E Diel, 1 Nëntor 2026

Çfarë pas EnciklopedisëNga Jahi JahiuParalajmërimi nga ana e Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Maqedonisë (ASHAM) për korrigjimin e pjesës, e cila ofendon shqiptarët, duket sikur sipërfaqësisht qetësoi situatën e irrituar nga ky botim. Edhe pse ak

Nëse dëshironi të lexoni edicionin online të gazetës në PDF klikoni këtu.

Çfarë pas EnciklopedisëNga Jahi Jahiu

Paralajmërimi nga ana e Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Maqedonisë (ASHAM) për korrigjimin e pjesës, e cila ofendon shqiptarët, duket sikur sipërfaqësisht qetësoi situatën e irrituar nga ky botim. Edhe pse akoma nuk është shumë e qartë se Enciklopedia do të tërhiqet apo do të korrigjohen vetëm, siç thotë kryeredaktori, Blaže Ristovski, “disa fjalë”, përfundimisht në këtë korb të zi u duk një pendë e bardhë. Presioni i tërë shqiptarëve, duke përfshirë këtu shoqata joqeveritare, intelektualë, mediet dhe subjektet politike shqiptare, detyroi ASHAM, së bashku me kryeministrin Gruevski, direkt ose indirekt, të pranojë gabimin e bërë.

Por pas kësaj ngjarjeje, pra botimit të Enciklopedisë, shqiptarët në Maqedoni duhet të luajnë rolin e hetuesit të aksidenteve ajrore. Pas çdo rrëzimi të aeroplanit, ekspertët e aviacionit bëjnë hetime të detajuara për të gjetur shkaqet e aksidentit dhe eliminimin e tyre në të ardhmen.

Gjëja e parë, e cila duhet të analizohet lidhur me Enciklopedinë, është se pse shqiptarët në Maqedoni nuk arritën që këtë projekt ta parandalojnë që të botohet. Të gjitha të dhënat flasin se Enciklopedia maqedonase ka filluar të përgatitet para shumë viteve. Në prill të vitit 2005, në një takim që ka pasur Vlado Buçkovski, kryetar i qeverisë së Maqedonisë në atë kohë, me kryesinë e ASHAM, është premtuar rritja e buxhetit për këtë institucion. Në prezencën edhe të ministrit të Arsimit dhe Shkencës dhe atij të Kulturës, ish-kryeministri Buçkovski thotë: “Vizita në ASHAM është edhe një shprehje e respektit nga qeveria, në drejtim të arritjes së marrëveshjes me akademikët tanë të respektuar për projekte të përbashkëta, të cilat duam t’i realizojmë gjatë këtij viti dhe vitit të ardhshëm. Arsyeja kryesore e kësaj ka të bëjë me problemet financiare në ASHAM. Ideja e mirë që kemi për formimin e fondit të posaçëm për kërkime shkencore, e përkrahur nga Dhoma Ekonomike, do të shqyrtohet në mbledhjen e sotme”.

Po në këtë takim, kryetari i ASHAM, në atë kohë akademiku Cvetan Grozdanov, thekson se “për shkak të problemeve financiare kjo Akademi nuk mund të realizojë projekte kapitali, siç është publikimi i Enciklopedisë maqedonase, për të cilën janë angazhuar rreth 300 shkencëtarë”. Për këtë takim, i cili u mbajt më datë 19.04.2005, raportuan të gjithë mediet në Maqedoni. Gjithashtu, edhe kryeredaktori i Enciklopedisë Blaže Ristovski në ditën e promovimit tha se iniciativa e parë rreth përgatitje së Enciklopedisë daton që nga viti 1994.

Nisur nga këto paralajmërime dhe përgatitje, i çuditshëm është fakti se pse askush deri më sot nuk pyeti se cilët janë ata 300 shkencëtarë që janë angazhuar në këtë projekt, sa prej tyre janë shqiptarë, dhe se kush do të jetë përgjegjës për pjesën e historisë shqiptare.

Problemin tjetër, të cilin shqiptarët deri tani duhet ta kishin zgjidhur me ASHAM, ka të bëjmë me shtimin e numrit të akademikëve shqiptarë në këtë institucion. Në këtë moment, ASHAM ka 41 akademikë të rregullt dhe 33 të jashtëm. Prej tyre vetëm tre janë shqiptarë. Dy të rregullt dhe një i jashtëm. Në bazë të kësaj mund të merret me mend se sa është përqindja e shqiptarëve në këtë Akademi, buxheti i së cilës, përveç të tjerave, mbushet edhe nga taksapaguesit shqiptarë.

Të kthehemi te momentet e pas-botimit, i cili për fat të keq shqiptarët i gjeti pothuajse të papërgatitur. Pas raportimit në media të gjithë reaguan dhe padyshim që e dënuan përmbajtjen e Enciklopedisë. Por propozimet për zgjidhjen e situatës, që erdhën nga shqiptarët, ishin të ndryshme nga njëri-tjetri. Kishte nga ata që kërkonin që Enciklopedia të tërhiqet, kishte nga ata që kërkonin që shqiptarët në Maqedoni të krijojnë Akademi më vete, kishte nga ata që kërkonin që shqiptarët kësaj Enciklopedie t’i kundërvihen me botim të ri. Pra, çdokush kokë më vete.

Parë nga rrethanat e krijuara, tërheqja e plotë e Enciklopedisë dhe më pas bërja nga e para e pjesës që lidhet me gjuhën, toponimet dhe historinë e shqiptarëve, duket të jetë zgjidhja më reale. Shqiptarët mund të kërkojnë që të krijojnë akademi më vete në Maqedoni, por, derisa kjo ide të realizohet, mund të kalojë kohë ose edhe mund të mos realizohet fare, ndërsa ASHAM, e çliruar nga shqiptarët, me veprat e veta do ta forcojë edhe më shumë rrugën e saj antishqiptare.

Gjithashtu, shqiptarët edhe mund të botojnë vëllime të tjera për të demantuar ato që shkruhen në Enciklopedinë, por pa njohjen e ndërsjellë të historisë mes dy popujve, çdo libër ose enciklopedi e botuar, pa marrë parasysh nga vëllimet, do të jetë i dështuar, siç dështoi edhe Enciklopedia maqedonase.

Sidoqoftë, kërkesa për tërheqjen e Enciklopedisë maqedonase nuk duhet të jetë stacioni i fundit ku duhet të zbresin shqiptarët. Tani është momenti që shqiptarët të parandalojnë njëherë e përgjithmonë prodhimtarinë antishqiptare të këtij institucioni. Një strategji e përbashkët veprimi do ta lehtësonte realizimin e këtij procesi.

gazetastart.com

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›