E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ndërtuesit, apel qeverisë për borxhet dhe lejet e ndërtimit



Kriza ekonomike dhe ajo politike janë reflektuar ndjeshëm ne sektorin e ndërtimit në vend, sektori që xhiron 1.2 miliardë euro në vit, duke zënë 12% të Prodhimit të Brendshëm Bruto. Por, në dy vitet e fundit ky sektor ka rënie të vazhdueshme. Të tjera arsye në listën e problemeve janë moskreditimi nga bankat, mosfunksionimi i Këshillit të Rregullimit të Territorit të rretheve dhe në shkallë republike, mospagimi i firmave të angazhuara në punët publike dhe mungesa e partneritetit mes sektorit publik dhe atij privat. Me një letër të hapur, drejtuar kryeministrit, ministrave të linjës dhe krerëve të bashkive, Aktivi Kombëtar i Shoqatës së Ndërtueseve kërkoi zhbllokim të situatës. Ata kërkojnë jo vetëm shlyerje të borxheve që shteti u ka kompanive të ndërtimit, por edhe rishikimin e disa masave fiskale që e kanë vënë në vështirësi aktivitetin në këtë sektor. Nëse do të vijojnë të heshtin autoritetet ndaj të cilëve iu drejtua thirrja e ndërtuesve, me të cilën në dijeni u vu dhe delegacioni i Komisionit Europian në Tiranë, ndërtuesit paralajmëruan një sërë masash, por edhe përfshirjen e mundshme në garën elektorale për pushtetin vendor. Gjatë diskutimeve ndërtuesit i kërkuan gjithashtu qeverisë që të mos mbrojë vetëm investimet e huaja, por edhe kompanitë vendase, që gjithashtu vuajnë problematiken e pronësisë në aktivitetin e tyre. Aktivi rikonfirmoi president të Shoqatës së Ndërtuesve Artan Dulakun, kryetar të Bordit Drejtues, Luigj Aleksin, nënkryetar, Arjan Leskajn, Avenir Kikën dhe Hasan Hasidhin, si dhe sekretar të Përgjithshëm Arben Dervishajn. Po ashtu, u rikonfirmuan dhe anëtarët e Bordit Drejtues.

Protesta e hidrokarbureve, kërkesë Tatimeve për të riparë gjobat

Rreth 100 pronarë të karburanteve në qarkun e Beratit kanë protestuar dje para godinës së Tatim-Taksave, pas një mase ndëshkimore nga ana e kësaj drejtorie. Pronarët e këtyre karburanteve, të ardhur nga bashkitë e Kuçovës, Urës Vajgurore, Poliçanit dhe Beratit, përfshi dhe komunat, kanë vendosur ta kërkojnë të drejtën e tyre në formën e një proteste. Kryetari i Shoqatës, Kristo Proko, i cili ka folur në emër të Shoqatës së Karburanteve, është shprehur se ka qenë një gjobë prej 100 mijë lekësh, e cila i është vendosur pa të drejtë për mosvendosjen në punë të kasave fiskale. "Ne nuk jemi kundër vendosjes së kasave fiskale dhe nuk kemi kundërshtuar vendimet e mara nga Ministria e Financave për vendosjen e tyre. Por, jemi kundër vendosjes së gjobave. Që prej muajit janar, të gjithë pronarët e shërbimit të karburanteve në qarkun tonë kanë paguar pranë bankave lekët e duhura për vendosjen e kasave fiskale. Ne disponojmë dokumentacionin përkatës që u kemi paguar firmave sipërmarrëse që kanë marrë përsipër vendosjen e kasave fiskale për vendosjen e tyre”,- tha Proko. Sipas tij, ndonëse kanë kaluar tre muaj pas pagesës, firmat e kasave nuk i kanë instaluar pajisjet. Kreu i shoqatës paralajmëron se Tatimet do të vazhdojnë gjobitjen e këtij biznesi me një gjobë tjetër prej 500 mijë lekësh të reja dhe më pas deri në sekuestrimin e pajisjeve të këtij aktiviteti. Drejtuesit e Shoqatës së Karburanteve u shprehën se do ta përshkallëzojnë protestën e nisur dje deri në paralizimin e këtij shërbimi, nëse qeveria nga ana e saj nuk heq gjobat e vëna.

Rritet evazioni fiskal, 3500 biznese anonime

Biznesi i vogël po përjeton një sërë problemesh, kjo jo vetëm për kryeqytetin, por për gjithë vendin. Por vetëm në Tiranë shumë prej tyre janë përpjekur që të shmangin detyrimet duke mos u licencuar. "Të tilla janë me mijëra në kryeqytet", - kanë bërë të ditur specialistë të Drejtorisë së Taksave pranë Bashkisë. Vetë drejtoresha e këtij institucioni, Belinda Ikonomi, ka theksuar se nga kontrollet e specialistëve janë verifikuar plot 3.500 biznese anonime. "Është rritur evazioni fiskal, pasi ka shumë biznese që nuk kanë as leje, as licencë dhe punojnë në tregun informal. Nga një kontroll i inspektorëve të Bashkisë ka dalë se 3.500 biznese punonin në Tiranë pa asnjë lloj leje aktiviteti privat", - ka theksuar Ikonomi. "Ndërkohë që një tjetër problem që është hasur nga specialistët është se për shkak të ndryshimit të nivelit të TVSH-së, ka pasur një numër të madh biznesesh që në fillim të këtij viti kanë mbyllur aktivitetin dhe kanë rihapur një aktivitet tjetër vetëm për t'i shpëtuar pragut të TVSH-së, çka na ka hapur mjaft probleme si administratë tatimore lokale", -shprehet ajo. Sipas ligjit, theksohet se çdo biznes i vogël duhet të punësojë part-time një ekonomist dhe një ekspert kontabël për të mbyllur bilancet, por kjo shumë rrallëherë respektohet, gjë e cila sjell problemet të shumta.

12 Prill 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›