E Diel, 1 Nëntor 2026

3 personat kishin planifikuar një vrasje, kapen në Lezhë

Lezhë/ Parandalohet një vrasje e planifikuar, në pranga 3 persona. Të armatosur dhe me skafandra, lëviznin me motor të vjedhur në Suedi

Policia ka parandaluar një vrasje të planifikuar në Lezhë, duke arrestuar tre persona të dyshuar si të përfshirë në organizimin dhe realizimin e saj. Gjatë operacionit të koduar “Detajet” janë sekuestruar tri pistoleta me municion luftarak, një automjet dhe një motomjet i vjedhur në Suedi.

Në pranga kanë rënë E. T., 25 vjeç, banues në fshatin Barbullush, K. Y. (Sh.), 34 vjeç, banues në Kamzë, dhe V. P., 38 vjeç, banues në Kurbin. Sipas policisë, ky i fundit ka precedentë të shumtë penalë për krime kundër personit, brenda dhe jashtë vendit.

Sipas njoftimit zyrtar, dy prej të arrestuarve lëviznin të armatosur dhe me skafandra me një motomjet në rrugën e vjetër “Pllanë-Lezhë”, me qëllim kryerjen e vrasjes. Personi i tretë dyshohet se bashkëpunonte me ta, duke i ndihmuar të largoheshin me automjet nga zona ku kishin planifikuar krimin.

Policia u vu në lëvizje pas marrjes së informacionit për lëvizje të dyshimta të dy personave me skafandra në këtë aks rrugor. Shërbimet organizuan kontrolle dhe patrullime në zonën e sinjalizuar, si dhe në drejtim të Shkodrës.

Si rezultat i kontrolleve, në segmentin rrugor “Gjadër-Barbullush” u ndalua një automjet tip “Volkswagen”, në të cilin udhëtonin V. P. dhe K. Y. (Sh.), të cilët ishin konstatuar më parë duke lëvizur me motomjet. Në automjet ndodhej edhe E. T., drejtuesi i tij, i cili dyshohet se do t’i ndihmonte dy të tjerët të largoheshin nga zona.

Sponsorizuar

Gjatë kontrolleve fizike, në motomjet, në banesën e E. T. dhe në ambientet përreth saj, u gjetën tri pistoleta me krehra e fishekë, municion luftarak, si dhe motomjeti i përdorur në këtë rast. U sekuestrua gjithashtu automjeti tip “Volkswagen”.

Nga verifikimet e kryera rezultoi se motomjeti ishte i vjedhur në Suedi. Çelësat e tij iu gjetën 34-vjeçarit K. Y. (Sh.).

Operacioni u realizua nga specialistët e Sektorit për Hetimin e Krimeve të Rënda dhe shërbimet e Drejtorisë Vendore të Policisë Lezhë, në bashkëpunim me Policinë e Shkodrës.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë për veprime të mëtejshme.a.b

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›