E Shtunë, 31 Tetor 2026

Abuzimet me “Durrës-Kukës”, Bode nesër kontroll Ministrisë së Olldashit

Kostoja e rrugës “Rrëshen-Kalimash” ka futur në konflikt institucionet shtetërore

Ervin KOÇI

Rruga “Durrës-Kukës” është kthyer sërish në mollë sherri në qeverinë shqiptare. Kësaj here kjo vepër jo vetëm që ka varfëruar buxhetin e shtetit, por ka futur në konflikt edhe institucionet më të larta dhe vetë kryeministrin Berisha. Dy dikasteret, që kanë nisur t’ia hedhin fajin njëri-tjetrit për kostot marramendëse të kësaj rruge, janë Ministria e Transporteve dhe ajo e Financave. Kjo e fundit do të drejtojë një ekip të posaçëm specialistësh, të cilët do të zhvillojnë këtë javë një kontroll të detajuar në Ministrinë e Transporteve në lidhje me përdorimin e fondeve për rrugën “Durrës-Kukës”. Dy krerët e këtyre dikastereve prej disa muajsh kanë nisur një “luftë të ftohtë”, debatesh dhe replikash për çështjet e fondeve për rrugët, por këtë herë duket se konflikti do të bëhet jo më i heshtur, por publik. Shkak duket se do të bëhet pikërisht kostoja tepër e lartë e rrugës “Durrës-Kukës”. Burime brenda Ministrisë së Financave kanë thënë për gazetën “Albania” se vetë ministri Bode ka thënë se “kostoja e kilometrit në segmentin ‘Rrëshen-Kalimash’, pjesë e ‘Durrës-Kukës’, ka prekur majat e të paimagjinueshmes, në rreth 15 milionë dollarë”. Nisur nga kjo, ministritë e linjës po kërkojnë tani që t’i hedhin përgjegjësinë për shpenzimet tepër të larta njëra-tjetrës.

Raporti
Në raportin e monitorimit të shpenzimeve të kryera gjatë vitit 2009, MF-ja vë re shpenzimet e tepërta për rrugën, që nuk përputhen me planin, ndërsa në relacionin e përgatitur nga MPPTT-ja nuk jepen sqarime rreth tejkalimit të shpenzimeve. Për këtë shkak, MF-ja i kërkon Transporteve të japë sqarime rreth kostove shtesë, duke e lidhur edhe me faktin se nuk është realizuar plani i ndërtimit të rrugëve. Akset rrugore tip “A2”, me katër korsi, identifikohen segmentet e “Rrëshen-Kalimash”, “Kalimash-Kukës”, si dhe pjesë të tjera të “Durrës-Kukës”, për të cilat janë kryer rreth 42 miliardë lekë, apo 99 për qind e planit, kurse si njësi janë ndërtuar 29 kilometra, ose 5 më pak. Mesatarja e kilometrit për rrugët e kësaj kategorie, ku pjesën dërrmuese e zë Rrëshen-Kalimashi, llogaritet në rreth 1.5 miliardë lekë, apo rreth 15 milionë dollarë, apo 2 milionë dollarë më tepër se plani. “Në vlerësimin dhe monitorimin për 9-mujorin, kosto për njësi e këtij produkti në fakt është realizuar me 424 milionë lekë për kilometër më tepër se sa ajo e planifikuar”,- thuhet në raportin e monitorimit të MF-së.

