Si u zbyth Lulzim Basha nga telefonata e Bakes
Tashmë dihet se një nga plagët e rënda të kësaj qeverisje është rrënimi thuajse total i plazheve të rëndësishme të Durrësit e Golemit.
Ajo që duhej të ishte krenaria e turizmit shqiptar në fakt është kthyer në tmerrin e turizmit.
Arben Meçe, ish- drejtor i Përgjithshëm i Menaxhimit Urban dhe bashkëpunëtor i ngushtë i Sali Berishës dhe Lulzim Bashës në kohën kur ai ishte ministër i Punëve Publike, sjell një rrëfim interesant për shkatërrimin e organizuar të Gjirit të Durrësit.
Meçe, duke shkruar tek Dita, tregon një detaj për mënyrën se si ka funksionuar shteti i Berishës dhe Bashës.
Në plazhin e Durrësit, Policia Ndërtimore kishte një strukturë të posaçme në varësi të drejtpërdrejtë nga Tirana. Në krye të saj, fatkeqësisht një tiranas me prirje të theksuara prej babaxhani. E bënte pazarin për shtatë palë qejfe.
Doje të ndërtoje? Kishe Baken. Të habiste kurajoja dhe guximi me të cilin ky individ mbyllte pazaret pa ia bëri syri xixë, se si i bënte ballë presionit nga sipër.
Pa e zgjatur, për një muaj rresht organizonim deri edhe bllokime me grupe dhe procesverbale ministrore të ndërtimeve dhe të strukturave për të cilat kryeministria, shpesh edhe vetë kryeministri, dërgonte letra deri edhe urdhra për të përsëritur veprimet. Por Bakja nuk donte tia dinte. Ndërtime, prerje, shkatërrim, rrumpallë kudo në plazh. Më në fund me propozimin tim në një mbledhje me ministrin fillojmë procedurë ligjore për shkarkimin e Bakes.
Firmoset dokumenti i shkarkimit nga ministri, protokollohet dhe sapo bëhet gati për tu nisur për ekzekutim, ndodh hataja.
Një telefonatë (nuk ishte Berisha) dhe më besoni që ministri, ai i qeshuri, u ngrit në këmbë gati- tu. U bë i vogël, po i vogël fare. Si i zënë në faj përgjigjet shkurt, me një zë të mekur duke iu marrë fryma: Si urdhëron, si urdhëron, pa merak zoti X.
I zverdhur, ai, ministri i gjatë e gjithnjë buzagaz, u zhyt në kolltukun e lëkurës. Pasi mori veten, më drejtohet: Arben, ndërprite procedurën.
Procedura natyrisht u ndërpre, urdhri i ministrit dhe procedimi penal ndodhen akoma në dosjen time.
Bakja vazhdoi drejtor, z.X vazhdoi karrierën, lart madje./ep