E Diel, 1 Nëntor 2026

Si votojnë estonezët nëpërmjet internetit dhe mundësitë e Shqipërisë

Votimi në Estoni nëpërmjet kartave të identitetit dhe përdorimit të PIN-it

Debatet për transparencën e procesit zgjedhor në Shqipëri dhe rinumërimit të votave ka nxitur maxhorancën, e cila nuk pranon kërkesat e opozitës, që të hedhë në publik propozime të tilla siç është votimi elektronik. Ky propozim është bërë nga kryeministri Berisha pak ditë më parë, gjatë një konference për shtyp me kryeministrin e Estonisë. Duke u nisur nga praktika e Estonisë, që njihet si shteti me përdorimin më të lartë të sistemit elektronik, Berisha propozoi që edhe në Shqipëri të bëhet i mundur votimi nëpërmjet sistemit elektronik. Ky propozim i Berishës është cilësuar nga lideri i opozitës, Edi Rama, utopik dhe i parealizueshëm në Shqipëri për shkak se interneti nuk është i shtrirë në të gjithë vendin dhe se mundësitë e përdorimit të tij janë të limituara. Madje edhe kryeministri i Estonisë, Ansip, gjatë deklaratës së tij me Berishën, ndërsa vlerësoi si shumë të besueshëm procesin e votimit online, bëri të ditur se vetëm 15% e popullsisë votojnë elektronikisht dhe pjesa tjetër fizikisht.
Procedura
Por si votojnë estonezët elektronikisht? Në sajtin zyrtar të Komisionit Zgjedhor të Estonisë sqarohet mënyra e votimit elektronik. Në këtë sajt shkruhet se për të votuar nëpërmjet internetit duhet të kesh një kartë identiteti të vlefshme dhe kodet PIN. Mund të votohet nëpërmjet internetit nga çdo kompjuter që ka lidhje me internetin, që ka programet Windows, Mac OS X ose sistemin Linux, që ka software-t e kartave të identitetit, si dhe lexuesin e kartave. Së pari duhet të siguroheni që kompjuteri nuk ka virus. Për të votuar, karta e identitetit vendoset në çipin e lexuesit të kartave. Më pas estonezët futen në sajtin zyrtar të vendosur nga qeveria www.valimised.ee dhe klikojnë në buton “voto këtu”. Më pas duhet të shkruajnë PIN-in numër 1 që tregon identitetin e votuesit. Më pas sistemi elektronik do të hapë një faqe me emrat e kandidatëve dhe të partive që përfaqësojnë, si dhe emrat e kandidatëve të pavarur. Votuesi duhet të zgjedhë një kandidat. Më pas votuesi duhet të konfirmojë zgjedhjen e tij duke firmosur në mënyrë dixhitale duke përdorur PIN-in numër 2 të kartës së identitetit.
Në Estoni qytetarët kanë të drejtë të ndryshojnë votën e tyre duke votuar sërish, por vetëm vota e fundit numërohet si e vlefshme nga sistemi elektronik. Shtetasit estonezë kanë zakonisht 6 ditë kohë për të votuar elektronikisht para se votat finale të vendosen në tabulatet e rezultatit përfundimtar.
Debati
Por duket se në Shqipëri është ende herët për të folur për mundësinë e votimit nëpërmjet internetit. Duket se ky është një tjetër debat që hidhet në treg nga maxhoranca në momentin kur vendi ndodhet në një krizë të vazhdueshme politike dhe institucionale dhe kur ndërkombëtarët, me insistim, kërkojnë arritjen e një marrëveshjeje mes dy partive të mëdha për të dalë nga kjo situatë. Vetëm një ditë më parë, gjatë seancës parlamentare, kryeministri Berisha u shpreh se qeveria do të marrë masa që të aplikojë në Shqipëri votimin elektronik. Sipas Berishës, kjo procedurë do ta nxjerrë opozitën nga kutia. Por kjo deklaratë e Berishës u rrëzua nga kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, i cili e cilësoi këtë propozim utopik dhe të parealizueshëm në Shqipëri.

12 Prill 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›