Abuzimet
Në grupin e rrugëve tip “A2” me katër korsi përfshihen kryesisht akse me gjerësi 20 metra si rruga “Rrëshen-Kalimash”, që zë pjesën më të madhe të realizimit të fondit dhe të sasisë së grup-produktit (shënim i MF-së), ndërtimi i rrugës “Kukës-Morinë” dhe “Kalimash–Kukës”, objekte që kanë përfunduar punimet etj. Sipas Ministrisë së Punëve Publike, shpenzimet vjetore për këtë grup produkti janë realizuar në masën 99.7 për qind të planit vjetor, ndërsa nga ana sasiore janë realizuar 29 km nga 34 km të planifikuara si vjetor, pra 85 për qind. “Duke parë koston për njësi vërejmë që në fakt janë shpenzuar 1.4 miliardë lekë për kilometër, në një kohë që ka qenë planifikuar 1.2 miliardë lekë për kilometër, pra 200 milionë lekë më tepër”, - nënvizon MF-ja. Sipas kësaj ministrie, në relacionin e paraqitur për këtë program nga Ministria e Transporteve, drejtuar nga Sokol Olldashi, nuk janë dhënë shpjegime lidhur me arsyet e tejkalimit të kostos për njësi, në fakt në krahasim me planin, si edhe të tejkalimit të shpenzimeve. “Pasi, siç e thamë më lart, produktet nga ana sasiore në fakt janë realizuar 85 për qind të planit vjetor, ndërsa shpenzimet janë realizuar 99.7 për qind e planit vjetor”,- theksohet në raportin e monitorimit të MF-së për vitin 2009. Rritje të kostos evidentohet edhe për akset tip “A2” 2x2 me trotuare dhe ndriçim, konkretisht me 6 milionë lekë të reja më shumë se plani mesatar, që ishte 129 milionë lekë për kilometër. Kategoria e këtij lloj produkti janë rrugët me gjerësi 24-25 m, si ndërtim rruga “Transballkanike” Vlorë, Instituti Kamzë-kthesa Zall-Herr, ndërtim rruga Porto-Romano Durrës, “Aleksandër Goga” në Durrës, rruga Shkozet-Durrës etj. Shpenzimet në fakt për këtë produkt janë realizuar në masën 87 për qind të planit vjetor, ndërsa nga ana sasiore janë realizuar në rreth 83 për qind. “Në relacion janë bërë sqarimet se mosrealizimi i shpenzimeve për këtë grup produkti ka ardhur edhe si rezultat i bllokimit të kalimit të pagesave për disa objekte për të cilat janë kryer punimet fizike”,- deklaron MF-ja, e cila pranon hapur borxhin që qeveria u ka disa firmave të ndërtimit, totali i së cilës shkon në rreth 50 milionë euro.

Rruga “Durrës-Kukës” rrezikon të prekë 10% të PPB-së

Pagesat e buxhetit për ndërtimin e rrugës Rrëshen-Kalimash po tentojnë të kapin vlera maksimale. Kostoja totale e këtij projekti, deri në fund të janarit, ka arritur në 106 miliardë lekë, ose mbi 1 miliard dollarë. Problemi i pagesave fillon që në vitin 2006, kur thesari i shtetit ka derdhur rreth 76 milionë dollarë për ndërtimin e kësaj rruge. Por ky ishte vetëm viti i parë. Pagesat janë rritur në mënyrë progresive në tre vitet pasardhëse. Në vitin 2007, buxheti pagoi 16.3 miliardë lekë për ndërtimin e rrugës ose 58 për qind të të gjitha fondeve të akorduara për investime në infrastrukturën rrugore të atij viti. Në vitin pasardhës, atë 2008, qeveria i pagoi konsorciumit turko-amerikan 39.1 miliardë lekë, ose 67 për qind të investimeve totale në gjithë rrugët e vendit. Fatura kulmoi vitin e kaluar, kur segmenti mori mbi 80 për qind të investimeve në infrastrukturë, plot 41.3 miliardë lekë. Në total, kantieri në Rrëshen-Kalimash ka marrë 70 për qind të investimeve në infrastrukturë për tre vitet e fundit të marra së bashku. Të dhënat tregojnë se qeveria vazhdon të paguajë fonde nga buxheti për segmentin rrugor me gjatësi 60.8 kilometër. Në muajin janar të këtij viti buxheti pagoi edhe 1.6 miliardë lekë të tjera për këtë segment, ndërkohë që pagesat kanë vazhduar edhe gjatë muajve shkurt dhe mars.
Deri tani, fatura totale e segmentit po arrin shifrën 10 për qind të PBB-së, me kosto mesatare 17.5 milionë dollarë për kilometër.

12 Prill 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›