E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mjeket ne alarm, rriten cregullimet mendore te shqiptaret

09/01/2012  Çrregullimet mendore që kërkojnë trajtim në rritje të vazhdueshme

Në një vit 6 mijë trajtime vetëm në një qendër

Pranvera Kola

Shqetësimet e shumta të krijuara në ambientin familjar, të punës apo dhe në shoqëri po shndërrohen në një problem serioz për bluzat e bardha, pasi po ndikojnë në rritjen e vrullshme të komplikacioneve që po shfaqen në shëndetin mendor të shqiptarëve. Problemet dhe stresi në rritje ka bërë që më shumë pacientë të trokasin në dyert e mjekëve të familjes dhe atyre psikiatër për shkak të çrregullimeve mendore të fazave të lehta. Vetëm në një nga qendrat e shëndetit mendor janë trajtuar mbi 6 mijë pacientë me probleme të caktuara mendore gjatë vitit që lamë pas. Kategoritë më të rrezikuara për t’u prekur nga këto çrregullime, sipas mjekëve, janë moshat nga 20 deri në 50 vjeç, grup-mosha që përbëjnë edhe numrin më të lartë të pacientëve që paraqiten për trajtim, kryesisht medikamentoz. Mjekët psikiatër bëjnë me dije se zakonisht gjatë viteve të fundit çrregullimet mendore të pacientëve po dignostikohen nga mjeku i familjes dhe në varësi të ecurisë së problemit bëhet referimi te mjeku psikiatër për të vënë diagnozën, ku në bashkëpunim dhe me psikologun detajohet skema e mjekimit. Për pjesën dërrmuese të problemeve mendore, jo të gradave të rënduara, konfirmohet se trajtimi me medikamente zakonisht zgjat nga 3 deri në 6 muaj. Ajo çfarë konsiderohet si më problematike është fakti i ndërprerjes së mjekimit nga shumë pacientë. Këta të fundit më pas përballen me më shumë komplikacione, të cilat i rikthejnë sërish drejt trajtimeve nga e para. Por në këto raste këto trajtime kërkojnë më shumë kohë, duke e zgjatur efektin nga 1 deri në dy vjet, në mënyrë që çrregullimi mendor të kurohet plotësisht. "Disa çrregullime minore që kanë lidhje me shëndetin mendor mund të trajtohen shumë mirë dhe nga mjeku i familjes. Në rastet kur trajtimi nuk është i suksesshëm, pacienti dërgohet në qendrat komunitare të shëndetit mendor. Psikiatri bën ekzaminimin, e çon te psikologu, i cili merret me organizimin e forcave mbrojtëse. Në rastet kur psikiatri e shikon gjendjen më të rëndë se kaq dhe duhet ndërhyrja, është po ai që propozon një mjekim që nuk zgjat shumë", - deklaron psikiatria Arjana Reli. Më tej bëhet me dije se janë femrat ato që tregojnë edhe kujdesin më të lartë për të marrë ndihmën mjekësore të specializuar. "Është gjinia femërore ajo që kërkon më tepër ndihmë, por në rastet kur janë bërë depistime statistikat flasin për të njëjtën shifër si te meshkujt dhe te femrat. Për sa u përket grup-moshave zakonisht janë të moshave 20-50 vjeç", - shton më tej mjekja Reli. Shqetësuese shfaqet mungesa e kapaciteteve dhe personave të specializuar në trajtimin e hershëm të këtyre simptomave. Në aktivitetet e zhvilluara pak kohë më parë mbi sfidat e shëndetit mendor mes OBSH-së dhe strukturave shëndetësore në vendin tonë mjekët kanë theksuar faktin se trajtimi i këtyre rasteve shpesh herë has në pengesa dhe nuk jep efektet e duhura. Kjo jo vetëm për shkak të mungesës së kapacitete përballë fluksit të kërkesës për trajtim, por dhe për shkak se numri i psikiatërve dhe psikologëve në raport me popullsinë është i ulët, pasi 1 psikiatër duhet t’u përgjigjet afro 34 mijë banorëve, ndërsa psikologë mbi 100 mijë personave, çka shtron nevojën për shtimin e tyre. Të dhënat tregojnë se çdo person të paktën një herë gjatë jetës së tij kalon në depresion, ndërsa 1 në 4 shqiptarë e përjeton atë në gjendje më të rëndë, që kërkon mjekim.

Alarmi

Duke iu referuar të dhënave të raportuara nga institucionet mjekësore, ekspertët e Organizatës Botërore të Shëndetësisë pak kohë më parë kanë komunikuar se brenda një viti 25 për qind e popullsisë shqiptare u drejtohet qendrave të shëndetit mendor dhe spitaleve psikiatrike, pasi manifestojnë çrregullime të shëndetit mendor, shifër kjo që mund të jetë edhe më e lartë, duke mbajtur parasysh faktin e neglizhencave në kërkimin e ndihmës mjekësore që në fazat e hershme nga shumë pacientë. Ndër çrregullimet më të shpeshta pohohet të jenë çrregullimet e ankthit, depresionit dhe skizofrenia, shqetësime që nuk kanë kursyer as moshat më të vogla. Por ajo që klasifikohet si më shqetësuese është mungesa e kapaciteteve për evidentimin dhe trajtimin e tyre në kohë.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›