Gjergj Fishtës
Tavolina në ngjyrë kafe të errët, bastuni ku ai mbështetej për të ecur, letërkëmbimet dhe dorëshkrimet nga poemat e tij ishin ekspozita e rrallë e çelur mbrëmë në Muzeun Historik Kombëtar me rastin e 140-vjetorit të lindjes së At Gjergj Fishtës. Ekspozitë me fonde të rralla nga jeta dhe vepra e tij, sende dhe objekte personale, si tavolina e punës dhe makina e shkrimit, bastuni i tij, dorëshkrime të shumta, fotografi etj. është pjesë e fondit të Kuvendit Shën Françesku në Shkodër, një pjesë të cilave ekspozohen për herë të parë. Në çelje të ekspozitës me rastin e 140-vjetorit të lindjes së At Gjergj Fishtën morën pjesë përfaqësues të Kuvendit Françeskan në Shkodër, studiues, historianë, politikanë dhe njerëz të thjeshtë. Disa prej tyre ishin kontribues direkt të pasurimit të fondeve të objekteve të rralla për Fishtës. Superiori i këtij kuvendi At Aurel Gjerkaj tregon sesi mbërritën në kuvend disa prej sendeve personale të At Gjergj Fishtës. “Në fondin e Kuvendit Françeskan në Shkodër ndodhet biblioteka ku ka studiuar At Gjergj Fishta dhe që sot është biblioteka më e pasur që kemi. Në të gjenden shumë ekzemplarë.”- thotë Gjerkaj.
Dorëshkrimet e Fishtës
Letrat e zverdhura nga koha nuk e kishin zbehur aspak në fakt kaligrafinë e At Gjergj Fishtës. Në cep të fletës disa shkarravina të bëra prej tij. Më lart, në një tjetër fletë të zverdhur, lexohet qartazi me një kaligrafi ndryshe nga origjinali, emri i Pjetër Arbnorit. Në fakt, françeskanët të pranishëm në çelje të ekspozitës nuk dinë të japin një shpjegim për emrin e Pjetër Arbnorit në krye të njërës fletë, por shpjegojnë se një pjesë e këtyre dorëshkrimeve dhe sendeve të personale të At Gjergj Fishtës janë ruajtur nga populli i thjeshtë. “Ky bastun që ekspozohet për herë të parë është ruajtur nga një fshatar nga Hajmeli, që ka qenë deri në momentet e fundit me At Gjergj Fishtën. Ai, në mos gaboj, quhej Mark Luka dhe ky bastun është ruajtur në familjen e tij. Por pjesë e kësaj ekspozite janë dhe dorëshkrimet, që një pjesë e madhe janë ruajtur nga njerëz të ndryshëm”- na rrëfen superiori i Kuvendit Françeskan në Shkodër, At Aurel Gjerkaj. Bastuni në ngjyrë kafe të errët është i gdhendur me motive që gjarpërojnë nga fillimi deri në fund të tij. Të ekspozuara janë dhe kopertinat kolanës françeskane. Kjo e fundit ka në projektet e saj edhe ribotimin e veprave të At Gjergj Fishtës, që ndodhen në Bibliotekën e Kuvendit Françeskan. “Është shumë e rëndësishme që veprat e Padre Fishtës të botohen ashtu siç dhe janë shkruar”- shpjegon At Aureli. Rresht me pjesë nga dorëshkrimi “Lahuta e Malësisë” janë renditur edhe pjesë nga melodrama “Shqiptari i qytetnuem”, “Anzat e Parmasit” etj. Të gjitha në fund mbajnë firmën e At Gjergj Fishtës. Po ashtu, letërkëmbimet me At Pal Dodën, të cilit i rrëfehej për çfarë po shkruante te “Lahuta e Malësisë”, apo për dëshirën e tij për të shkruar dramë.
Fotografitë e Studio “Marubit”
Janë të shumta fotografitë të At Gjergj Fishtës në këtë ekspozitë. Disa prej tyre tashmë janë bërë publike, si fotografia e Fishtës në Bibliotekën Françeskane në Shkodër, një tjetër me vëllezërit françeskan në oborrin e kuvendit, fotografia e bërë vetëm pak orë pas vdekjes, e shumë të tjera. Pjesa më e madhe e tyre mban firmën “Studio Marubi”. Një album fotografik nga fondet e Fototekës “Marubi”, ku në mënyrë kronologjike pasqyrohet jeta dhe aktiviteti i Fishtës i parë nga fotografët, do të botohet së shpejti në bashkëpunim me Provincën Franceskane. Kjo e fundit do të ribotojë edhe veprën e plotë të At Gjergj Fishtës
Tavolina ku Fishta shkruante
Një tavolinë e thjeshtë, vende-vende e gërvishtur por që i ka qëndruar kohës, është ruajtur në fakt nga fretërit e Kuvendit Françeskan që kanë jetuar me At Gjergj Fishtën. “Në këtë tavolinë Padre Fishta ulej dhe shkruante jo vetëm poemat e tij, por dhe letërkëmbimet me vëllezër françfeskanë, me personalitete të ndryshme të kohës, artistë etj. Dorëshkrimet e “Lahutës së Malcisë” gjithashtu mbajnë firmën e At Gjergj Fishtës. Pjesë e fondit të Kuvendit Françeskan është edhe maska mortore që iu bë Padër Gjergjit, ashtu si dhe fotografitë nga studio “Marubi”, që janë bërë pak orë pas vdekjes së tij.
Fotoja e At Zef Pëllumbit dhe At Nikoll Mazrekut në gjyq
Në njërën nga stendat e ekspozitës dallonte një foto e vjetër e cila dukej që ishte ruajtur me vështirësi. At Aurel Gjerkaj na sqaron se në atë foto janë At Zef Pëllumbi dhe At Nikoll Mazreku gjatë gjyqit komunist. “Kjo është një foto shumë e rrallë, që gjendet në fondit e Kuvendit Françeskan. Kjo foto dëshmon gjyqin që i është bërë At Pëllumbit dhe At Mazrekut.”- shpjegon superiori. Në po të njëjtën stendë, janë ekspozuar njëra pas tjetrës edhe medalje të asaj kohe. Disa prej tyre i përkasin At Gjergj Fishtës.
Shtëpia e Fishtës në Zadrimë
Shtëpia e At Gjergj Fishtës, në fshatin Fishtë në Zadrimë të Lezhës, do të rikonstruktohet dhe do të shndërrohet në një muze bashkëkohor me rastin e 100-vjetorit të Pavarësisë. Një nga projektet që vetë ministri i Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Aldo Bumçi, u premtoi në çelje të ekspozitës fretërve françeskanë. “Ruajtja e objekteve të Fishtës është një provë unike për popullin tonë. Pavarësisht dënimeve që ekzistonin në atë kohë, populli i ruajti objektet e Fishtës, dhe kjo tregon respekt”, - tha ministri. Në këtë ditë At Gjergj Fishta është përkujtuar edhe në fshatin Fishtë të rrethit të Lezhës. Përfaqësues të pushtetit qendror dhe vendor kanë qenë të pranishëm në aktivitetin e organizuar në kuadër të kësaj dite, në qendër të të cilit ka qenë pikërisht tema e unitetit kombëtar, e trumbetuar në veprën e poetit. Nga vendlindja e Fishtës, është përçuar mesazhi për bashkim pa ndasi politike dhe fetare, një mesazh qendror në veprat e poetit. At Gjergj Fishta, i njohur ndryshe si Homeri Shqiptar, është e para figurë e vendit tonë që u kandidua për çmimin “Nobel”.