E Shtunë, 31 Tetor 2026

Leku rikthehet në lojë

Leku e ka nisur javën mbarë, duke arritur të frenojë zhvlerësimin e muajve të fundit ndaj dy monedhave kryesore. Kështu, ai fitoi terren të dukshëm ndaj dollarit, i cili humbi 1.73 pikë ditën e djeshme, duke u këmbyer me 101.58 lekë, ndërkohë që të premten, sipas kursit zyrtar të Bankës së Shqipërisë, këmbehej me 103.31 lekë.


Monedha shqiptare i rezistoi dje edhe euros, e cila arriti një vlerësim të papërfillshëm, duke u kuotuar në nivelet e fundjavës së kaluar, kur tregtohej për afro 130.3 lekë. Monedha e vetme që e nisi javën me vlerësim të ndjeshëm ishte paundi britanik, i cili u vlerësua me 1.17 pikë më shumë sesa ditën e premte, duke u tregtuar për 148.72 lekë. Ditën e djeshme u vu re një fakt interesant, ku leku pësoi vlerësimin më të fortë ndaj monedhës japoneze, jenit. Kjo humbi rreth 2.77 pikë ndaj lekut. Kjo monedhë pësoi një zhvlerësim të fortë në tregjet ndërkombëtare edhe ndaj euros dhe dollarit, ku me këtë të fundit u arrit zhvlerësimi më i lartë në tre muaj. Ndërkohë, edhe euroja ka pësuar zhvlerësim ndaj monedhës amerikane me 0.9% dhe, duke u tregtuar për 1.2729 dollarë.


Bode: Shqipëria nuk është prekur nga kriza

Vendi nuk është në krizë ekonomike, por nuk përjashtohet mundësia që ajo të prekë pak disa sektorë të ekonomisë, si industrinë minerale dhe tekstilet. Kështu tha dje në Kuvend ministri i Financave, Ridvan Bode, i cili tha shtoi se qeveria po e vlerëson me seriozitet situatën. Ai tha se institucionet ndërkombëtare financiare si, Banka Botërore, etj., kanë vlerësuar se Shqipëria do të ketë një rritje ekonomike prej 5.7%. Ministri i Financave tha se sistemi bankar është në përmirësim të vazhdueshëm dhe se bankat janë të gatshme të kreditojnë bizneset. "Aq e çoroditur është opozita dhe tellallët e saj në klasifikimin e krizës, sa një ditë flasin për krizë që vjen nga sistemi financiar i tipit perëndimor dhe, po atë ditë dalin e flasin për rritje të çmimeve. E pra, zotëri, kriza që ka përfshirë sot botën, është krizë jo se rriten çmimet, por se bien",- tha Bode. Ndërsa ish-ministri socialist i Financave, Arben Malaj, tha se vendi është në krizë dhe kjo vërtetohet nga përqendrimi i qeverisë tek spotet qeveritare. Ai deklaroi se ekonomisë vendëse po i shterojnë burimet e rritjes dhe se qeveria duhet të marrë masa urgjente për zgjidhjen e këtij problemi. Malaj akuzoi qeverinë se abuzon me shifrat e rritjes ekonomike.


 

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›