E Diel, 1 Nëntor 2026

Harxhi zhvillon vizitë në Bosnjë-Hercegovinë, bisedohet për liberalizimin e vizave



Zëvendësministrja e Punëve të Jashtme, Edith Harxhi, zhvilloi një vizitë pune në Bosnjë-Hercegovinë, me ftesë të homologes së saj, Ana Trisic Babiç. Gjatë qëndrimit në Sarajevë, krahas bisedimeve me zëvendësministren Trisic, Harxhi u prit në një takim të veçantë edhe nga ministri i Punëve të Jashtme, Sven Alkalaj. Në bisedimet me zyrtarët e lartë të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Bosnjë-Hercegovinës u trajtuan çështje të bashkëpunimit dypalësh dhe u vu theksi në intensifikimin e bashkëpunimit ekonomik dhe të shkëmbimeve në të gjitha nivelet. U shkëmbyen mendime mbi ecurinë e procesit të integrimeve euroatlantike të Bosnjë-Hercegovinës dhe liberalizimit të vizave me BE-në për të dyja vendet, si dhe u bisedua në lidhje me zhvillimet aktuale dhe të perspektivës në Bosnjë-Hercegovinë dhe në rajon. Harxhi u prit gjithashtu në takime të veçanta edhe nga Përfaqësuesi i Lartë dhe Përfaqësuesi Special i BE-së në Bosnjë - Hercegovinë, z. Valentin Inzko dhe ambasadori i SHBA-ve në Sarajevë, z. Charles English.

Lutaj: “Kryeministri Berisha të heqë dorë nga sulmet ndaj opozitës”

Deputeti i Partisë Socialiste në qarkun e Fierit, Pirro Lutaj, ka denoncuar aktin e shëmtuar të sulmit ndaj kryetarit të PS-së në Mallakastër, Pajtim Ismaili, nga simpatizantë të Partisë Demokratike. Sipas tij, gjatë protestës së banorëve të komunës Fratar, Ismaili është kërcënuar e më pas goditur nga Besnik Murati dhe Gentian Dervishi, ku të dy këta njerëz janë nxitur nga kryetarja e komunës Fratar, Sabire Hoxha. Lutaj, në emër të Partisë Socialiste, i bëri thirrje Sali Berishës që të heqë dorë nga këto tentativa të kota për të trembur e për t’i mbyllur gojën opozitës, qoftë me përjashtime nga Parlamenti, qoftë duke goditur e dhunuar përfaqësuesit e saj. “Kjo zonjë dhe militantët e Partisë Demokratike, pasi dështuan dje në përpjekjet e tyre për të prishur me dhunë protestën e Partisë Socialiste në Fratar, e pasi dështuan të trembin banorët me kërcënime primitive për ndërprerjen e asistencës sociale, sot (dje) kaluan në dhunë të hapur ndaj kryetarit të rrethit”, - tha Lutaj. Ai nënvizoi se dhunimi i kryetarit të PS-së për rrethin e Mallakastrës nuk është më një rast i veçuar e sporadik. Lutaj kujtoi se pak kohë më parë, pre e kësaj dhune qeveritare u bë një mbështetës i PS-së në fshatin Ruzhdie. Pak kohë më parë, kujtoi Lutaj, deputetit të Partisë Socialiste në Vlorë, Eltar Deda iu vendos një mjet eksploziv nën makinë, ndërkohë që mbetet ende e pazbardhur vrasja e kolegut e mikut tonë të ndjerë Fatmir Xhindi.

12 Prill 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›