Siçilia goditet nga tornado të dyfishta, shkatërrohet një shkollë me 273 fëmijë brenda

Dy tornado uji goditën zonën e Marsalës, në provincën e Trapanit, në Siçili të Italisë, duke shkaktuar dëme të mëdha në ndërtesa, automjete dhe toka bujqësore. Mes objekteve të prekura ishte edhe shkolla “Alcide De Gasperi”, në zonën e Terrenove, ku në momentin e stuhisë ndodheshin 273 fëmijë. Drejtori i shkollës, Leonardo Gullotta, tha se ndërtesa ishte shkatërruar pothuajse plotësisht. Ai rrëfeu momentet e frikshme, kur stafi u detyrua të kërkonte një zonë më të sigurt brenda shkollës, pasi ishte e pamundur të dilnin jashtë.
“Për fat të mirë, falë ndërhyrjes së stafit, përfshirë edhe mua, arritëm të gjenim një zonë më të sigurt brenda shkollës, sepse nuk mund të largoheshim”, deklaroi Gullotta. Ai falënderoi ekipet e shpëtimit dhe bëri të ditur se familjet e fëmijëve janë informuar, ndërsa tashmë vëmendja është përqendruar te vlerësimi i dëmeve dhe rindërtimi.