E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fratini, të hënën në Tiranë për liberalizimin e vizave

Ndërkombëtarët, pesimistë për heqjen e vizave për shqiptarët

Ministri i Jashtëm i Italisë, Franko Fratini, do të mbërrijë të hënën në Tiranë për të shqyrtuar mundësitë e liberalizimit të vizave, si dhe procesin e plotësimit të Pyetësorit të BE-së për statusin e vendit kandidat. Fratini pritet të bëjë deklarata të forta për faktorin politik shqiptar për zgjidhjen e ngërçit politik në të cilin ndodhet vendi dhe që ndikon në të dyja këto procese si për liberalizimin e vizave, ashtu dhe për vlerësimin e përgjigjeve të Pyetësorit për statusin e vendit kandidat në BE. Përgjigjet e Pyetësorit pritet të dorëzohen nga kryeministri Berisha në Komisionin Europian më 15 prill. Pikërisht gjatë takimeve që do të zhvillojë ditën e hënë në Tiranë gjatë vizitës disaorëshe, Fratini pritet t’i diskutojë me krerët e politikës shqiptare këto dy çështje të rëndësishme për proceset integruese të vendit.
Axhenda
Burimet nga Ministria e Jashtme e Shqipërisë kanë bërë të ditur se në krye të axhendës së Fratinit në Tiranë janë takimet me drejtuesit më të lartë të shtetit shqiptar. Fillimisht ai do të pritet në një takim kokë më kokë nga homologu i tij shqiptar, ministri i Punëve të Jashtme, Ilir Meta. Pas takimit është parashikuar që të dy ministrat të mbajnë një konferencë të përbashkët për shtyp. Pas takimit me shefin e Diplomacisë shqiptare, Fratini ka të parashikuar në axhendë një takim me Presidentin e Republikës, Bamir Topi, si dhe me kryeministrin Sali Berisha. Ministri i Jashtëm i Italisë, Franko Fratini, njihet si mbështetës i fortë i integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian dhe më herët edhe pro liberalizimit të vizave për shqiptarët. Qeveria shqiptare shpreson që në mesin e këtij viti Komisioni Europian të marrë vendimin për liberalizmin e lëvizjes së shqiptarëve drejt vendeve të zonës “Shengen”. Por deklaratat e ditëve të fundit të ndërkombëtarëve kanë qenë të zbehta përsa i përket mundësisë së liberalizimit të vizave për shqiptarët për shkak se vendi ynë nuk ka përmbushur një prej kritereve kryesore, atë politik.
Kriza
Vetëm pak ditë më parë, dy përfaqësuesit e lartë të Spanjës, shteti që mban aktualisht presidencën e radhës së Bashkimit Europian, kanë folur me tone të zbehta për liberalizimin e vizave për shqiptarët. Kështu, ambasadori spanjoll në Shqipëri, Manuel Montobio, gjatë një forumi të mbajtur pak ditë më parë në Vlorë, është shprehur se kriza aktuale politike ndikon në procesin e liberalizimit të vizave për shqiptarët. Ai bëri thirrje për arritjen sa më parë të një marrëveshjeje mes palëve, ndërsa theksoi se kapërcimi i kësaj situate do të ndikojë në proceset e tjera integruese të vendit. Ndërkaq, edhe ministri i Jashtëm spanjoll, Morantino, gjatë një vizite në Bosnjë, u shpreh se liberalizimi i vizave për këtë shtet do të realizohet shumë shpejt, ndërkohë që nuk e përfshiu Shqipërinë në këtë proces. Shqipëria dhe Bosnja ishin parashikuar që të përfitonin njëherësh nga procesi i liberalizimit të vizave. Por sipas Morantinos, duket se më parë do të përfitojë Bosnja, ndërkohë që nuk ka asnjë datë ekzakte për përfitimin e shqiptarëve. Ashtu sikurse është shprehur ambasadori Montobio, shkak për këto vonesa është bërë kriza politike në Shqipëri. “Ajo që ka thënë Bashkimi Europian në çdo moment dhe këtu janë edhe deklaratat e komisionerit Fyle, është pra që diferenca politike duhet të zgjidhet në Parlament. Këto diferenca duhet të çojnë në një marrëveshje ndërmjet palëve, që në këtë rast janë qeveria dhe opozita. Dhe që kjo marrëveshje duhet të çojë në krijimin e një komisioni parlamentar, mandati i së cilit të ketë rënë në një marrëveshje si nga opozita, ashtu dhe nga qeveria, njëkohësisht bazuar në principin e transparencës dhe kushtetutshmërisë”, - është shprehur Montobio. Referuar liberalizimit të vizave, ambasadori Montobio është përgjigjur se ky proces është në varësi të zgjidhjes së krizës. “Mesazhi ynë është se ka procese të rëndësishme që janë vënë në lëvizje, që superimi dhe kalimi i kësaj situate është pozitiv për avancimin e këtyre proceseve”, - është shprehur Montobio.

12 Prill 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›